Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372

Islami dhe liria

$
0
0
Liria është një fjalë e bukur, e cila në vete ngërthen kuptime të pasura dhe fisnike. Ajo do të thotë dlirësi dhe pavarësi njëkohësisht. E kemi njeriun e lirë, që është e kundërta e robit. Poashtu kemi ujë “të lirë” nga fëlliqësirat. Kemi kalë të lirë nga defektet dhe të metat. Arabët e përdornin shprehjen “grua e lirë” duke i’u referuar grave fisnike (me prejardhje fisnike). Për këtë shkak Hindi i tha Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, “A do të gjykohet një “grua e lirë” për zina?”.

Disa njerëz të urtë kanë thënë se person i lirë është ai i cili i shkëput prangat e dëshirave (epsheve) të veta. Po kështu ka thënë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, “I shkatëruar qoftë robi i dirhemit.”

Disa njerëz nuk e kuptojnë lirinë veçse si diçka të kundërt me robërinë. Kjo është mënyra më e thjeshtë dhe më e qartë për ta kuptuar këtë fjalë, si dhe më univerzale që njihet te kulturat e ndryshme. Grekët, Romakët dhe Kinezët, të gjithë kishin robër (skllevër) të cilët i malltretonin sikur të ishin të pa shpirtë. Dallimi i tyre ishte në atë se a lejohet të vritet robi pa arsye, si dhe a lejohet që të ulesh e të hash bukë me të. Shpeshherë robët janë konsideruar si të papastër deri në atë shkallë, saqë edhe përshendetja për dore me ta konsiderohej një gjë e neveritshme.

Këto ideja në të shumtën e rasteve janë shoqëruar me një pamje fizike të caktuar, edhe nëse ai individ në të vërtetë nuk ishte rob. Në disa vende të botës ka mbisunduar ideja se ngjyra e zezë do të thotë skllevëri. Racizmi i cili doli nga kjo ide edhe sot e kësaj dite ka ndikim. Po, shumë vende kanë ndryshuar dhe kanë deklaruar barazinë për të gjithë qytetarët, por ideja të tilla racizmi ende ekzistojnë në zemrat e shumë njerëzve. Ne ende e shohim se zezakët në ato vende janë sektori më i prapambetur dhe më i anashkaluar i shoqërisë.

Fjala “liri” ka fuqi që të kumbojë në zemrat tona. Në natyrën tonë, si qenie njerëzore, është që ta duam dhe ta kërkojmë lirinë. Poashtu këtë ndjenjë e kanë edhe disa krijesa tjera. Nëse ja mbyllë derën një maceje, do ta shohësh se si mjaullin dhe e gërvishtë derën. Pastaj do ta shohësh se si mundohet që të gjejë ndonjë mënyrë për të ikur. E njejta gjë mund të thuhet për një zog, i cili është mësuar të fluturojë lirisht. Nëse e mbyll në kafaz, do të vërejsh te ai shenja të tendosjes dhe depresionit, e ndoshta edhe do të ngordhë për shkak të robërisë. Siç ka thënë një poet:

Edhe pse mund t’ia këpusësh krahët zogut

Natyra e tij ende vuan për të fluturuar

Burgosja është dënim pikërisht sepse e anulon lirinë e një personi. Gruaja e Mbretit të Egjiptit iu kërcënua Jusufit [a.s] se do ta burgoste, duke thënë: “...Po qe se nuk bën çka e urdhëroj, ai gjithqysh do të burgoset dhe do të nënçmohet”. [Jusuf: 32].

Megjithëse burgu është izolim për trupin, jo çdoherë ndodhë e njejta gjë edhe me shpirtin. Për disa të burgosur fatlum, shpirtërat e tyre janë të lirë dhe ata e shfrytëzojnë këtë kohë për mësim, studim, meditim dhe adhurim.

Meqenëse liria është aq koncept i bukur të cilit i përgjigjen të gjithë njerëzit pozitivisht, ajo shumë herë keqpërdoret për qëllime të këqia. Për shembull, në emër të lirisë, Sh.B.A.-të e sulmojnë një shtet paqësor dhe vrasin mijëra njerëz të pafajshëm, shumica e të cilëve nuk e posedojnë as një deve të zgjebosur. I gjithë populli është i dënuar për një krim të cilin nuk e kanë bërë. I njejti shtet luan dhe tallet me konventat internacionale, për krijimin e të cilave vet ka kontribuar.

Në emër të lirisë, njerëzit, zemrat e të cilëve janë të sëmura, i shkelin vlerat morale dhe vlerat e besimit. Ata e ofendojnë Zotin, Pejgamberët dhe besimin e shenjtë të shumë njerëzve. Këtë e shohim për çdo ditë nëpër media dhe në internet. Një sjellje e tillë e papërgjegjshme është e neveritshme, bile edhe për shumë prej pabesimtarëve. Nuk mund të paramendohet që një njeri i ndërgjegjshëm të sillet në një mënyrë të tillë jorespektuese.

Liria nuk do të thotë se ne kemi të drejtë të shpikim gënjeshtra ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve. Ajo nuk do të thotë se ne kemi të drejtë t’i shtrembërojmë fjalët e të tjerëve dhe ta përgënjeshtrojmë të vërtetën. Ajo nuk do të thotë se ne mund t’i ofendojmë njerëzit, t’i sulmojmë dhe t’ua marrim të drejtat e tyre. Liria nuk na jep të drejtën që ne t’i malltretojmë të tjerët apo t’i keqtrajtojmë në bazë të racës apo statusit social të tyre. Ajo nuk na jep të drejtën që ne të reagojmë në çdo thashetheme të paverifikuar, apo të fusim ankth dhe frigë në shoqëri.

E vërteta është një kusht për lirinë. All-llahu [s.v.t] thotë: “Ne ua ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejt vetes, dhe ishte i padijshëm.” [Ahzab: 72].

Me plotë të drejtë mund të pyesim: Sa mëkate dhe vepra të fëlliqura janë bërë në emër të lirisë?

Koncepti i lirisë

Koncepti i lirisë është me të vërtetë një koncept i pasur. Liria është një vlerë e shquar njerëzore. Qenia njerëzore posedon intelekt, i cili ia jep mundësinë që të veprojë në bazë të mençurisë së tij, e jo thjesht vetëm në bazë të instinktit. Liria përfshin abstenimin nga dëmtimi ndaj të tjerëve. Shpesh herë njerëzit i nënshtrohen tiranisë dhe shtypjes së disa njerëzve. Shpesh herë të dobëtit janë viktimë e më të fuqishmëve.

Ne duhet ta bëjmë një pyetje: Cilët janë faktorët të cilët e kufizojnë dëshirën individuale?

Faktori më evident është një autoritet i jashtëm, i cili i dikton personit se çka ai mund të veprojë apo të flasë. Është e qartë sa shumë kjo gjë ia kufizon lirinë atij personi. Sepse në vend që ai person ta thotë atë që e mendon, ai duhet t’i shpreh mendimet e të tjerëve. Ky është rasti kur një person është i kufizuar dhe nuk mund të shijojë liri të vërtetë.

Në ligjin islam, ekziston autoriteti më i lartë i cili ua garanton njerëzve lirinë e tyre në parametrat e caktuar nga All-llahu. Në këtë mënyrë, fuqia ekzekutive e Shtetit Islam është e kufizuar, e assesi nuk është absolute.

Nëse shikojmë në strukturën e Ligjit Islam, do ta shohim se ai u ofron të dyve, individit dhe shoqërisë, shumëllojshmëri të zgjedhjeve. Territori i hallallit në Islam është më i gjëri prej të gjithëve. Territori tjetër më i gjërë është ai që ka të bëjë me ato vepra të pëlqyera apo të urryera. Territori më i ngushtë është për ato vepra që janë të ndaluara apo të urdhëruara.

Autoriteti i jashtëm është mënyra më e qartë e kufizimit të lirisë, mirëpo ka edhe faktorë tjerë të cilët e kufizojnë lirinë. Normat dhe zakonet shoqërore, për shembull, e kufizojnë një individ, disa herë duke e ndaluar që ta thotë apo ta vepron atë që ështe e drejtë. Kjo është një situatë e zakonshme. Të gjitha shoqëritë, qofshin muslimane ose tjera, kanë norma, zakone dhe tradita. Këto zakone nuk janë gjithmonë korekte, e në shoqëritë muslimane, ato nuk janë gjithmonë në pajtim me mësimet e Islamit. Sidoqoftë, këto tradita kanë një efekt detyrues në individët e asaj shoqërie, duke e ndaluar jo vetëm sjelljen e lirë, por edhe të shprehurit haptazi dhe studimin objektiv të rrethanave.

Çdo person duhet t’i përshtatet deri në një shkallë apo tjetër shoqërisë apo një sektorit të shoqërisë të cilët e prezentojnë standardin. Sidoqoftë, kjo nuk e përjashton mundësinë që një individ të luaj rol dhe të ndikojë në ndryshimin dhe reformimin e shoqërisë.

Ekziston edhe një lloj i caktuar i faktorëve të cilët kanë efekt në kufizimin e lirisë së një individi. Këto janë cilësitë e brendëshme të atij personi, duke përfshirë ndjenjat, kuptimin konceptual dhe veçantitë e tij. Disa herë personi nuk është i vetdijshëm se si këto faktorë kanë efekt dhe ndikim në sjelljen e tij, disa herë në kundërshtim me dëshirën e tij.

Selefi (gjeneratat e para) këto faktor i quanin epshe apo dëshira të fshehta. Personi në brendi të vet ka një nxitës të fuqishëm, për të cilin mund edhe të mos jetë i vetdijshëm. Ato ndikojnë në të folurit, veprat dhe mendimet e atij personi. Ato ndikojnë në pikëpamjet e tij, për të cilat kujdeset më shumë. Më të thjeshtat prej tyre kanë të bëjnë me strukturën e tij fizike dhe emocionale. Ato i përfshijnë edhe faktorët si fuqia apo dobësia trupore, dhe natyra e butë apo e vrazhdë. Pastaj futen në lojë faktorët kulturor dhe eksperienca personale, si dhe edukimi i atij personi.

Ibën Tejmijje [rahimehull-llah] duke e shpjeguar suren “Alek”, përmend se një person mund të ketë nishan në trupin e tij, për të cilin nuk është i vetdijshëm, thjesht për arsye se është i vendosur në shpinën e atij personi, apo në një vend në të cilin ai nuk mund të shikojë në mënyrë direkte. Ngjashëm, janë disa aspekte të personalitetit të tij të cilat mund të kalojnë pa u vërejtur, edhe pse këto aspekte mund të kenë ndikim të konsiderueshëm në sjelljen e tij. Ai mundet, pas një shikimi të gjatë dhe të kujdesshëm në brendinë e tij, që t’i hetojë disa nga këto veçori. Edhe pas vërejtjes së tyre, ai mund të mos jetë në gjendje që t’i tejkalojë ato tërësisht, por ai duhet që, deri në një shkallë, t’i vendos ato nën kontrollin personal dhe t’i kufizojë ndikimet e tyre të padëshiruara.

Sedad Ibën Ausi një herë ka thënë: “O ju mbeturinë e Arabëve! Nuk frikësohem për ju nga asgjë tjetër, veçse nga dëshirat e fshehta.”

Një nga këto dëshira është tendenca për të kërkuar udhëheqësi. Personi në natyrën e tij është i drejtuar drejt dëshirës për famë dhe pozitë. Kjo mund të ndikojë në vendimet dhe mendimet e tija, mund t’ia korruptojë sjelljet dhe t’ia ndryshojë qëllimet, edhe pse ai mund të mos jetë i vetdijshëm plotësisht se një motivim i tillë ekziston.

Prandaj, një shkallë e lirisë që personi mund ta arrijë është që të përmbahet nga të vepruarit në bazë të epsheve. Kjo ndonjëherë quhet liri morale, sepse personi i cili e posedon atë sillet në mënyrë të ndërgjegjëshme në pajtim me logjikën e shëndoshë dhe principet e konsideruara mirë nën drejtimin e ndërgjegjes së tij. Një vepër e lirë patjetër duhet të bazohet në gjykimin dhe logjikën e shëndoshë, e jo në epshe.

Mund ta shohësh një person i cili i vepron gjërat e ndaluara në Islam, duke i shfryer dëshirat dhe epshet e tija seksuale. Ai mund të arsyetohet se është duke e shprehur lirinë e tij duke bërë çka dëshiron. Në realitet, ai nuk është asgjë tjetër veçse një rob i dëshirave të veta shtazarake. Në lidhje me këtë një poet ka thënë:

Unë ndoqa dëshirat e mia dhe ato më robëruan

e sikur të isha i kënaqur më ato që kisha, do të isha i lirë.

Ky është kuptimi i proverbës arabe: “Skllavi është i lirë për aq kohë sa është i kënaqur, dhe njeriu i lirë është i robëruar, për aq kohë sa është ziliqar.”

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “I shkatëruar është robi i dinarit dhe robi i dirhemit.” Ai e përdori fjalën “rob” për të treguar se si ai person e keqpërdor lirinë e tij duke iu nënshtruar epsheve të tija, pa marrë parasysh sa shkatërues ky nënshtrim mund të jetë. Kjo është arsyeja pse nënshtrimi ndaj All-llahut është liria më e madhe që mund të përjetohet. Vetëm robërit e All-llahut janë njerëzit që janë plotësisht të lirë, sepse ata janë çliruar nga robërimi i epsheve dhe dëshirave personale. Ata janë çliruar nga robërimi i parave, okupimit, dëshirës për pozitë dhe nga robërimi ndaj zotërave tjerë të rrejshëm.

Gjithashtu duhet ta kemi parasysh fuqinë e hidhërimit, i cili mund t’ia marrë nëpër këmbë aftësitë racionale të atij personi. Një person i zemëruar nuk mund t’i peshojë pasojat e veprave të tija, dhe shpesh herë i bën gabimet më të mëdhaja. Ai lehtësisht mund t’i bëj padrejtësi vetvetes, gruas, fëmijëve, familjes, kolegëve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Fjalët dhe shprehjet si “liri”, “të drejtat njerëzore”, “të drejtat e minoriteteve”, “të drejtat e grave”, “të drejtat e fëmijëve” shpesh herë përdoren si justifikim për të gjitha çështjet (pa marrë parasysh a janë korekte apo jo). Kjo ndodhë në çdo shtet dhe regjion të botës. Prandaj, ne duhet të mendojmë seriozisht se si do ta trajtojmë këtë rrebesh fjalësh.

Shumica e muslimanëve nuk dinë mënyrë tjetër për t’u përgjigjur, pos duke e cituar fjalën e Aliut [r.a]: “Ato janë fjalë të vërteta me të cilat synohet e kota (batili)”. Në të vërtetë kjo është një mbrojtje shumë e dobët. Islami, sidoqoftë, na ka ofruar pikëpamje shumë të çmuara për këto çështje, për ata musliman që posedojnë arsye. Prandaj, në vend që gjithmonë të reagojmë, në duhet ta marrim iniciativën që t’i shpalosim principet tona, të cilat vijnë direkt nga feja jonë dhe pohojnë se ne i pranojmë të drejtat njerëzore jo vetëm thjesht si një teori e të drejtave, por si një obligim fetar, i cili na kaplon të gjithë neve, duke përfshirë gratë, fëmijët dhe minoritetet. Nuk ka përjashtime në këtë. Në islam, bile edhe kafshët kanë të drejta të cilat duhet të respektohen. Poashtu në islam do të gjejshë të drejta të numëruara, të cilat as që janë përmendur në ndonjë sistem të ligjeve njerëzore.

Ne duhet të tregojmë qartë se këto të drejta janë pjesë e Sheriatit (ligjit hyjnor). Ligji Islam nuk e neglizhon asnjë aspekt të jetës, përkundrazi, ai e rregullon atë në çdo nivel. Ky ligj është nga Krijuesi, i cili di më shumë për krijesat e veta, sesa që ndokush do të donte ndonjëherë të dijë. Për këtë shkak, Ligji i Tij është në harmoni komplete me të dyjat, natyrën dhe aspiratat njerëzore. Ai në asnjë mënyrë nuk i shkel të drejtat njerëzore.

Sidoqoftë, ne poashtu duhet ta pranojmë se këto të drejta cenohen në shumë shtete muslimane, si edhe në shtetet tjera të botës. Prandaj, askush nuk mund të fajsohet për kritikimin e faktit se të drejtat legjitime njerëzore u ndalohen atyre, dhe për kërkimin e kthimit të këtyre të drejtave.

Shtypja e njerëzve, sidomos e të dobtëve të cilët nuk mund ta mbrojnë vetveten, është një mënyrë e sigurtë për ta merituar dënimin e All-llahut në këtë botë. Pa marrë parasysh se cilat prej të drejtave të tyre u cenohen. All-llahu [s.v.t] thotë: “Ato janë fshatra (vendbanime) që kur bënë zullum, Ne i shkatërruam dhe për shkatërrimin e tyre u patëm caktuar kohë të sakta.” [Kehf: 59].

All-llahu [s.v.t] gjithashtu thotë: “Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.” [Hud: 102].

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “All-llahu e afatizon zullumqarin për një kohë. Pastaj kur e kap me dënim, nuk ka ikje për të.” [Buhariu dhe Muslimi].

Kur ata që emigruan në Etiopi (Abisini) u kthyen, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, kërkoi prej tyre që t’i tregojnë për rastin më të çuditshëm që e kishin parë atje. Disa prej tyre e thanë këtë:

“O i Dërguar i All-llahut! Njëherë, përderisa qëndronim në Etiopi, një grua e cila e bartte një ibrik me ujë mbi kokë kaloi pran nesh. Njëri nga djemtë e rinjë, e vendosi dorën në shpatullën e saj dhe e shtyu me forcë. Ajo u gjunëzua. Kur u ngrit në këmbë tha: “I poshtër! Do ta kuptosh atë ditë kur All-llahu do të jetë Gjykues dhe do t’i mbledh njerëzit e çdo kohe, kur duart dhe këmbët do të flasin dhe dëshmojnë për atë që e kanë bërë pronarët e tyre, atëherë do ta kuptosh si do të jetë çështja ndërmjet nesh.”

Pasi e dëgjoi këtë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, tha: “Ajo e tha të vërtetën. Ajo e tha të vërtetën. Si mund që All-llahu ta bekoj një popull i cili nuk i mbron të dobëtit nga të fortit?” [Ibën Maxhe, Bejhekiu].

Prandaj, ne e kemi obligim që t’i mbrojmë njerëzit e shtypur të shoqërisë në të cilën jetojmë. Patjetër duhet t’ua sigurojmë të drejtat e tyre. Një ndër qëllimet e xhihadit është mbrojtja e të dobtëve, siç ceket qartë në Kuran.

Musteured ibën Shidad përmendi se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kur të vijë Çasti i fundit, Romakët do të jenë me numër më të shumtë.”

Amër Ibën Asi e dëgjoi këtë fjalë të Musteured-it dhe i tha atij: “Ke parasysh se çka flet.”

Musteuredi tha: “Unë jam duke e thënë atë që e kam dëgjuar prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.”

Amër Ibën Asi pastaj tha: “Pasi e përmende këtë, më duhet të të tregojë se ata i posedojnë pesë cilësi të mira: Ata janë të qetë gjatë fatkeqësive. Më së shpejti rimerren pas fatkeqësive. Ata janë të gatshëm për t’u rikthyer pas disfatës. Ata sillen mirë me të varfërit, jetimët dhe të dobëtit në mesin e tyre. Ata janë të aftë për ta parandaluar zgjedhën (shtypjen) e mbretërve të tyre.”

Amër Ibën Asi e përshkroi atë që kishte ngelur në shoqërinë romake nga natyra e pastër, në të cilën njerëzit janë të lindur. Apo ndoshta këto cilësi i kanë marrë nga Pejgamberët të cilët ishin dërguar në mesin e tyre. Është vështirë të thuhet se cila është më impresive: fakti se romakët i posedonin këto cilësi, apo intelekti i mprehtë i Amër Ibën Asit i cili ishte në gjendje të bëjë një vlerësim të tillë për romakët. Nëse një person nuk i kupton armiqtë e tij, ai nuk do të mund t’i mposht ata. Poashtu është impresive sa i drejtë ishte ky vlerësim i rivalëve historik. Kjo është drejtësia të cilën islami e kërkon nga ne.

Qarqet më të informuara të botës muslimane janë të paafta për ta studiuar perëndimin në mënyrë kritike, dhe poashtu janë të paaftë për ta kuptuar historinë e tij, perspektivën dhe si të arrihet deri në vendime konstruktive në lidhje me të.

Kur ne flasim për të drejtat njerëzore, të drejtat e grave apo lirinë, ne nuk duhet ta mashtrojmë vetveten se problemet tona me perëndimin shtrihen në këto çështje. Ne nuk duhet çdoherë të fokusohemi në atë se si ata i shkelin këto të drejta. Në duhet të marrim një qëndrim proaktiv dhe t’i prezentojmë këto principe në kontekstin e tyre të drejtë islamik. Të drejtat njerëzore janë në fakt vlera islame.

Omeri [r.a] i tha djalit të udhëheqësit të Egjiptit në atë kohë, që ishte Amër Ibën Asi: “Kur i robëruat njerëzit të cilët nënat e tyre i lindën të lirë?”. Ai poashtu u tregoi koptëve egjiptas se si ata mund t’i kërkojnë të drejtat e tyre. Gjatë kohës kur ata jetonin nën sundimin romak, nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Kur muslimanët e morrën udhëheqjen, ata i mësuan Koptët se si t’i kërkonin të drejtat e tyre dhe si të qëndronin kundër shtypjes politike, bile edhe nëse vjen nga vet Halifeja.

Europa as që i ka diskutuar këto ideja deri kah fundi i shekullit XVIII, në kohën kur ndodhi Revolucioni francez. Në këtë kohë doli në dritë ideja se çdo person ka lind i lirë. Atyre iu deshën diku njëmijë vite për të arritur deri te kjo ide, e cila tashmë ekzistonte në islam, e kur e bën këtë, ata e deklaruan si një gjë të re.

Koncepti i të drejtave njerëzore në Perëndim shtrihet në një principë të vetëm i cili është shpallur qartë në Kombet e Bashkuara. Ky është principi i dinjitetit njerëzor. Koncepti i tyre për dinjitetin njerëzor është i mishëruar në dy ide:

E para është liria. Kjo ka të bëjë me dhënjen çdo individi të drejtën e shprehjes, posedimit të pronës, martesës, mbajtjen e biznesit, udhëtimit, dhe kryerjen e aktiviteteve të tjera jetësore.

E dyta është barazia. Kjo do të thotë se të drejtat duhet t’i gëzojnë të gjithë njerëzit. Është e palogjikshme që të drejtat t’ia japësh një personi, e t’ia mohosh tjetrit.

Këto janë bazat e të drejtave njerëzore. Nëse i kthehemi Kuranit, e shohim se aty ceket koncepti i dinjitetit njerëzor: “Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.” [Isra: 70].

Në një kohë kur në perëndim debatohej në lidhje me atë se a kanë shpirtë gratë dhe robërit, dijetarët e muslimanëve debatonin se a janë njerëzit më superior apo melekët. Këta dijetar arritën në përfundim se njerëzit të cilët i nënshtrohen All-llahut dhe e pasojnë Pejgamberin e Tij, në fund e arrijnë një status më të lartë se melekët. Ata e fitojnë Xhennetin në botën tjetër, përderisa melekët ngelin në atë pozitë që janë. Sidoqoftë, melekët janë në fillim më superior duke e marrë parasysh faktin se janë të krijuar nga drita. Megjithatë, superioriteti në përfundim është më i rëndësishmi. Dhe All-llahu e di më mirë.

Kur islami i pohon të drejtat njerëzore, atë nuk e bën duke u bazuar në kërkesat e njerëzve, apo në revolucionet e tyre, apo në ndrrimin politik të balancës së fuqisë. Ai e bën duke u bazuar në shpalljen hyjnore të Zotit të botërave. Ai i mëson njerëzit si t’i fitojnë, t’i kërkojnë dhe t’i mbrojnë të drejtat e tyre. Kjo është vendosur dhe realizuar teoretikisht dhe praktikisht me ardhjen e Islamit, duke mos pasur nevojë që njerëzit ta bëjnë këtë me forcë.

Ne, si musliman, nuk duhet t’i kundërshtojmë të drejtat njerëzore dhe lirinë në princip, sepse këto janë pjesë e historisë sonë dhe Ligjit tonë Hyjnor. Megjithatë, ne kemi problem me perëndimin në disa mënyra se si ata mundohen t’i zbatojnë këto nocione. Një shembull është zgjerimi i fushës së lirisë personale deri në atë pikë saqë shkakton dëmtim të tjerëve dhe e kërcënon dinjitetin njerëzor. Një tjetër shembull është dhënja e lirisë së të shprehurit deri në atë pikë, saqë vlerat e shenjta fetare dhe morale shahen, apo deri në atë pikë që shkakton trazira në shoqëri. Islami kërkon t’i mbrojë të drejtat e individit dhe të mundësojë shansë të barabartë që njerëzit t’i ushtrojnë këto të drejta përbrenda një konteksti të shëndoshë shoqëror.

Kur perëndimi i pohon të drejtat njerëzore, në të shumtën e rasteve ato i bën përbrenda kufizimeve të një programi apo sistemi specifik. Prandaj, administrimi i fuqive perëndimore gjatë periudhës kolonizuese ishte plotësisht në kundërshtim me idealet e larta të cilat i paraqitnin. Historiani australian Clive Turnbull, në librin e tij “Lufta e zezë – Asgjësimi (farosja) e Tasmanianëve vendas”, fletë për atë se si Anglezët brutalisht dhe sistematikisht e masakruan dhe farosën popullatën vendase të Tasmanisë. Ai tregon se kolonizatorët bile kanë praktikuar kanibalizëm mbi disa vendas të cilët i kishin robëruar, duke ua prerë dhe ngrënë mishin, përderisa ata ende ishin gjallë. Ironikisht, shtypi Anglez deklaronte se vendasit ishin kanibal të egër dhe se kolonizatorët ishin atje për t’i “çliruar” prej barbarizmit të tillë. Turnbull pohon se nuk ka ndodhur asnjë rast në të cilin një tasmanian autokton kishte praktikuar kanibalizëm mbi ndonjë anglez.

Ne patjetër duhet ta definojmë se çka do të thotë të jesh plotësisht i njerëzishëm. A e nënkuptojmë me këtë se çdo njeri është krijuar nga All-llahu, pavarësisht nga ngjyra, gjinia dhe kombi, siç e pohon këtë islami? Apo me këtë nënkuptojmë çdokënd i cili është bjond me sy të kaltër dhe pamje të bukur, ndërsa racat e mugëta të Azisë dhe Afrikës do të duhej një zgjatje për të shkuar aq larg që t’i quajmë ata njerëz?

Nga perspektiva islame, ejani të meditojmë mbi thëniet e njohura të halifes së dytë Omer Ibën Hattabit [r.a]. Njëherë ai tha: “Nuk i dërgova zëvendësit e mi te ju për t’ua nxjerur mishin e as për t’ua marrë pasurinë. Unë i dërgova që t’ua mësojnë fenë tuaj dhe ta shpërndajnë pasurinë në mesin tuaj.” Ai gjithashtu ka thënë: “Nëse dëgjoj për një zëvendës timin i cili ka bërë padrejtësi dhe unë nuk e përmirësoj atë, atëherë e konsideroj vetveten të padrejtë.”

Në një rast tjetër ai tha: “Nëse unë do ta caktoja zëvendës personin më të mirë që e njoh dhe do ta urdhëroja që të jetë i drejtë, a to përmbushja obligimin tim?” Kur njerëzit u pajtuan me këtë tha: “Jo përderisa nuk do vëzhgoja atë dhe të sigurohesha se ai vepron sipas urdhërave të mia.”

Një prej guvernatorëve të tij njëherë i bëri padrejtë dikujt, e ai erdhi te Omeri që të ankohet. Omeri i dërgoi një letër guvernatorit (zëvendësit), në të cilën thoshte: “Bëhu i drejtë me këtë njeri. Përndryshe, eja te unë mënjeherë. Selam.” Guvernatori menjëherë e përmirësoi gabimin e bërë.

Kur Omeri dëgjoi se zëvendësi i tij në Kufe Sa’d Ibën Ebi Vekasi e kishte ndërtuar një pallat për vetvete dhe kishte caktuar një roje në derë, duke mos pasur nevojë për një gjë të tillë, e dërgoi hetuesin e tij Muhammed Ibën Meslemeh që të merr dru zjarri dhe lëndë djegëse dhe t’ia djegte pallatin. Së bashku me të ia dërgoi një letër Sa’d Ibën Ebi Vekasit në të cilën shkruante: “Me erdhi lajmi se ti e ke ndërtuar një pallat të fortifikuar, të cilin e quan shtëpi, dhe se ke vendosur një derë në mes teje dhe popullit tënd. Ai nuk është pallati yt por një pallat i turpit. Mos vendos portë në shtëpin tënde që t’i ndalosh njerëzit të takohen me ty, e në këtë mënyrë t’ua mohosh të drejtat e tyre.”

Ai ia shkruajti këtë gjë zëvendësit të tij në Egjipt, Amër Ibën Asit: “Më ka ardh lajmi se t’i mbështetesh (shtrihesh) në kuvendet tua publike. Mos vepro ashtu. Ulu sikur të tjerët.”

Këto janë vetëm disa shembuj për ta theksuar se si vlerat Islame i kanë përkrahur të drejtat njerëzore, në një shkallë të paparë gjatë historisë njerëzore. Po, Omeri ishte në gjendje të jetë shumë i drejtë në marrëdhëniet me njerëzit dhe në plotësimin e nevojave të tyre, por ishte atmosfera që solli islami ajo që mundësoi që gjestet e tilla fisnike të ndodhin.

Është gabim për ne që t’i shikojmë të drejtat njerëzore dhe të drejtat e grave me dyshim. E njejta vlen për lirinë. Ne duhet të jemi ata që i paraqesin këto subjekte. Ne duhet ta bëjmë të qartë se ligji i All-llahut i cekë këto koncepte dhe duhet t’i përmirësojmë shkeljet e të drejtave të njeriut të cilat ndodhin sot në botën islame. Kjo është mënyra për t’i rezistuar sulmet e perëndimit, i cili i përdor nocinet e të drejtave dhe lirisë për ta sulmuar botën islame dhe vlerat e saj. Ne duhet të sigurohemi që termat “të drejtat njerëzore” dhe “liri” të ekzistojnë në fjalorin tonë, të definuara në bazë të perspektivës sonë unike, jo në bazë të diktimit të tjerëve.

Është një nevojë e madhe që dijetarët musliman ta shtjellojnë çështjen e të drejtave njerëzore dhe lirisë dhe të ofrojnë një alternativë të shëndoshë për modelin perëndimor. Kur ne flasim për lirinë dhe barazinë, ne duhet të vëzhgojmë se perëndimi me liberalizmin dhe kapitalizmin e vet i jep prioritet lirisë, shpesh herë duke e anashkaluar barazinë në këtë proces. Kjo ka shkaktuar një hendek të madhë në mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë (pasuri) dhe shtresimi shoqëror akut, i cili shpesh herë është i shoqëruar me kapitalizmin.

Komunistët, në anën tjetër, i japin prioritet nocionit të tyre për barazinë shoqërore, dhe e anashkalojnë pothuajse çdo aspekt të lirisë për ta arritur një gjë të tillë, në veçanti lirinë e pronës, po bile edhe lirinë e shprehjes dhe shumë prej të drejtave njerëzore. Çdoherë që janë vendosur regjimet komuniste, njerëzit u gjetën në një ndër diktaturat më shtypëse. E ashtuquajtura diktaturë e proletariatit nuk ishte më pak shtypëse se regjimet tjera autoritarive të padrejta.

Sistemi i ofruar nga islami nuk kërkon që ta avancojë një pasurinë e njërit në dëm të tjetrit, po i jep përparësi mirëqenies së përgjithëshme mbi interesat individual. Nga kjo pikë, në atë rast kur liritë ofrojnë dobi më të madhe, atyre do t’u jepet përparësi. Në të njejtën mënyrë, në atë rast kur çështjet e barazisë sjellin më shumë dobi shoqërore, atyre do t’u jepet përparësi.

Për më tepër, të dyja, liria dhe barazia duhet të definohen. Kufijt e lirisë duhet të sqarohen qartë. Barazia duhet të kuptohet në kontekstin e drejtësisë, jo në kuptimin absolut i cili u bën padrejtësi shumë njerëzve, sidomos atyre të cilët mundohen shumë dhe dallohen me meritat e tyre. Dijetarit e ligjit islam duhet t’i japin prioritet studimit të këtyre çështjeve. Ata duhet t’i edukojnë njerëzit për të drejtat e tyre dhe si ata mund t’i sigurojnë ato. Njëlloj e rëndësishme është që t’i mësojnë njerëzit si t’i ushtrojnë në mënyrë të drejtë liritë e tyre kur t’i arrijnë ato.

Ka të tillë të cilët i shohin të drejtat dhe liritë vetëm në kuptimin absolut. Ky është një keqkuptim i madh. Askush nuk mund të ketë të drejta dhe liri të pakufizuara. Liritë dhe të drejtat e një personi duhet t’i marrin në konsideratë liritë dhe të drejtat e të tjerëve. Në Islam, ato duhet të mbahen përbrenda kornizave të Ligjit Hyjnor të cilit të gjithë muslimanët duhet t’i nënshtrohen, sepse ky ligj vjen nga Zoti i tyre i cili më së miri i di nevojat e tyre.

Në anën tjetër, ka njerëz të cilët mendojnë se lejimi i njerëzve që t’i ushtrojnë të drejtat individuale është në dëm të shoqërisë dhe i sjellë të gjitha llojet e devijimit. Ky besim nuk përputhet me realitetin. Eksperienca ka treguar se kur njerëzve u dhurohet një masë e arsyeshme e besimit, ata zhvillohen në njerëz që sillen në mënyrë të përgjegjëshme.

Merre parasysh sektorin familjar. A e konstatojmë se strategjia ideale për kujdesjen e fëmijëve është që kompletisht t’i kufizojmë ata dhe t’ua mohojmë të gjitha të drejtat? Një strategji e tillë nuk është më e mirë se injorimi i fëmiut dhe lënja e tij të rritet në mënyrë të egër. Trajtimi më i mirë dhe më i balancuar, është që t’ua japësh të drejtën fëmijëve që të ushtrojnë liri deri në një shkallë, që të mësohen me një gjë të tillë dhe të mësohen të sjellin vendime inteligjente dhe të përgjegjëshme. Kjo duhet të shkojë baraz me një edukim të duhur fetar i cili e rënjos te fëmiu vetdijën se All-llahu e mbikqyrë dhe i mundëson atij që ta dallojë të mirën nga e keqja.

Mjedisi shkollor është një shembull tjetër i shkëlqyer. A duhet që shkolla të jetë një institut për mësim rutinor, një mulli blurës i pakufizuar i informatave? Apo në të kundërtën, a duhet të jetë një vend me liri të pakufizuara, ku studentët bëjnë çkado që dëshirojnë, pa marrë parasysh sa e gabuar dhe jomorale mund të jetë ajo sjellje? Në mënyrë ideale, mjedisi shkollor duhet të jetë i balancuar, që ta zhvilloj karakterin e studentëve dhe të mbjellë në ta vetdijen e vlerës individuale dhe përgjegjësisë ndaj të tjerëve. Këtë që e themi për shkollat vlen edhe për aktivitetet tjera edukative, si programet e librarive dhe ligjeratat në xhamia.

Imponimi i disa vlerave studentëve dhe mohimi i të drejtës që ata të pyesin dhe diskutojnë për problemet e tyre është një fyerje për ta. Ajo gjithashtu ua then moralin e tyre dhe ua anulon ndjenjën e vetëbesimit.

Në çdo nivel të shoqërisë, duhet të bëhet një balancim në mes të drejtave dhe nevojave të individit dhe atyre të shoqërisë. Në sajë të kësaj duhet të merren në konsiderat liria dhe barazia.

Njerëzve duhet t’u jepet liria e të shprehurit dhe duhet të mësohen si ta ushtrojnë atë pa mos i ofenduar apo dëmtuar të tjerët. Duhet që njerëzit të vetdijësohen për përgjigjësitë e tyre, si dhe për të drejtat e tyre. Gjithashtu ata duhet të merren në llogari kur i shkelin të drejtat e tyre apo kur dështojnë që t’i kryejnë obligimet dhe përgjegjësitë e tyre.

Njerëzit inteligjent janë të interesuar për të mirën e shoqërisë në të cilën jetojnë. Ata e dinë se kur shoqëria i keqpërdor të drejtat apo kur u mohohen atyre të drejtat, kjo gjë e vendos shoqërinë në rrezik, duke i armiqësuar njerëzit dhe duke i ushqyer tendencat e tyre destruktive, e nga kjo dalin probleme të shumta shoqërore.

Kur ne flasim për liri, nuk duhet të ndjehemi se ky është një nocion perëndimor të cilin po e paraqesim. Definitivisht nuk duhet të ndjehemi se kjo e kompromiton nocionin islam të nënshtrimit ndaj All-llahut. Islami na e mëson nocionin e lirisë, njashtu sikurse nocionin e nënshtrimit ndaj All-llahut. Themeli i islamit është nënshtrimi dhe adhurimi drejtuar vetëm ndaj All-llahut. Prandaj, koncepti islam i lirisë është largimi i çdo autoriteti absolut, sepse autoriteti i tillë ia anulon dhuratën që All-llahu ia ka dhënë. Nënshtrimi ndaj All-llahut domosdoshmërisht realizohet përbrenda kontekstit të lirisë. Kjo është e lidhur me përgjegjësinë. Për këtë shkak islami nxitë fuqishëm për lirimin e robërve.

All-llahu e di më së miri. Paqa dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, mbi shokët e tij fisnik, mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

Selman el-Avde

Përshtati: Omer Islami

Publikimi i parë: 03.06.2005

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>