Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372

Rama: Krimi po e mbyt Shqipërinë, shteti e ka humbur betejën

$
0
0


TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama theksoi edhe njëherë sot përmes një editoriali se shteti e ka humbur betejën me krimin, që sipas tij po e mbyt Shqipërinë.

“Shtuar më shumë se dyfish shifra e kriminalitetit vjetor në vetëm tre vjet. Nga 94 vrasje para tre vjetësh 137 të tilla tre vjet më vonë. Afro dyfish krimet kundër pronës. Dyfish vjedhjet me dhunë në të njëjtin hark kohor. Më shumë se dyfish vjedhjet me armë. Nga 697 vjedhje banesash para tre vjetësh 979 tre vjet më pas. Rritje galopante edhe në vjedhjet e kompanive private. Gati katërfish vjedhjet e quajtura "të tjera". Pranë dyfishimit armëmbajtjet pa leje. Pesëfish shkeljet në qarkullimin rrugor.” - shkruan kryesocialisti.

Sipas Ramës, shifrat për kriminalitetin janë të frikshme dhe tendenca e tyre është në ngjitje.“Por rënien e shtetit e tregojnë pa koment lajmet e përditshme që dëshmojnë kthimin prepotent të krimit në një makth shoqëror e individual për qytetarët e Shqipërisë.”

“Pas shifrave e lajmeve tronditëse qëndron një shoqëri e kërcënuar përditë në sigurinë e saj. Shteti e ka humbur betejën me krimin sepse pushteti e ka rrënuar moralisht e profesionalisht policinë, siç ka rrëgjuar edhe jetën shoqërore nën trysninë e papunësisë e të degradimit të shërbimeve publike. Në një vend me 1 milionë të papunë ku Policia e Shtetit trajtohet si zyrë për të punësuar shërbëtorët e partive të qeverisë, kushërinjtë apo miqtë krahinorë dhe ende më keq, njerëzit me precedentë penalë për fushata elektorale, s'ka se si krimi të mos e fundosë shtetin nën peshën e vet.”- shkruan kryesocialisti.

Ndërkohë, Rama i përgjigjet edhe deklaratës së Ministrisë së Brendshme për punën e mirë të policisë së shtetit, duke e cilësuar si një tentativë për tu mbrojtur duke u hedhur në sulm ndaj opozitës.

“Në reagimin e vet patetik Ministria e Brendshme fliste për suksese imagjinare e për mosmirënjohje nga ana e opozitës ndaj policisë. Një reagim absurd, dobësi e dukshme e arrogancës së një pushteti që ka humbur çdo arsye e qëllim tjetër veç të ndenjurit aty ku është, për të bërë punët e veta krejt pa lidhje me punët e Shqipërisë. Por edhe më keq se kaq ishte në atë reagim idiotik krahasimi tallës me Bashkimin Europian, ku sipas Ministrisë së Brendshme qenkemi në pararojë edhe në punët e rendit. As më shumë e as më pak po mbi mesataren e BE-së! Tamam ashtu si me ekonominë pakashumë, ku jemi të dytët pas Gjermanisë siç thotë kryeministri dhe njëkohësisht përgjegjësi i madh për tërë këtë propagandë turpëruese për Shqipërinë, për politikën, për çdo njeri të logjikshëm në këtë vend.”

Ndër të tjera Rama përmend edhe ngjarjet e 21 janarit duke theksuar se “qeveria sot është bërë pa ekzagjerim konkurrente e krimit në goditjet haptaz kriminale të Kushtetutës e ligjit. Përmes plumbave të nxjerrë nga pushkët e saj për të vrarë protestues opozitarë, përmes pengimit të dhunshëm të hetimeve me fshirje gjurmësh e kërcënime publike ndaj Prokurores së Përgjithshme, përmes vjedhjeve të hatashme me zë e me figurë dhe përmes korruptimit spektakolar të proceseve gjyqësore ku është gjendur në bankën e të akuzuarit nga prokuroria, qeveria ka zgjedhur metodën e krimit në raport me ligjin, me drejtësinë, me njerëzit e zakonshëm.”

“Sjellja antisociale është ushqimi bazë i kriminalitetit dhe zbutja e kësaj sjelljeje të gjithëpërhapur në shoqërinë tonë është një mision shumë i gjerë social që qeveria e vendit duhet ta ndajë me prindërit, me familjet, me mësuesit e pedagogët, me komunitetet e me median, me publikun në tërësi. Eshtë një mision që zë fill nga vetë sjellja e qeverisë ndaj vendit, publikut, fakteve. Por fatkeqësisht qeveria jonë nuk e lufton por e motivon sjelljen antisociale në Shqipëri me shembullin e saj të mjerë dhe mjerues për shoqërinë. Sot qeveria e ka pranuar epërsinë e krizës ekonomike, sepse masat e saj nuk e zbusin po e thellojnë krizën. Të cilën kryeministri mundohet vetëm ta fshehë duke fshehur të vërtetën, manipuluar shifrat, gënjyer papushim publikun. Qeveria ka pranuar po njësoj edhe epërsinë e krimit dhe madje është bërë burim inkurajimi për krimin me sjelljen e vet të padenjë publike dhe me vendimmarrjen e vet të errët; me retorikën e shifrave të gënjeshtërta dhe me sulmet barbare ndaj prokurorisë; me bashkëpunimin e hapur me kriminelët në fushata elektorale dhe me gradimin e pinjollëve të krimit në poste drejtuese të policisë.”- theksohet se editorialin e kreut të opozitës.

(er.nu/BalkanWeb)

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>