
TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes në një lokal nate në zonën e Kasharit në kryeqytet. Një vajzë 26-vjeçare është qëlluar me armë pas një sherri në lokalin e natës.
Mësohet se Sonila Tafa (Dervishi), e cila punonte prej disa kohësh si balerinë në këtë lokal, ka mbetur viktimë e përplasjes që ndodhi mes disa të rinjve brenda ambienteve të lokalit. Burime nga policia bëjnë të ditur se agresori pasi është nxjerrë jashtë nga ambientet e lokalit ka qëlluar rreth 6 herë në drejtim të personave me të cilët ishte konfliktuar dhe më pas është larguar.
Sipas familjarëve të 26-vjeçares një plumb që dyshohet të ketë qenë rikoshet e ka prekur vajzën në kokë. Tafa fillimisht mbeti e plagosur dhe u transportua menjëherë në spital, por nuk arriti të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda në kokë.
Gazetari i News24 Mariglen Mërtiri ka kontaktuar me të afërm të viktimës, të cilët pohojnë se plumbi që ka shkaktuar vdekjen e saj ka qenë rikoshet. Po të njëjtat burime thonë se e plagosur mund të ketë mbetur dhe një vajze tjetër, por kjo nuk konfirmohet ende nga policia.
Vajza punonte si balerinë në pub-in "Dream City" i cili për një javë ka pezulluar punën, për të lënë hetuesit të bëjnë punën e tyre, por edhe në shenjë respekti ndaj punonjëses që ka humbur jetën. 26-vjecarja kishte mbaruar studimet e larta për Koreografi dhe prej disa kohësh punonte në këtë lokal.
Ndërkohë policia e kryeqytetit ka nisur ndërkohë hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Mësohet se policia ka shoqeruar edhe disa dëshmitarë dhe po i merr në pyetje, për të zbuluar detaje rreth ngjarjes. Momentalisht nuk ka të dhëna për autorin e vrasjes.
Ditën e sotme rreth orës 03.00 është marrë njoftim se në një lokal nate në zonën e Kasharit në Tiranë, është plagosur me armë zjarri shtetasja Sonila Riza Tafa, 26 vjec, banuese në Tiranë. Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë duke formuar grupin e posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit dhe ekspert kriminalist, me synim zbardhjen e rrethanave dhe motiveve. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti midis të rinjsh në të këtë lokal nate, ku viktima është qëlluar dhe si pasojë më pas ka gjetur vdekjen në spitalin Ushtarak në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Aktualisht nga strukturat e Policisë së Tiranës, po punohet intesivisht për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen tërësisht të kësaj ngjarje, duke mbledhur dhe administruar provat si dhe marrë në pyetje disa dëshmitarë okularë në vendngjarje. Për çdo ecuri të këtij hetimi në drejtim të kapjes së autorëve do tju informojmë sërish.- thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Balkanweb