Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370

Jep dorëheqjen, Prençi: Mafia e kromit i ka rrënjët në Tiranë

$
0
0



TIRANE- Drejtori i Policisë së Qarkut të Dibrës, Shemsi Prençi, dha sot dorëheqjen nga çdo funksion i policisë së shtetit duke e akuzuar strukturat e larta në Ministrinë e Brendshme dhe vetë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, se po përkrahin mafian e kromit.

"Sot jap dorëheqjen nga cdo funksion i policisë së shtetit. I detyruar nga veprimet arbitrale të drejtorit të policisë së shtetit i cili më ka pezulluar nga detyra. Hysni Burgaj është katandisur në një njeri që mban vetëm celësat e kashtës. Më pezulloi nga puna sepse u kisha rënë ndesh grupeve kriminale të mafias së kromit që janë të lidhur me grupe mediatike, për ti hapur rrugë shfrytëzimit të pasurisë kombëtare” tha Prençi në një prononcim për shtyp para Drejtorisë së Policisë së Shtetit, menjëherë sapo dorëzoi dorëheqjen. Dorëheqja e tij ndodh dy ditë pasi ministri i Brendshëm urdhëroi pezullimin e tij nga detyra për shkelje disiplinore, ndërsa SHKB nisi një hetim disiplinor. Në vend të tij do të vendoset Hasan Gjegjeri.

PRENÇI: LUFTOVA MAFIAN E KROMIT POR NUK GJETA PERKRAHJEN
Nga posti i Drejtorit të policisë së qarkut të Dibrës, Prençi tha se kishte denoncuar në mënyrë të vazhdueshme aktivitetet kriminale në Bulqizë por nuk kishte marrë mbështetjen e eprorëve të tij.

“Edhe pse gjeta përkrahjen e strukturave të Qarkut të Dibrës, nuk e pata nga drejtoria e policisë dhe Ministria e Brendshme që morën në mbrojtje strukturat e SHKB të cilat janë destinuar për t'i shërbyer mafias së kromit. Kam denoncuar vjedhje dhe falsifikim të pasurisë publike por jam ndjerë i braktisur nga eprorët e mi. Jam terrorizuar psikologjikisht nëpërmjet gogolit SHKB që nuk njeh ligj por mbron hapur mafian e kromit"- tha Prençi.

Ish drejtori i forcave speciale të policisë shqiptare shtoi se ishte munduar të luftonte mafian e kromit dhe ta denonconte por "I gjendur përballë shpellave te krimit denoncimi im ka rënë në vesh të shurdhët".

BURGAJ, MARIONETE, DO DENONCOJ MAFIAN NE MEDIA
Duker iu drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, Prençi tha: “Të kanë kthyer në një marionette. ne duhet të hetojmë nëpër gjirize por nuk na lejohet të flliqim duart. “

“Sot i dhashë vetes lirinë e nevojshme. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është katandisur në një mbajtës celësash të kashtës. Bëra sa munda por nuk munda dot të ndaloja mafian e kromit. Betejën e fituan ata. Por nuk ka mbaruar, ta harrojnë se duke më kërcënuar me bukën e gojes apo me jetën unë do të hesht. Liria do më duhet të denoncoj në media mafian e kromit. Do luftoj dhëmbë me dhëmbë me mafian e shpellave të Bulqizës që e kanë rrënjën në Tiranë. Nuk do hesht më "- nënvizoi Prençi

PRENCI BLLOKOI KAMIONET ME KROM
Kohët e fundit bizneset të kromit pranë qeverisë akuzuan drejtorin e policisë se po bënte luftë selektive ndaj tyre, duke tejkaluar kompetencat dhe duke ndaluar eksportin e këtij minerali të rëndësishëm në tregjet e huaja. Një pjesë e biznesmenëve të kromit reaguan ashpër ndaj një aksioni të fundit të drejtuar nga Prençi, ku ai kishte bllokuar 14 kamionë të ngarkuar me krom për mangësi në dokumentacion.

Gjatë fushatës elektorale, Shemsi Prençi atëherë drejtori i forcave speciale të policisë shqiptare paditi penalisht ministrin e Brendshëm të komanduar në detyrë në atë kohë, Avenir Peka, se e kishte kërcënuar dhe e kishte kërkuar të përdorte forcat speciale në mitingjet e fushatës. Prokuroria pranoi kallëzimin penal por dy muaj më pas deklaroi mbylljen e cështjes. Më vonë Premçi u transferua në postin e Drejtorit të policisë së qarkut të Dibrës.
(sg/shqiptarja.com)

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370