Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372

Berisha: Koalicion parazgjedhor me LSI

$
0
0
Berisha: Koalicion parazgjedhor me LSI

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se PD-ja është e hapur për një koalicion me LSI-në, duke e vënë theksin te fakti se mes këtyre dy partive ekziston tradita e mirë e katër viteve qeverisje. Duke folur në një bashkëbisedim me gazetarët pasi prezantoi reformën ekon-omike që do të miratohet së shpejti në Parlament, lideri i maxhorancës e vlerësoi koalicionin aktual si më të suksesshmin në 20 vite demokraci.

LSI
“PD është e hapur për koalicion. LSI-ja do të shqyrtojë dhe do të marrë vendim në interesin e saj. Trashëgimia, tradita e krijuar gjatë këtyre katër viteve, është realisht pozitive. Kjo do të thotë se e bën LSI-në aleatin më potencial, më të mundshëm para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Ka një dallim këtu, zotëria (Rama) i vë kushte: kushti i parë ik nga qeveria, kushti i dytë prano taksën Koleka. Ne nuk kemi kushte, programin e kemi të ujdisur”, tha Berisha. Sipas tij, “në qoftë se unë do të isha në vend të kryetarit të LSI-së, çka nuk jam, pa mëdyshje që të parin do të vija interesin e vendit, dhe interesi i vendit është ky: LSI-ja si parti e tretë do të qeverisë me forcën politike që mund të krijojë qeverinë. Trashëgiminë e qeverisjes e ka me PD-në. Me PS-në dihet se si funksionon. Dihen që marrëdhëniet me Ramën janë të karakterizuara nga një pabesi ekstreme e tij”.

Aleatët e tjerë
Duke folur për partitë e tjera me të cilat do të dalë në zgjedhjet e 23 qershorit, Kryeministri Berisha renditi demokristianët e Nard Ndokës, LZHK-në e Dashamir Shehit dhe PDIU-në e Shpëtim Idrizit. “Me LSI-në jam në qeveri, me PBDNJ-në kam qeverisur dhe kam historikun e bashkëpunimit me të si një parti e lirive dhe të drejtave njerëzore. Nuk shoh asnjë lloj problemi, përkundrazi, të dy janë aleatë: PBDNJ-ja në potencial, LSI-ja reale”, tha Kryeministri.

Lista e PD
Kryetari i PD-së tha se në kohën e caktuar do të vendosë për listën e partisë së tij në zgjedhje. “Unë nuk po paraqes deputetë, po merrem me programin dhe reformat. Çështjet e tjera i bëjmë transparente në kohën e duhur. Lista do të ketë, siç është në traditën e kësaj force, ripërtëritjen e vet në shkallë të caktuar, por kurrë me prerje kokash. Ne nuk jemi parti e prerjes së kokave, e karshillëqeve armiqësore me njëri-tjetrin. Unë mbetem i detyruar ndaj çdo veprimtari që ka dhënë kontributin e tij këto 20 vite”, tha Berisha. Duke u ndalur te opozita ai mori si shembull rastin e Asllan Dogjanit për të treguar se si po i trajton Rama deputetët e tij. “Kur ia preu kokën deputetit të Kukësit, imagjino kokën e Braçes, që nuk e llogarit fare. Pastaj del e thotë në Facebook që jam ndier keq. Nuk e ke të keqen nga unë, por nga kryetari yt. Gjeti Celibashin që tha se kam dy vjet që hezitoj të bashkohem me PS-në, për t’i prerë kokën Ruçit. Kjo është një politikë terrori mbi deputetët”.

“E vërteta e fotove të Frrokut me policët”
Kryeministri Sali Berisha ka folur dje gjithashtu edhe për foton e publikuar pak ditë më parë mes të akuzuarit për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, Arben Frroku me funksionarët e lartë të Policisë. Sipas liderit të maxhorancës, kjo foto është bërë dy vjet më parë, kohë në të cilën Frroku ishte edhe presidenti i një skuadre futbolli. “Nga informacioni që kam unë, fotoja është e një kohe më parë. Nuk kam qoftë edhe informacionin më të vogël se ky zotëria ka pasur aktivitet kriminal. Ky ka qenë presidenti i Tërbunit. Do t’i them unë Nikolinit se pse rri me presidentin e ekipit të futbollit të Pukës? Nuk ia them unë”, tha Berisha. Sipas tij, “Ministria ka një hetim, dhe ky hetim do të zbardhë gjithçka nëse ka lidhje që s’duhet të ketë apo jo. Po të niseshim nga fotot, Edi Rama del jo anëtar, por kryetar i Hakmarrjes për Drejtësi. Në qoftë se mediat kapin një foto që e gjejnë me njeriun që akuzohet për vrasje të bërë dy vjet më parë dhe e paraqesin si argument për të akuzuar Policinë, siç bën Rama, ajo është e turpshme. Ishin po ata të cilët e shpallën të akuzuar kryesor atë”.


Burimi: Panorama

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>