SAZAN GOLIKU
(tregim)
UJI I RRAHUR OSE AKSIONI ZERO
Bursa e qytetit atë mesdite korriku të tejnxehur të kujtonte foletë e grenzave në prag të shpalljes së luftës. 924CP663G, 013AD109R, 978LD125V... - përplaseshin në ajrin që nuk arrinte të freskohej nga ventilatorët gjigant mbi kryet e bursistëve e të lloj-lloj biznesmenësh.
-Këlysh kurve! Mu zhduk nga sytë! Mos mu afro se do të të vras! u çorr në celular në veshin e Danit zëri i shefit të tij, Markut.
-Në të sat ëme vafsh! Të dhjefsha në rrogën tënde! shpërtheu Dani duke përfytyruar turinjtë e çmeritur të shefit.
Agjenti Dan doli nga salla e bursës sa i befasuar aq dhe i pezmatuar; i hipi Tigrit dyvendësh, ndërsa duart shtrënguan fort me nervozizëm timonin, i dha mbrapsh makinës, për të dalë nga rreshti i makinave, por çiku parakolpin e një Benzi. Dreqi e mori shfryu, rrotulloi timonin, rrotat vërshëllyen, cijatën dhe Tigri u hodh në autostradën 15. Një therje e mprehtë e stomaku, që e provonte sa herë i kërcenin nervat, e bëri ti kërcasin dhëmbët.
E shoqja iu shfaq në celular me fytyrë të thartur.
-Ke harruar të sjellësh piper të kuq të markës...
-Kam harruar dhe veten.
-Pse? Fytyra e gruas u ëmbëlsua.
-Ai qeni buldog më pushoi...
-Punë e madhe...
Fytyra e gruas nisi të rridhte dashuri.
-Po pse pikërisht sot? Për të na prishur këtë fundjavë? Varja...
-Gjithmonë do të gjendet një shkak me të heqë qafe.
-Fajin e ke vetë që sia ngrefe të shoqen, atë piperin e zi.
-Broçkulla! Ke pirë me mëngjes?! Unë kam vetëm ty dhe veten. Ende se ke marrë vesh që jam qeni yt besnik?!
Fytyra e saj u zymtua.
-Je kalama i pandreqshëm.
Tigri po rrëshqiste si në gjalpë me 100 km në orë dhe syri i majtë i Danit kapi vijën e kaltëreme të detit dhe rërën e bardhë të Plazhit të Derrave të Zinj. Këtu e ka vilën shefi, do tia them dy fjalë tha me vete, por nuk mendoi se çfjalë do ti thoshte, vetëm frenoi para një tabele, rrotulloi timonin dhe u fut në rrugicën e plazhit.
Trokiti në derën e jashtme të vilës. Koka po i ziente. Asnjë përgjigje. Uli dorezën dhe hyri duke rrotulluar sytë. Spaska njeri psherëtiu, kur nga një derë gjysmë e hapur përballë dëgjoi: -Kush je?
Ai u afrua dhe pa shtrirë në vaskë të mbuluar nga shkuma, Dianën, gruan e shefit.
-Jam unë, Dani, -foli gati i hutuar.
-Mirë që erdhe së fundi, -foli Diana pa e kthyer kokën.
-Dua të takoj Markun...
-Pse je dhe gej?
-E ke gabim e dashur. Kam një punë të vogël me të.
-Eja mbaro këtu punën e madhe me mua, pastaj ka kohë për Markun, -tha me shpoti përkëdhelëse Diana dhe u çua vrullshëm më këmbë.
Bukuri e çmendur, vetëm kaq mundi të shkrepëtijë në tru të Danit, ndërsa shkuma dhe uji nisën të rridhnin verbueshëm mbi lakuriqësinë e saj.
-Ende nuk je zhveshur?
Ëmbëlsia e zërit të saj e bëri fytyrën e Danit të ngjashëm me të luanit para se ti hidhet viktimës së radhës, po, duke hequr këmishën, pa e ditur dhe vetë çpo thoshte, mezi shqiptoi: -Ja sa të bëj një dush...
-Uji i vaskës sime është më i pastër se i banjës, -i tha ajo duke ia ngulur sytë trupit të Danit, një kurm i bardhë e muskulor si prej atleti maratonist.
Melodia e celularit të Danit nga opera Traviata e Verdit Të pimë me gota të arta u erdhi të dyve si pickush nervash. Diana u turr mbi Danin, i rrëmbeu nga xhepi celularin, e mbylli dhe e përplasi në tokë.
Vetëm uji i rrahur i asaj vaske mund të rrëfej çpësoi nga beteja erotike e atij çifti, i cili kishte ëndërruar prej kohësh atë bashkim të rrufeshëm nënujor e mbiujor.
Pa arritur ende në oborr, Markut i zuri syri Tigrin e Danit. Paska ardhur të më vras tha me vete i lemerisur. Mbylli pa zhurmë derën e makinës së tij, një Ford2020 i madh i kuqërremtë. Shkeli me ecje lepuri një rresht me tulipan përgjatë murit të drunjtë të shtëpisë, doli në pjesën e pasme. Befas nga dritarja e hapur e banjës dëgjoi klithje, rënkime, murmurima...
Zot, po e mbysin! Kërceu po me hedhje lepuri deri te makina dhe, duke u dridhur, hapi celularin.
-Alo, policia? Këtu po bëhet masakër!
Pasi i shpjegoi ngatërrueshëm zërit qe erdhi nga stacioni i policisë se kush ishte dhe ku ishte, Marku mbeti si i ngrirë. I dukej sikur një tufë minjsh i brenin në çast çdo mendim që sa i pluskonte.
Kur Bora, e shoqja e Danit i ra numrit të celularit të tij dhe ai u mbyll, asaj i shkoi mendja se Dani do të ketë shkuar te Marku për tu hakmarrë. Ajo e njihte mirë gjaknxehtësinë e të shoqit.
Vetura TZ e Borës frenoi me vërshëllimë, u rrotullua në vend, ajo doli vrullshëm nga makina dhe iu turr Markut që qëndronte si stalaktit para makinës së vet.
-Çka ndodhur Mark?
Atij i kishin rënë syzet në majë të hundës. Sytë miop i puliste pa ndonjë shprehje. Nuk nxori zë vetëm drejtoi dorën e djathtë kah dera e vilës.
Marku ishte burrë i ndershëm, me moral zyrtar të pacenueshëm. Kolegët e tij, si eprorët, si vartësit, nuk e kanë marrë vesh kurrë si e ka vënë atë pasuri që ka si financier. As Diana, bashkëshortja e tij, për të cilën gojët e liga shpifin herë-herë, nuk i kishte zbuluar kurrënjëherë zullumet e tij me femrat larg shtëpisë. Pra, ndershmëria e Markut si qytetar dhe i krishter i mirë nuk vihej në dyshim.
Sirenat e makinave të policisë që mbushën oborrin sikur e përmendën Markun. Bora vuri duart në mes e nuk dinte çtë mendonte. Policët, sipas gjithë rregullave, rrethuan vilën. Katër prej tyre shkelmuan me elegancë derën e jashtme dhe me armët automatike në duar hyn brenda. Asnjë zhurmë. Heshtje e dyshimtë. Vetëm një nga policët teshtiu. Shefi i policisë, një trupmadh me bark të rrumbullakosur dukshëm, si e gjithë shefave të denjë për detyrën e tyre, qëndroi te dera e banjës. Shekspiri flet për kafshën me dy kurrize diku te Otelloja, por Diana e Dani të shtrirë brenda vaskës dukeshin si një letër bixhozi, po jo lart e poshtë si nuse nuse ose derr derr, po si nuse derr.
Shefi i policisë me duart në mes po mendohej çfarë të thoshte sipas ligjit. Marku, që kishte hyrë i fundit pas policëve, po i shihte kriminelët përmes trekëndëshit që kishte formuar krahu i djathtë i shefit. Dyllë e verdhë në fytyrë Bora po shqyente sytë, duke parë përmes krahut të majtë të shefit.
Diana, ashtu e shtrirë në vaskë, ktheu kokën, dalloi Markun mes policëve dhe i foli me një qetësi cinike sikur të ishin vetëm në dhomë: -A e di atë fjalën proverbiale të Hiçkokut?
-Jo, -puliti sytë Marku, duke harruar për një çast situatën ku ndodhej, por kam parë filmat e tij.
-Filmat i ke parë për vete, kurse këto fjalë, -vazhdoi Diana, -i ka thënë për ne. Dhe ngriti zërin sikur po recitonte poezi me ritëm: -Ekziston vetëm një zgjidhje për martesën pa dashuri, kjo është dashuria pa martesë. Dhe unë, mor zotni, kam bërë zgjidhjen time.
Bora shkoi dhe u var pas supit të Markut, e shtrëngoi fort sikur donte ta mbronte nga shigjetat e fjalëve të Dianës. Pasi mori frymë thellë dhe i hodhi dorën rreth belit Borës, Markut i erdhi zëri i plotë, ngriti syzet e arta me gishtin tregues dhe tha me ton teatror: -Secili në rrugën e fatit të vet!
Policët kishin mbetur stop-kamera, vetëm sytë i hidhnin te njëri-tjetrin. Gati tu shpërthente një qeshje e papërmbajtur.
Një gju i Dianës doli mbi ujin e shkumëzuar. Sytë e Danit shtangën mbi të se pandehu se ajo do të nxirrte shalët jashtë. Porse Diana e shtriu këmbën dhe, duke e parë me bishtin e syrit shefin e policisë i tha me një zë përkëdhelës: -Dani është vizitori im. Atë e thirra unë...
-Po burri juaj... -e ndërpreu ai.
-Ju lutem, më lini të qetë në shtëpinë time, ndryshe do tju akuzoj për dhunim banese dhe... Im shoq, po të ketë ankesë, le ta dërgojë në gjyq.
Bora doli përpara shefit të policisë me duart në mes.
-Dan, -iu drejtua të shoqit me zë të lartë sarkastik, -po e festoke bukur përzënien nga puna!
Diana ia përmblodhi aty për aty po me atë zë: -Jo moj zonjë e llastuar, Dani po feston emërimin si kryeadministrator në firmën time Ndërtime të Lira!
Dani ktheu kokën nga muri sikur po ndiqte fluturimin e një mize.
Bora u gëlltit sikur kapërdiu një llomkë qulli të nxehtë dhe gjaku i vërshoi në fytyrë sa e bëri të dukej si spec i kuq djegës. Kapi me forcë Markun për krahu dhe doli si e ndërkryer nga vila.
Tashmë Dani e kishte harruar dhimbjen e stomakut.
Shefi i policisë u shkreh; hapi krahët, krijoi në fytyrë një si buzëqeshje domethënëse dhe, kundër dëshirës së tij, foli si në teatër:
-Perdja ra si komedi.