Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24415

Taksë progresive? Jo, faleminderit!

$
0
0
Taksë progresive? Jo, faleminderit!

Besart Kadia

Para disa ditësh, sekretari i Shtetit për Financat në Austri, Andreas Schieder, në një takim me kreun e opozitës, Edi Rama, tha se “taksimi i sheshtë në nivel të ulët nuk është një ide e mirë, pasi favorizon vetëm të pasurit dhe u merr paratë njerëzve të varfër”. Më pas Sekretari i Shtetit mësohet të jetë shprehur se sistemi progresiv i taksave është i rëndësishëm si për Austrinë ashtu edhe për Shqipërinë. Andreas Schieder nuk është ligjbërës në Shqipëri dhe as ekonomist me ndikim, por mik i vendit tonë duket se është, ndaj, duke e marrë në konsideratë vërejtjen e tij, natyrshëm shtrohet pyetja: mundet me të vërtetë Shqipëria të përfitojë nga një taksë progresive në këto kohëra dhe të ndihmojë shtresat në nevojë?

Dhe më pas edhe pyetja tjetër po aq e rëndësishme: çfarë ndikimi do japë ajo në rritjen ekonomike afatgjatë të vendit?

. . .

Austria, sikundër dhe shumë shtete të Europës Perëndimore, ka krijuar modelin e shteteve sociale ku shteti synon të përmirësojë dhe mbrojë interesat e qytetarëve të saj nëpërmjet rishpërndarjes së pasurisë dhe ofrimit falas të shumë shërbimeve në ekonomi. Për këtë arsye, në rast se do të përdorim te ne sistemin a taksave si në Austri, do të implementonim tatim të sheshtë mbi fitimin në masën 25% dhe që arrin deri në 35% në rast se je një rezident i huaj. Këtu duhet bërë dallimi me tatimin mbi të ardhurat, të cilat janë progresive.

Tatimi mbi të ardhurat personale atje fillon nga 0% për të ardhura vjetore në 11 000 euro, duke u rritur gradualisht deri sa arrin nivelin prej 50% kur të ardhurat janë mbi 60 000 euro. Kuptohet se niveli i të ardhurave në të cilin taksa progresive do të aplikohet në Shqipëri do jetë më i ulët, pasi dhe pagat vjetore janë më të ulëta se në Austri, por sërish taksa progresive që na jepet si model nga Austria po të zbatohet do të thotë që bankieret tanë, inxhinierët, e avokatët do të duhet të japin gjysmën e të ardhurave të tyre shtetit, pas një niveli të caktuar të ardhurash.

Nga ana tjetër ky sistem taksash nuk ndihmon në stimulin fiskal. Vetë vendet e Europës Perëndimore gjatë krizës financiare janë munduar të ulin sa më shumë nivelin e taksave për të ndikuar sadopak në përmirësimin e nivelit të të ardhurave reale të qytetarëve; një përgjigje klasike kejnesianiste për të rritur konsumin e më pas Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Për këtë arsye kontradikta e parë dhe mungesa e koherencës e politikave ekonomike të opozitës për rifutjen e taksës progresive në Shqipëri vjen nga argumenti i përdorur që nga viti 2008, se Shqipëria është në krizë të thellë ekonomike. Për rrjedhojë, taksa progresive në një periudhë të vështirë ekonomike nuk është stimuluese dhe në të mirë të ekonomisë Shqiptare.

Por argumenti më i rëndësishëm që duhet analizuar më qartë nga ekonomistët në Shqipëri ka të bëjë me efektet e futjes së sistemit të taksave si ato në Austri në rritjen ekonomike. Ky argument ka mbërthyer botën për vite me radhë, para se të niste debati këtu në Shqipëri, i cili gjithsesi mbetet i huazuar. Dy profesorë me influencë në Amerikë, Alberto Alesina dhe Dani Rodrik, kanë shkruar një artikull akademik më 1994, që akoma dhe sot është ndër më të cituarit në ekonomi, me titull “Politikat e Rishpërndarjes dhe Rritja Ekonomike”. Ky punim ka si qëllim parësor të studiojë marrëdhënien që ka politika me rritjen ekonomike në një model të thjeshtë të “rritjes së brendshme”, ku qytetarët kanë perceptime të ndryshme për shpërndarjen e pasurisë. Pika kryesore e modelit është se individët janë të ndryshëm dhe për rrjedhojë dhe në faktorët e tyre personalë të prodhimit. Sipas tyre, janë dy tipe të faktorëve të prodhimit: faktori akumulues, pra kapitali, dhe faktori joakumulues: krahu i punës. Me kapital ata nënkuptojnë çdo aset që çon në rritjen e produktivitetit si kapital fizik e njerëzor dhe avancim teknologjik. Për rrjedhojë, të ardhurat nga këto të fundit janë zakonisht më të larta se nga krahu i punës që, sipas tyre, është i pakualifikuar dhe për rrjedhojë dhe me pagesë të ulët. Pra, taksat progresive i shërbejnë politikave të rishpërndarjes dhe jo produktivitetit ku të ardhurat në ekonomi transferohen te punëtorët e pakualifikuar dhe për rrjedhojë ulin incentivat për të akumuluar kapital nga individë, kompani inovatore apo me mundësi financiare për të investuar dhe për të hapur vende të reja pune. Për shkak të 50 vjetëve komunizëm, Shqipëria sot ka nevojë për rritjen e kapitalit njerëzor e fizik më shumë se çdo gjë tjetër!

Këtu reflektohet dhe ndarja mes politikanëve, të cilët janë të shqetësuar në shpërndarjen e tortës dhe për rrjedhojë në vota, dhe ekonomistëve, të cilët janë më të interesuar në bërjen e tortës sa më të madhe. Politikanët kanë dy zgjedhje për të bërë, me pasoja në rritjen ekonomike. Në rast se e shohin votuesin tipik si të varfër, atëherë zgjedhja që mund të maksimizojë numrin e votave është në rritjen e nivelit të taksave për bizneset e sipërmarrësit e bankat dhe më pas rishpërndarjen e kësaj pasurie. Nga ana tjetër, në rast se mendojnë se rritja ekonomike dhe stabiliteti ekonomik është më i rëndësishëm në periudhën afatgjatë, ata do të imponojnë taksa të ulëta që ndihmojnë në rritjen e kapitalit prodhues, që më pas sjell vende pune të reja. Por kontradikta në këtë sistem është se ajo që mund të maksimizojë votat nuk sjell rritje ekonomike!

Në rast se do të përdorim sistemin fiskal Austriak, atëherë do të ketë impakt direkt në nxitjen për shkollim apo investim në një ekonomi. Për të parë sesi do të ndikonte në rritjen ekonomike afatgjatë, kujtojmë vështirësinë e akumulimit të burimeve njerëzore të mirarsimuara në Amerikë, Itali e Angli. Në rast se pas studimeve ata do të marrin një rrogë afërsisht katër herë më të lartë se paga mesatare në Shqipëri dhe vendoset një tatim mbi të ardhurat deri në 50%, atëherë shtysa për brezat e ardhshëm që të shkojnë e të studiojnë jashtë shtetit nuk do të jetë e lartë, pasi të ardhurat që do të marrin do të jenë më të ulëta dhe jo tërheqëse për t’u kthyer në Shqipëri. Gjithashtu, një investitor i huaj, i cili nuk e njeh realitetin e Shqipërisë, por pikëniset për çdo plan investimi prej nivelit të taksave dhe infrastrukturës energjetike dhe rrugore në hartë, kur të shohë se vendi zbaton një sistem taksash si ai në Austri, do ta mbyllte menjëherë kapitullin “Shqipëria”.

Se treti: a është ky një trend që duhet ndjekur, duke qenë se vendet e tjera fqinje po bëjnë të njëjtën gjë? Kjo nuk rezulton të jetë e vërtetë. Taksa e sheshtë implementohet për momentin në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Rusi, Rumani, Bullgari, Çeki, Bosnjë-Hercegovinë etj. Të gjitha këto janë vende të Europës Lindore, të cilat kanë pasur të njëjtin problem për vite me radhë pas rënies së regjimit komunist: evazionin fiskal. Për këtë arsye, për të ulur këtë fenomen negativ, taksa e sheshtë është parë si mënyra më efikase për të konsoliduar buxhetin e shtetit dhe nxitur rritjen ekonomike. Rifutja e kësaj takse në Shqipëri do të na bënte të vetmin shtet në Ballkan me këtë praktikë. Në rast se me të vërtetë rishpërndarja e pasurisë shihet si e vetmja mundësi për barazi sociale, ka të ngjarë që kjo të dështojë pa konsoliduar të gjithë instrumentet e kontrollimit të të ardhurave personale të qytetarëve Shqiptarë. Një mënyrë është deklarimi i të ardhurave, i cili do të minimizonte evazionin fiskal. Por iniciativa e fundit për projektligjin për deklarimin e të ardhurave për të gjithë personat që realizojnë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit nuk është votuar nga opozita në komisionin e ekonomisë!



Sipas modelit Alesina dhe Rodrik, programi i opozitës për taksë progresive do të rriste bazën e saj elektorale, por jo rritjen ekonomike në Shqipëri. Ideologjikisht opozita nis një debat të dobishëm se cila është mënyra më e mirë për të ndihmuar shtresat në nevojë në Shqipëri. Propozimi i saj, se taksa progresive do të jetë zgjidhja, duhet parë me rezervë. Sipas hipotezës së Kuznets, gjatë rritjes ekonomike pabarazia në ekonomi fillimisht rritet dhe më pas ulet pa iu referuar taksës progresive. Rritja ekonomike dhe konkurrueshmëria duhet të mbeten përparësi për vendin tonë, siç dhe ilustron një raport i vitit 2009 i Bankës Botërore dhe PNUD-it, se varfëria në Shqipëri është përgjysmuar nga viti 2002 në vitin 2009 nga 25.4% në 12.4% të popullsisë. Për këtë arsye ka mënyra të tjera shumë më efikase e produktive që mund të ndihmohen të varfrit në Shqipëri, të cilat nuk do të cenonin konkurrueshmërinë tonë, por përkundrazi do ta rrisnin atë. Shumë shtete perëndimore kanë futur skema të ngjashme me New Deal-in amerikan, ku të papunëve apo të varfërve u ofrohet ndihmë nga shteti për t’u trajnuar e për t’u dhënë një zanat si këpucar, mekanik etj. Shkollat profesionale duhet të bëhen fokusi kryesor për këtë shtresë dhe jo shpërndarja e pasurisë.

Reformat dhe forcimi i institucioneve, liberalizimi i tregut dhe shteti i së drejtës duhet të mbeten prioritet, pasi është vërtetuar tashmë edhe nga shumë studime për Europën Lindore se këto mbeten thelbësore për një rritje të qëndrueshme dhe për një ulje të mëtejshme të varfërisë.

*Pedagog Ekonomie në Universitetin Europian të Tiranës.

Gazeta Mapo

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24415

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>