
TIRANE- Përkujtohet sot 21 vjetori i rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Komunist të Shqipërisë Enver Hoxha. 20 shkurti i vitit 1991 ka mbetur në kujtesën historike të popullit shqiptar si dita kur u përmbys monumenti i diktatorit Enver Hoxha.
18-20 shkurt 1991 është koha e zhvillimit të grevës së urisë së studentëve që kërkuan heqjen e emrit të diktatorit Hoxha 700 studentë u futën në një grevë urie. Përmes asaj greve, e mbështetur nga mijëra qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, kërkonin që Universitetit të Tiranës ti hiqnin emrin e diktatorit Enver Hoxha. Thirrjet Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa u bënë simbol i protestave studentore dhe qytetarëve të Tiranës. Më 20 shkurt 91 qindra qytetarë rrëzuan bustin e diktatorit.
Me rastin e kesaj date historike, sot në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar u përurua Pavijoni i Terrorit Komunist ku mori pjesë edhe kryeministri i vendit Sali Berisha.
Kryeministri Sali Berisha duke përshëndetur ngjarjet më 20 Shkurt theksoi se kjo ishte dita kur u përmbys diktatura dhe u formua opozita e parë shqiptare.
20 Shkurti ishte data në të cilën studentët në Universitetin e Tiranës u përballën me një trimëri të pashoqe, dhe përmbysën shtatoren e tij, kjo shënoi rënien de fakto themelimin e opozitës shqiptare gjunjëzimin përfundimtar të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Sipas Berishës pinjollët e diktaturës nuk kanë shprehur kurrë pendesë për krimet e bëra kundrejt grave dhe burrave që u flijuan për të patur Shqipërinë si Europa. Sipas Berishës opozita shqiptare përfaqëson frymën e diktaturës dhe se venë interesin e etërve përpara interesit të kombit.
Ky komb ka historinë e vet por historia e diktaturës është më tragjikja. Sot, pasardhësit direkt të bunkerit që përmbysëm 21 vjet më parë, jo vetëm nuk kanë shprehur për asnjë moment pendesën e tyre, por ata kanë uzurpuar kreun e partisë kryesore opozitare të vendit dhe natyrisht nuk janë rikthyer dot në bllok, por kanë rikthyer bllokun me të gjithë psikologjinë e tij. Këta shokë, ose zotërinj me rrahje gjoksi bllokuan për dy vite procesin e integrimit të vendit duke dëshmuar se interesi i tyre, se doktrina e etërve të tyre është më parësore se interesi i shqiptarëve dhe vendit. këta. Këta do kenë ndëshkimin e merituar si paraardhësit e tyre.
Kreu i qeverise theksoi se "kjo datë e rëndësishme ndan dekadat e shtypjes ekstreme, poshtërimin më çnjerëzor, kujton datën në të cilën mijëra shqiptarë me një guxim e kurajë të pabesueshme të përmbysin jo bronzet metalike, por të përmbysin në Tiranë bronzet e gjalla, të cilat vite pas vdekjes së tij vazhdonin me krenari kriminale rrugën e tij".
Evropa ka njohur në historinë e saj diktatorë nga më të ndryshëm, por ajo ka të regjistruar në memorjen e vet dy më mizorët, Hitlerin dhe Enver Hoxhën. Hitleri mbi baza racizmi ndërmori krimet më monstruoze, Hoxha si Hitleri pas luftës, organizoi mbi bazën e luftës së klasave terrorin më të paparë ndaj një kombi në Evropë, shtoi më tej kryeministri.
"Në stendat e kësaj ekspozite jepet mundesia per te njohur qëndresën sakrificën, burrërinë, heroizmin e qindra mijëra grave dhe burrave që u flijuan vetëm e vetëm se ata njësoj si ne besonin te Zoti, donin të flisnin të lirë, donin që vendi i tyre të ecte drejt Evropës, të bashkohej me kombet e qytetëruara evropiane".
Ai theksoi se në këto stenda mungojnë shumica, mijëra heronj të pakënduar.
Kryeministri Berisha vijoi me sulmin ndaj kreut të opozitës Edi Rama duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së. Berisha duke iu referuar sërisht, 21 vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha theksoi se kjo duhet të jetë një ditë reflektimi për të gjithë.
Në 20 shkurt 1991, qytetarët e zemëruar të Tiranës u vërsulën drejt bllokut për shembjen e diktaturës, PD ia doli të përmbajë zemërimin e tyre në përputhje me platformën e saj të ndërrimeve paqësore. Por sot pas 21 vjetësh lagjja është shndërruar në një nga lagjet e haresë së qytetit, kurse atje janë mbledhur përsëri bijtë e bllokut. Po historia duhet parë drejt e në sy, kjo nuk ndodhi pas vitit 92, e vërteta kjo është ndonëse ne bijtë përgjegjës për etërit nuk i mbajmë, kjo nuk ndodhi as dhe në vitin 2000. Ky rikthim i bijve në kreu të PS përbën vepër të Edvin Ramës, kjo është e vërteta. Ai i mblodhi ku ishin dhe ku s`ishin, madje i solli dhe nga emigracioni duke u premtuar majën që humbën etërit theksoi Berisha.
Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991 është një ndër ngjarjet qe ndikuan ne renien totale te regjimit komunist ne Shqiperi. Rrezimi i bustit te Enver Hoxhes ndodhi ne nje situate te renduar politike ne vend. Kishte vetem dy muaj qe ishte themeluar Partia Demokratike dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve te para pluraliste ne Shqiperi ne 31 mars 1991.
CELET PAVIJONI I DIKTATURËS, HISTORIA E 45 VITEVE TË SHTYPJES SË LIRISË
Pavijoni i Terrorit Komunist, një pasqyrim në mënyrë kronologjike dhe tematike me fotografi, dokumente, objekte të reja i Shqipërisë së viteve 45-90, u çel paraditen e sotme në Muzeun Historik Kombëtar.
Një nga pavijonet më të kërkuara nga vizitorët e huaj është instaluar në katin e dytë të MHK-së, në sipërfaqen rreth 360 metrash katrorë ku pasqyrohen me anë të posterave dhe objekteve organet e diktaturës, gjyqet e deputetëve, lëvizjet opozitare, e deri në rëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha.
Vitrinat dhe stendat e pavijonit ekspozojnë objekte personale të të përndjekurve politik si: veshje, enë, lugët, pjata prej alumini, etj, por edhe punime shkencore, dorëshkrime. Krahas dokumenteve dhe objekteve personale të të dënuarve politik, në pavijon është instaluar edhe një birucë burgu.
Gjatë fjalës së tij, në inagurimin e këtij pavijoni drejtori i MHKS-së, Luan Malltezi u shpreh se ky pavijon tregon fakte dhe dokumente të shumtë të kohës, se Shqipëria ishte një vend që jetonte nën një terror të jashtëzakonshëm në pushtetin e Enver Hoxhës. Për dekada me rradhë regjimi komunist kishte ushtruar një politikë të ashpër e të pamëshirshme ndaj popullit të vet duke kryer vrasje, burgime, internime, nëpërmjet armës së frikshme të sigurimit të shtetit dhe të drejtësisë shqiptare, tha Malltezi.
Drejtori i MHKS-së shtoi se 20 shkurti është një datë me rëndësi të veçantë në historinë tonë kombëtare, rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës shëmbja e të cilit u shoqërua me njëentuziazëm nga shqiptarët që nuk mund të kuptohej nga bota demokratike.
I pranishëm në inagurimin e Pavijonit të Terrorit Komunist ishte edhe Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i MTKRS-së Aldo Bumçi, etj. Ky i fundit u shpreh se gjatë gjithë këtyre viteve ne nuk kemi krijuar institucione të kujtesës, kombëtare pasi gjatë gjithë kësaj kohe të përndjekurit kanë qënë monumente të gjalla të shoqërisë sonë, por tani po fillojmë ti krijojmë.
Kjo shoqëri ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër në lindjen komuniste të ngrej tempuj të kujtesës kombëtare për të kujtuar dhimbjen dhe rezistencën ndaj shtypjes, tha Aldo Bumçi.
Me rihapjen e këtij pavioni nuk ndryshon vetëm emri i tij, nga Pavioni i Genocidit në atë të Terrorit Komunist, por materiale të reja të pa ekspozuara më parë prezantohen për vizitorët vendas e të huaj. Pavijoni pasqyron edhe të dhëna nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme të cilat tregojnë se gjatë viteve të diktaturës u vranë 5157 njerëz nga të cilët 89 gra, 952 vdiqën në burg dhe 273 humbën aftësinë mendore, nga të cilët 29 gra. 17900 njerëz u internuan sit ë dënuar politik dhe u ndërtuan 23 burgje dhe 48 kampe përqëndrimi.
Forma dhe përmbajtja e këtij pavioni është konceptuar nga grupi i muzeologëve si: Enver Kushi, Fredi Gusho, Sali Kadria, Fatmir Boshnjaku, Etleva Demollari, etj. Njëkohësisht Muzeu ka bashkëpunuar edhe me Agim Mustën, përfaqësues i Institutit të të Përndjekurve Politikë dhe Kastriot Dervishin, drejtor i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndërsa konceptimi arkitekturor është realizuar nga arkitekti Latif Lami.
Pavioni i Genocidit është hapur në vitin 1996 në Muzeun Historik Kombëtar dhe rinovimi i tij shtohet pranë pavioneve të tjera të Muzeut Historik Kombëtar si: Pavioni i Lashtësisë, Pavioni i Mesjetës, Pavioni i Rilindjes Kombëtare, Pavioni i Pavarësisë, Pavioni i Ikonografisë, etj./a
(d.b/el.me/BalkanWeb)