Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24373

Nexhat Hakiu

$
0
0
POEZI NGA NEXHAT HAKIU
(1917-1978)


Nexhat Hakiu u lind në Vlorë më 1917 në një familje me tradita patriotike. Ai ishte një poet lirik i viteve ’30-40 dhe botoi me pseudonimet Ali Dervalla e Nexhat Mahmut Hakiu. Publikoi në shumë organe të shtypit të kohës. Pas hedhjes së bombës në Ambasadën Ruse filloi persekutimi ndaj tij duke e akuzuar se nxiste rininë në disidencë. Në fund të viteve ’50-të, arriti të botojë librin: “Këndoj”, më pas “Zëri i fyellit”, 1959; “Fjala ime”, 1961; “Një lule mbolla”, 1973; “Në garë me stinët”, 1977.
Vdiq në Tiranë në moshën 61 vjeç, më 1978.
Një poet që mbeti deri në fund poet. Lirik në shpirt, lirik në këngët që këndoi. Nexhat Hakiu debutoi në poezinë tonë nga mesi i viteve '30. E nisi me atë grup vjershëtarësh të rinj, që hodhën hapat e parë nën ndikimin marramendës të poezisë së L.Poradecit. Të gjithë pothuaj u bënë lasgushianë, epigonë të tij dhe askush nuk arriti të krijojë individualitetin e vet. "Përjashtim do të bënte vetëm Nexhat Hakiu, i vetmi nga shokët që do të fitonte emër në poezinë shqipe të kohës me zërin e tij origjinal", shkruan Nasho Jorgaqi, që ka mbledhur dhe redaktuar krijimtarinë e tij. Nexhat Hakiu kish lindur në Vlorë më 1917, ku kish kryer dhe shkollën tregtare, prej nga dolën dhe shkrimtarët e ardhshëm Sh.Musaraj, P.Marko e A.Varfi. Pasi studioi në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut, punoi si gazetar e më vonë u bë mësues i letërsisë në shkollat e Tiranës.
Ndoshta rastësi, por ne u rritëm në të njëjtën shtëpi, rrëzë kodrës së Budakut, ku sot ndodhen varrezat e dëshmorëve. Babai e bleu atë pas lufte. Vonë mora vesh se Nexhati ishte rritur aty. Shtëpia qe e rrethuar me mure të lartë. Dikur duhet të kenë qenë saraje me pallate të larta. Dukej të ishte djegur me dhjetëra herë, sepse nuk mbaronin shtresat e hirit dhe të tjegullave të thyera. Qe e mbushur me pemë të rralla e plot mistere: cisternë uji për kohë rrethimesh, një pus i thellë me ujë të ftohtë e të kulluar, qypa të mëdhenj, çibukë balte të pjekur, që ndoshta përdoreshin për nargjile, strehime të nëndheshme për raste bombardimesh. Unë shpesh fshihesha aty, mes lakuriqëve të natës, dhe fantazoja, gjë që padyshim e ka bërë në fëmijërinë e tij edhe Nexhati.
U rritëm në të njëjtën shtëpi, por pa e njohur njeri-tjetrin... Ndaj me respekt të thellë po i botoj këto poezi që i gjeta me vështirësi, sepse nuk kam asnjë nga librat e tij...


PESHPERITJE VJESHTE


Ja po piqet, mike, rrushi
deg' e pjeshkës më një thyhet,
t'i ka zënë faqet pushi
edhe gjiri po të fryhet ...

Eja, mike, bashk të bredhim
Erdhi koha që t'i mbledhim:
Un’i zgjedh ti i këput
Ca në dorë e ca në futë.

Në se degët nuk arrin,
Do të kap, moj, mu në mes:
Të të ngre, moj, mi peqin
Me një zemër; me një shpresë.

Kokrrat fshehur nëpër fletë
Hajt i mbledhim më nuk rriten,
Eja, mike, se un' vetë
Ti këpus kam frik' se vriten!

"Këngët e Zambares" - 1939


MADRIGAL


Prapa drrasash ther e kalbur, gojën pash të përgjëruar
Kur po çelte e zilepsur afshe gazi mirësie,
U thethiva i mahnitur se në buzn' e ngashëruar
-M’u duk zemra - kur më fale një përshtypje miqësie.

Në të çarat, nëpër vrymat t'asaj portës mykur tënde,
Pash dy syt' e tu që nxinin të groposur, të brengosur.
Dhe me zi pash këmb't e zbathur që po shkelnin n'ato vende,
Ku, mes drrasash thyer e kalbur, po më fshihe e rreckosur...

Mos vallë turp ka dashuria që soditë fshehtësinë,
Apo druhe se je veshur me një zhele të arnosur?
Hape portën, vajz'e vrerit, nuk përbuzë varfërinë,
M'a do xhani pranë teje që çdo breng' të ketë sosur.

"Përpjekja shqiptare" - mars 1937


VITIT TË RI


Prag më prag duke trokitur ndezë mallin dhe kujtimin
Sa i rëndë dhe me ngadalë!
Falë shpresa më të reja duke zbutur zemërimin!
Zemërdjegurit me fjalë,
1 freskove zagushinë (kur për ty uroi çupa
Kur të priti me të tok...)
Qeshi buza, zemra deshi pranë mikes të ngre kupa,
Miqësia: shoqe-shok.
E mallëngjyer prapa krahësh me ca lemza u lëndua;
Dhe porsi bashkim i mitur
U fjalos me sytë e vakët, me një qeshje u kuptua,
Por më pas si e koritur
Vesh më vesh zu pëshpëriti një përrallë të harruar,
Një përrallë të paditur:
Jetë e bukur je e kremte, jetë je për t'u kremtuar!

"Përpjekja shqiptare" - janar 1938


STINËT E TUA


I
Ngrohen gjethet, shkrihet vesa,
Çelen gonxhet ndaj agimi
Si çel malli nga kujtimi
Larg mikeshës ku lind shpresa.

Mallin mike ta këndova
Të pash vetëm moj në sy
Prushin tënd e flakërova
Mall' i kohës, mall për ty.

Më shiko, moj sy mushqerre
Mes qepallash pika loti,
Vashë - vashëzo pranvere
Çelu, moj, si çelet moti!


II
Zë e bën një vap - e madhe
Zë fryn afshi në livadhe
Verdhërojnë male, fusha,
Ndizen gjokse, ftohen gusha.

Dil, mikeshë, mos rri brenda
Nuk sheh shoqet si jan' turrur?
Gjoksin hapur, leshrat çthurur
Nëpër hijet u ka ënda.

Buzëqeshmë se më there
Drejt qepallash pika loti,
vashëzo, ti vashë vere
Çelu, moj, si çelet moti.


III
Verdhëron mbi bar kalliri
Ndrin në gusha dhe floriri,
Ndizet malli mikja ime
Kur lind shpresa me kujtime.

Të pëlqeva në të ndritur
Të këndoj moj në të rritur,
Po kam frikë, vashëzo,
Në më njeh e në më do.

Eja afër moj bajrake,
Pranë qepallash pika loti,
Vashë - vashëzo vjeshtake
Çelu, moj, si çelet moti.


IV
Zë e bën një ftomë e madhe
Fshihet gërxhes një sorkadhe,
Ndizet malli i gjahtarit
Për planozat e beharit.

Dridhet bura pa do ngrohur,
Ndizet zemra, pa do ftohur
Mblidhet fshati - do fërkuar
Edhe qafa përqafuar.

Përqafomë shënllazore
Se kam ngrirë prej së ftohti
vashëzo, moj dimërore,
Çelu moj, si çelet moti!

"Këngët e zambares", korrik 1939


-----------------------------------------------------------
(1) Planoze - zog që mbahet në kafaz për të ndjellë shpezët e tjera



Ç'ËSHTË DASHURIA


Ti nga gazi, nga mërzia
Pyet ç'është dashuria
Por ajo nuk ka fytyrë,
Nuk ka tingull, nuk ka ngjyrë!

Ajo s'ndihet as me fjalë,
Vjen e fshehur dhe ngadalë,
Vjen një herë' e prap s'e njeh
Brenda zemrës ti s’e sheh!

Po t' ish lule, fshehur barit,
Do këputesh, do të thahesh,
Po t'ish perlë, fij’ e arit
Do rrëmbehesh, do të ndahesh;

Po t'ish zog, do të vajtonte
Brenda zemrës në kuvli,
Ta liroje, do këndonte
Larg nga ty, nga çdo njeri!
S'është lule për në fushë,
S' është perlë për në gushë,
S'është as zog për në kuvli:
Ajo zemrën ka shtëpi....

Ja se ç'është dashuria!
Ësht' a s'është nuk e di,
Por un' di se lumturia:
Nuk është vetëm dashuri!


ZEMRA NË AKANT


Merrni zemër kush do zemër!
Ej, ju vasha, doni zemër
E kish marrë lozonjarja
Nga kraharor' i një poeti!
E si mund ta mbante zemrën
Me tallazet e një deti
Lundr' e thyer, pëlhur’-çjerrëe,
Pa timon e kiç të shtrembër?

Po bërtet përsëri kasneci
Se në dorë zemra i ngeci:
Ej ju vasha, doni zemër?
Kjo nuk shitet, as nuk blihet,
Kini zemër, o ju vasha,
Se me zemër kjo shkëmbehet!

Është zemra në furtunë,
Është zemra e një poeti
Që përplaset në shkëmbinjtë
Posi vala e një deti!…

Ja kasneci çirret prapë,
Se një vashë pas tij u kap:
Merre zemrën, merre zemrën
A dëgjove ti moj vashë?
Jepet zemra e një poeti
Që gufohet posi deti!
A dëgjove ti moj vashë,
Se të dhimbsur ty të pashë,
Merre zemrën merre jetën,
Është mall'i një poeti!…

Prap' kasneci po bërtet,
Se asnjë nuk qaset vetë:
Është zemra e një poeti
Që gufoi posi deti,
Posi vala që lë valën
Dhe lëkundet me tallas,
Kur mbi ranë vjen e ikën,
Le guaska, shkumë pas,
Merre zemrën, merre jetën,
Esht' dëshir' e një poeti!

Po kasneci ra në hall,
Kush për zemrën pyet vallë?
Qeshnin lozonjarët, qeshnin
Vinin dorën përmbi buzë,
Porse zemra s'mund të lidhet
As me fjal' as me tërkuzë,
Ajo hidhet e përdridhet,
Kërkon zemër, ngashëren
Dhe thesarët porsi deti
I mban brënda s'i rrëfen!

Ja kasneci mbet' i ngjirrur
Po nje nën' i pati thirrur:
- Ej, kasnec, zemër' e poetit
S'jepet kurrë me pahir,
Falma mua se më ngjan
Porsi zemra e tim bir!


TOKA FLET.....


Gryk'e malit po gjëmon,
zemr'e fushës po rënkon:

-Të kam dhënë pyje plot,
grur e misër, pem' e lule,
ç'paska ngjarë që ti sot
mua zemërën ma çkule?

Foli mali, foli fusha,
u drodh lisi dhe gëmusha!

-O poet, mos fol përçartë,
penda jote flet mbi kartë,
s'mund të flasë, jo ky dhe,
ëndërro, po mos gënje!

-Për agimin e lirisë,
për mëngjezin kur kam lindur,
për një lot të dashurisë,
flet vërtet' e jam e bindur!-

U betua ky poeti,
fjal'e tij plot zemra gjeti...

Un'e dija se tërmeti
e bën tokën që të flasë,
nga rrëmuja nga rrëmeti:
gjiri nis që t'i buçasë,
po ç'po shohin syt' e mi
tundka tokën një njeri?

Ç'pon me sonda, me tyrjela,
pistoleta, hedh çengela,
çan shkembinjtë me dinamit,
i thotë tokës: "Dil, të dal"
mali: fushë, fusha: mal!

Mali bëhet fushë,
fusha bëhet mal,
si gjerdan në gushë
barin shoh të dalë..
Gjethe, gjelbërim,
lule bojalli
mbushin vendin tim...

Tok' e çarë nxorri ar,
ar të zi si katran:
shatërvan që spërkati
lulet pranë..

Pranë shatërvanit
mbijnë lulet përsëri
cirka-cirka kuq e zi!

Ngjyr' të zezë nëpër lule
s'kam dëgjuar, nuk kam parë,
qëkur zemrën ti ja çkule,
ndroi toka rrënje'e farë!

Sa e bukur: kuq e zi,
lulja mbin pran' arit zi,
sepse ari, ar'i zi
ësht' si nata plot yllsi,
porsi nata që dha ditën,
ar'i zi na fali : Dritën!


NJË RE E BARDHË



Një re e bardhë qenar- praruar
e zuri diellin,
po rrezet prapë puhia shpejt
do t'i zbulojë...
Do zhduket reja nga sytë tanë
vërdallë qiellit
te Rrug' e qumshtit, ku prap' sputniku
diç do kërkojë....

Sputnik po t'isha përveç në qiell
për të kërkuar,
do të kisha zgjedhur kraharorin tënd
krijes- njeri!
Atje do kishte me mijra gjëra
për të zbuluar,
atje një botë mban të panjohur :
Zemra-çudi!


Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, janar 2009)

Fotografitë e Bashkëngjitura
Lloji i Skedarit: jpg Nexhat Hakiu.jpg (3.6 KB)

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24373


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>