
TIRANE - Pjesa më e madhe e Shqipërisë vijon të jetë nën borë, por në veri trashësia e borës vijon të sjellë probleme në qarkullim dhe si pasojë emergjenca të shumta si nevojat për mjek dhe mami. Prej 14 ditësh, banorë të Pukës, Dibrës, Kukësit, zona të Shkodrës, Hasit e Tropojës janë ngujuar nga bora.
Bora ka shkaktuar avari në rrjetin e energjisë elektrike, ndërsa uji i pijshëm mungon prej disa ditësh për shkak të ngrirjes së tubacioneve nga temperaturat e ulëta, kurse shkollat janë mbyllur deri në një urdhër të dytë.
Në Pukë trashësia e borës është shënuar mbi 2 metër kurse temperatura -10, në Kukës temperatura më e ulët është regjistruar -8 gradë celsius ndërsa dëbora në qytet regjistron 1.5 m.
Dukagjini dhe Vermoshi prej ditësh nuk komunikojnë me zonat e tjera ndërsa në Malësinë e Madhe, reshjet e borës kanë arritur 3 metër.
Përveç akseve rrugore që lidhin komunat e këtyre rretheve me qendrat urbane, janë të bllokuara akset nacionale, Kukës-Peshkopi, Kukës-Tropojë, Librazhd-Dibër e disa segmente të tjera.
Bora ka shkaktuar probleme dhe në jug e juglindje të vendit ku komuna Frashër është bllokuar, Dardha prej 5 ditësh vijon të qëndrojë e izoluar, kurse fshatrat Novoselë, Lekas e Clirimi, Velcan, Proptisht e Trebinjë.
Dy ditë më parë qeveria shpalli emergjencën e fatkeqësisë natyrore, ndërsa gjatë ditës së djeshme kryeministri u bëri thirrje banorëve të pastrojnë çatitë e shtëpive pasi rreziku është evident.
Sot ne Bulqizë raportohet se 6 banesave u janë dëmtuar çatitë, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Kryeplaku i Drenovicës: Nuk kemi ushqime
120 banorë në fshatin Drenovicë të Komunës Lunik në Librazhd, ndodhen totalisht të izoluar, ndërkohë që të paktën 4 familje vuajnë nga uria prej disa ditësh. Kryeplaku i Drenovicës, në Librazhd Belul Sollaku bën apel NEWS24 se tashmë rreth 120 familje nuk kanë më rezerva ushqimore.
Nuk kemi ku të marrim asnjë lloj furnizimi. Ujë të pishëm kemi drita nga 7 ditë jo. Rreth 120 banorë kanë përfunduar rezervat ushqimore,- deklaroi Sollaku.
Pukë, vdes një 85-vjeçar teksa transportohej me helikopter
Një 85-vjecar nga Puka ka vdekur pasditen e sotme teksa transportohej me helikopter pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, shkaqet e të cilës nuk dihen ende.
Viktima Zyber Furriku, 85 vjeç jetonte në fshatin Meçe të komunës Rrape. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore është kërkuar ndihma e helikopterëve për të ndërhyrë, të cilët i erdhën menjëherë në ndihmë pavarësisht vështirësive, por pa mundur ta sjellin atë të gjallë në spitalin e Pukës. Nuk dihet ende shkaku i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të moshurit.
Pukë, familja Jaku në gjendje të mirë
Banorët e fshatit Shkozë në Pukë raportuan për shembjen e një banese, që sipas tyre i përket shtetasit Pjetër Jaku, por me të arritur atje 20 banorët mësuan se familjarët ishin në gjende të mirë shëndetësore dhe se ishte shembur një pjesë e stallës së bagëtive, të familjes Jaku.
Tarraca e stallës është shembur pjesërisht për shkak të dëborës së dendur, ndërsa mësohet se familjes Jaku po i mbaronin rezervat ushqimore.
Haxhinasto në Pukë, Nishani në Librazhd
Raportohet se zv. kryeministri njëherësh ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ka vizituar sot qytetin e Pukës, për të takuar atje strukturat vendore si dhe për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e dendura të borës.
Haxhinasto ka këshilluar këto struktura ti vinë me çdo kusht në ndihmë banorëve të zonave të izoluara.
Ndërkohë që ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka shkuar sot në Librazhd. Në takimin me forcat e shtabit të emergjencës civile, Nishani është siguruar për marrjen e të gjitha masave, për tju ardhur në ndihmë banorëve të zonave të izoluara. Nishani ka kërkuar nga ky shtab zbatimin e të gjitha masave me qëllim përballimin e kësaj situate të krijaur nga reshjet e dendura të borës.
Për këtë situatë duhet të ndërgjegjësohen qytetarët. Këtë më mirë se mund ta bëjnë kryetarët e komunave, fshatrave, këshilltarët e komunave, nuk mund ta bëjë askush tjetër. Ministria e Brendshme bëri të mundur lëvrimin e një fondi emergjent, i cili është i destinuar vetëm për kontraktimin e mjeteve lokale për hapjen e rrugëve që janë në menaxhim nga komunat, tha Nishani.
Bulqizë, 12-vjeçarja në gjendje të rëndë dërgohet në Maqedoni
Policia kufitare dhe ajo e Dibrës kanë bërë të mundur transportimin në Maqedoni të 12-vjeçares Adelina Manaj, e cila qëndroi e bllokuar për disa orë në komunën Trebishtë të Bulqizës, në gjendje të rëndë për jetën.
Familjarët e vajzës kërkuan ndihmë për transportimin e saj me helikopter, pasi e kishin të pamundur dërgimin e saj në spital, për shkak të rrugëve të bllokuara nga dëbora që ka arritur deri në 3 metra.
Kreu i komunës, Razi Rama bëri të ditur se vajza Adelina Manaj ishte me temperaturë tepër të lartë dhe në gjendje kritike për jetën. Një mjek u përpoq të udhëzonte për disa orë familjarët me telefon, por gjendja e vajzës vijoi të përkeqësohej për shkak edhe të mungesës së medikamenteve.
Autokolona ushtarake drejt Kukësit
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Forcave të Armatosura kanë nisur drejt Qarkut të Kukësit një autokolonë ushtarake, ku përfshihen forca dhe mjete ushtarake që do tu vijnë në ndihmë banorëve në zonat e bllokura. Autokolona do të ketë si bazë aeroportin e Kukësit. Zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të armatosura, gjeneral brigade Sandër Lleshi, bëri të ditur se krijimi i kësaj baze do të shkurtojë distancën për tu ardhur në ndihmë banorëve si në asistencën mjekësore, ashtu dhe në shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Gjithashtu mejtet dhe forcat ushtarake do të angazhohen maksimalisht për zhbllokimin e akseve të bllokuara nga bora.
Helikopterë drejt zonave të bllokuara nga dëbora
Pas një ndërprerjeje dy ditore, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe erërave të forta, helikopterët e ushtrisë kanë fluturuar sot në drejtim të zonave të izoluara, duke vazhduar me operacionet e ndihmës për banorët e këtyre zonave.
Në qytetin e Pukës kanë shkuar dy helikopterë, të cilët kanë dërguar pako me ushqime dhe medikamente ndërsa pritet që në orët në vazhdim të ketë fluturime të tjera në zonat e izoluara nga dëbora. Helikopterë edhe në Tropojë.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme Fatmir Konja tha se me nisjen ndihmave nga ajeri është bërë i mundur dërgimi i ushqimeve dhe medikamenteve. Janë dërguar 200 pako ushqimore në Pukë dhe Tropojë. Njëri prej helikopterëve të Forcave të Armatosura do të marrë në kthim edhe 4 persona të bllokuar në Malzi komuna Fierzë. Ndërkohë në prefekturën Shkodër po dërgohen rreth 500 pako ushqimore, tha Konja.
Po sot helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë mundur të kryejnë 4 fluturime për emergjenca shëndetësore, në Rrëshen, Vermosh, Pukë dhe Kalaja e Dodës, ndërsa parashikohet edhe një ndërhyrje në Tropojë.
URGJENCAT ME GRATE SHTATZENA
Përkeqësimi i motit dhe bllokimi i rrugëve nga dëbora e madhe ka pasuar me shtimin e rasteve të urgjencave mjekësore, kryesisht të grave shtatzëna.
Vetëm gjatë ditës së djeshme janë shënuar 5 raste të tilla. Burime zyrtare nga Prefektura e Dibrës, bëjnë me dije se për shkak të ftohtit të madh një 22-vjeçare ka humbur fëmijën e saj, ndërsa është transportuar për në spital, pasi rrezikonte të humbte jetën nga hemorragjia.
Rasti i dytë është shënuar po në rrethin e Dibrës, kurse tri rastet e tjera në Qarkun e Kukësit. Nisur nga situata e krijuar, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili urdhëroi marrjen e informacionit për moshën, gjendjen dhe lokalizimin e grave shtatëzëna. Ai kërkoi marrjen e masave urgjente për disponibilitetin e personelit, mjek, mami dhe transportin sa më të shpejtë të grave shtatëzëna (7 muaj e sipër) në spitalin e rrethit më të afërt për ti mbajtur nën kujdes dhe monitorim të vazhdueshëm.
Dibër, mbetet e bllokuara një grua shtatzënë në Kalanë e Dodës
Një 24-vjeçare shtatzënë ne gjendje te rende shendetesore ka mbetur me shume se 24 ore e bllokuar në Kalanë e Dodës që prej mbrëmjes së djeshme. Ka qenë ora 11:00 e paradites kur u njoftua se 24 vjecarja shtatzënë po transportohej drejt Tiranës me helikopter. Pas disa 2 tentativash, më në fund pilotët arritën të ulnin helikopterin në fshatin Ujmire të Kalasë së Dodës për të marrë nënën e re që rrezikonte jetën e saj dhe të fëmijës.
Gruaja u transportua mbreme me barrelë nga disa burra nga Shullani në Kalanë e Dodës, por për shkak të përkeqësimit të motit nuk mundi të vazhdonte rrugën për në spital. Mësohet se 24-vjeçarja, në muajin e 6-të të shtatzënisë, ishtë strehuar në një familje në fshatin Ujmir, ku trashësia e dëborës arrin deri në 2.5 metra. Një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë tentoi disa herë të ulej në fshatin Ujmir, për të bërë të mundur dërgimin e 24-vjeçares në spital, por ishte e pamundur per shkak te stuhive te bores. TVNews24 meson se gjendja e saj dhe e femijes eshte serioze. Vetem rreth mesdites u mundesua transporti i gruas drejt Tiranes me helikopter.
Ndërkohë edhe në zona të tjera janë konstatuar emergjenca të tjera shëndetësore. Aktualisht raportohet për një të sëmurë rëndë në Qelëz të Pukës dhe një në Fierzë.
Shtatzëna humb fëmijën
Tre ditë më parë, një 22-vjeçare (shtatzënë 4 muajshe) nga zona e Sllovës në Dibër, humbi fëmijën e saj të parë. Për shkak të bllokimit të rrugëve, gruaja ka bërë abort të pavullnetshëm në shtëpi. Me gjithë kujdesin e familjarëve, gjendja shëndetësore e të resë është përkeqësuar. Ndërsa, gruaja rrezikonte jetën nga hemorragjia, familjarët e saj kanë dhënë alarmin. Rreth 70 burra të fshatit Kall e kanë transportuar 22-vjeçaren me barelë, duke çarë për më shumë se 5 orë dëborën që arrin mbi 2 metra. Ajo është dërguar në Spitalin Rajonal të Peshkopisë, ku po merr ndihmën mjekësore. Po dje, një 24-vjeçare shtatzënë mbeti e bllokuar për orë të tëra në rrugë. Burime nga Prefektura e Dibrës bënë me dije se rreth orës 17:27, banorë të zonës së Kalasë së Dodës kanë transportuar një grua shtatzënë 6 muajshe për në spital. Dëbora e madhe si dhe gjendja e rënduar e 24-vjeçares ka bllokuar banorët në mes të rrugës. Mësohet se ata dhe shtatzëna për shkak të pamundësisë për të shkuar në destinacion, janë detyruar të ndalin në fshatin më të afërm.
Dy gra shtatzëna kanë rrezikuar të vdesin rrugës në rrethin e Kukësit. 38-vjeçarja Pranvera Dokuzi, shtatzënë 7 muajshe, dje u transportua me barelë nga fshati Lusën deri në vendin e quajtur Qafa e Kolosjanit. Pas 6 orësh udhëtim në borë, gruaja është transportuar me një makinë ushtrie për në Spitalin Rajonal të Kukësit. Ndërsa, një grua shtatzënë në prag të lindjes në fshatin Pistë të Komunës Malzi në Kukës është në gjendje të rënduar shëndetësore. Të afërm të Valentina Tahirajt kanë kërkuar ndihmën e vendorëve, duke u shprehur se nuk mund ta transportojnë dot në spital, pasi bora arrin mbi dy metra. Mbrëmë, një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë transportoi një 33-vjeçare shtatzënë nga Lekbibaj i Tropojës në Maternitetin e Ri në Tiranë.
(d.b/er.nu/ma.ar/el.me/BalkanWeb)