Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370

Përse minoriteti grek do të votojë PD më 23 qershor

$
0
0
Përse minoriteti grek do të votojë PD më 23 qershor


KOSTA BARKA

Kohët e fundit skema politike shqiptare po bëhet gjithnjë e më fantazmagorike. Ndryshimet që po ndodhin përditë, disa të pritshme, disa të tjera që ngjajnë si rrufe në qiell të kthjellët, po e bëjnë skenën politike më interesante, por në të njëjtën kohë edhe më të palexueshme. Mëri të kaluara apo të sotme, aleanca të vjetra e të reja, kompromise pragmatiste ose jo të tilla, ndarje politike, por edhe bashkime e ribashkime, ritakime protagonistësh; të gjitha këto po ndodhin me shpejtësi që rrallëherë është konstatuar në mjedisin politik shqiptar. Por, si përfaqësues politik i minoritetit grek dhe i Partisë Demokratike, dëshiroj t’i paraqes lexuesit disa argumente përse minoriteti grek në Shqipëri do të vazhdojë të votojë PD dhe përse PD i meriton votat e minoritarëve grekë më 23 qershor.
1.
Prej tetë vjetësh në qeverisje, kjo maxhorancë ka zbatuar politikat më të dobishme në favor të minoritarëve grekë në historinë e tranzicionit. Qëllimi i shpallur i qeverisë ka qenë përmirësimi i cilësisë së jetës së minoritarëve grekë, dhe kjo ka ndodhur. Të gjithë treguesit e zhvillimit dhe të mirëqenies janë mjaft lart krahasuar me vitin 2005. Qeveria ka ndjekur politika favorizuese për shkollimin e minoritarëve grekë në gjuhën amtare. Shkollat në gjuhën greke në Tiranë, Himarë dhe Korçë funksionojnë normalisht dhe me mbështetje të hapur prej qeverive të të dyja vendeve. Shkollimi i minoritarëve grekë në gjuhën amtare po zhvillohet normalisht në të gjitha zonat ku banon komuniteti grek dhe cilësia e mësimdhënies në këto shkolla po rritet (sigurisht ka dhe gjëra që duhen përmirësuar dhe vullneti i mirë nuk mungon për t’i zgjidhur).
2.
Qeveria ka mbështetur pa asnjë paragjykim sipërmarrjet greke në Shqipëri dhe ka respektuar lojën e lirë në bazë të rregullave të tregut. Sipërmarrjet greke kanë pasur të gjitha lehtësitë që qeveria ka aplikuar në mbështetje të investimeve të huaja. Suksesi i tyre nuk mund të arrihej pa mbështetjen e gjithanshme dhe pa klimën e favorshme të siguruar nga qeveria dhe shteti shqiptar. Sipërmarrjet e reja greke që janë transferuar në Shqipëri ose kanë transferuar në vendin tonë, për shkak të krizës, sidomos në disa qytete kufitare të zonës jugore e juglindore, kanë gjetur të gjitha kushtet e nevojshme dhe lehtësitë ligjore e fiskale për fillimin e aktivitetit të tyre. Ato po shndërrohen në aktorë të rëndësishëm të prodhimeve industriale, tregut të punës dhe të shërbimeve. Në sipërmarrjet e tyre janë punësuar vitet e fundit disa qindra punëtorë dhe specialistë vendas.
3.
Qeveria e z. Berisha ka mbështetur pa asnjë paragjykim (fjala xhelozi do të ishte e pavend) politikat dhe programet e qeverisë dhe të shtetit grek në favor të komunitetit grek që jeton në Shqipëri. Pensionet që minoritarët përfitojnë nga shteti grek nuk kanë krijuar asnjë pasojë dhe nuk kanë lënë shkas për asnjë reduktim në përfitimet e tyre prej sistemit të mbrojtjes shoqërore në Shqipëri. Gjithashtu, ligjet shqiptare nuk kanë penguar pajisjen e minoritarëve grekë të Shqipërisë me pasaporta dhe fitimin prej tyre të nënshtetësisë greke. Si të parët qytetarë dhe votues europianë të Shqipërisë, minoritarët grekë kanë dhënë shembuj emancipimi me pjesëmarrjen, kontributin dhe kulturën e tyre të votimit. Mund të deklaroj pa hezitim se në të gjitha zonat ku banon minoriteti grek zhvillohen fushatat elektorale më të qeta dhe proceset e votimit dhe të administrimit të votës më transparente. Për këtë arsye, minoritarët grekë të Shqipërisë ndihen dhe janë europianë të vërtetë. Dhe për këtë ka meritë të veçantë edhe qeveria e z. Berisha. Korrektesa e qeverisë shqiptare me fqinjët dhe partnerët nuk ka pse të quhet nënshtrim, shitje apo servilizëm. Ashtu si edhe në ndonjë rast, trysnia normale për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk mund të quhet ndërhyrje, teprim apo keqdashje në marrëdhëniet me fqinjët, por thjesht bashkëpunim për mirëkuptimin më të mirë për përfitimin e të drejtave të ligjshme të tyre. Partia Demokratike, qeveria e sotme, nuk jep shfaqje dhe nuk luan teatër me emigrantët, as tallet me ta nëpër salla hotelesh luksoze, në pushimet e seancave të lojërave të fatit, por bisedon seriozisht për jetën dhe problemet e tyre. Siç ka bërë për zgjidhjen e çështjes së shkollimit të fëmijëve të emigrantëve në gjuhën shqipe në mjediset e shkollave greke, bisedon me emigrantët sipërmarrës seriozë dhe jo thjesht militantë, siç ka bërë rregullisht gjatë viteve të fundit, nëpërmjet agjencive dhe institucioneve qeveritare të specializuara. Qeveria e z. Berisha ka ndërmjetësuar gjatë tetë viteve të qeverisjes për krijimin e kushteve të lëvizjes në pikat e kalimit kufitar që emigrantët të ushtrojnë të drejtën e votimit në Shqipëri. PD nuk i gënjen emigrantët me premtime boshe, por u ofron atyre kushtet dhe mundësitë të investojnë në Shqipëri kapitalet e tyre. Ka angazhimin e veçantë për zgjidhjen e disa problemeve që kanë dalë kohët e fundit, gjatë lëvizjes se fëmijëve midis dy vendeve. Po punohet për njohjen e kontributeve shoqërore.
4.
Votimi masiv dhe pjesëmarrja në Kuvendin e Shqipërisë e deputetëve minoritarë grekë, përfaqësues të PD dhe maxhorancës, i dha fund të ashtuquajturit monopol artificial përfaqësimi të minoritarëve grekë, të cilët, as më shumë e as më pak, kanë spekuluar me përfaqësimin e minoritetit dhe kanë përfituar prej tij favore, prej të cilave duhet të turpërohen para minoritarëve të ndershëm e korrektë që ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre me dije, punë, kontribute dhe sakrifica. Individë të tillë fitojnë, më mirë do të ishte të thosha “përfitojnë”, pozita e nivele përfaqësimi në mënyra jodemokratike. I ashtuquajturi “petk kombëtar” i tyre nuk është gjë tjetër veçse një mantel që nuk mbulon dot inferioritetin, pa aftësinë, mungesën e mbështetjes së votuesve dhe boshësinë e deklaratave e fotove në Facebook, me të cilat përpiqen të kompensojnë mungesën e mbështetjes për përfaqësim. Këto përpjekje, që mund të shpinin natyrshëm në një imponim të pakicës, janë refuzuar për fat të mirë në mënyrë konstante nga votuesit, publiku dhe komuniteti i minoritarëve grekë të Shqipërisë.
5.
Partia Demokratike është në një partneritet të hapur parimesh, ideologjie, filozofie dhe humanizmi me forcat politike të qendrës së djathtë greke. Megjithatë, kurrë nuk ka ndodhur që politikanë dhe ish-zyrtarë të lartë grekë, aq më tepër politikanë të dështuar, të kërkojnë t’i imponohen popullit dhe votuesve shqiptarë më SMS-ra. Politikanët seriozë, të dobishëm dhe të suksesshëm, u drejtohen votuesve jo me thirrje bajate, por me shembuj, modele, kontribute. Në këtë kontekst, edhe drejtues të Internacionales socialiste nuk është etike dhe morale të ndërhynë për të orientuar votuesit shqiptarë. Besoj se në këto moment kanë problem të tjera më shqetësuese që duhen zgjidhur në Greqi, pa dashur të them për përgjegjësinë e tyre për krijimin e kësaj situate, se për këtë janë ndëshkuar me votën e popullit grek. Votuesit minoritarë të djathtë, të majtë ose të një pozicionimi tjetër politik nuk kanë nevojë për kallauzë në zgjedhjet e tyre, sepse fatmirësisht janë më të emancipuar dhe më të mençur se sa politikanët, për më tepër akoma se politikanët e majtë të dështuar. Ja pse minoriteti e ka bërë dhe do ta përsërisë zgjedhjen e vet duke votuar në shumicë Partinë Demokratike më 23 qershor.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370