Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24411

Westerwelle: Mbani zgjedhje me standarde. Kujdes nacionalizmin

$
0
0
TIRANE- Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle mbërriti dje në Tiranë, ndërsa paraditen e sotme nisi takimet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Ministri Westerwelle kishte një axhendë të ngjeshur takimesh sot. Dita nisi me takimin mes tij dhe homologut shqiptar, Edmond Panariti, ku në konferencën për shtyp kryediplomati gjerman dha mesazhe të forta për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të qershorit, si dhe frymën nacionalizte të ditëve të fundit në vendin tonë.

Vizita e tij në Tiranë vijoi me takimet me kreun e shtetit Bujar Nishani, kryeminstrin Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama. Vizita e Westerwelle, vjen pas nje shtyrje të asaj të planifikuar më 14 shkurt, për shkak të një fatkeqësie familjare.

BERISHA SIGURON WESTERWELLE: ZGJEDHJE ME STANDARDE
ora 13:40 Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim, ministrin e jashtëm të Gjermanisë, zotin Guido Westerwelle dhe delegacionin që e shoqëronte Kryeministria e cila zbardh takimin, bën me dije se kryeministri Berisha i shprehu ministrit Westerwelle mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, për ndihmën shumë të çmuar dhe për partneritetin e miqësinë që Republika Federale e Gjermanisë, qeveria e saj, taksapaguesit e kombit mik gjerman, i kanë dhënë dhe vijojnë ti japin Shqipërisë për më shumë se dy dekada në të gjitha përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë, për anëtarësimin në NATO dhe në ecjen përpara me shpejtësi në projektin madhor të anëtarësimit në BE.

Berisha me Westerwelle
Ministri i jashtëm gjerman Westerwelle duke i përcjellë kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta nga mikja e Kryeministrit Berisha dhe e shqiptarëve, Kancelarja Angela Merkel, e siguroi se Gjermania do të vijojë të jetë një partner e mik i ngushtë i Shqipërisë dhe njëkohësisht një mbështetës i fuqishëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Dëshiroj tu siguroj se Gjermania do të vijojë të jetë një mik i besueshëm dhe një mbështetës i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh ministri WesterWelle ”Por jo vetëm kaq, Gjermania gjithashtu është e shumë e interesuar për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe për të parë zgjerimin e investimeve të saj në Shqipëri.” vijoi më tej ai.

Më tej, duke u ndalur tek përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshëm të 23 qershorit, Kryeministri Berisha e njohu zotin Westerwelle me rezultatet e rëndësishme që janë arritur në fushën e reformës zgjedhore, çfarë ka bërë të mundur që sot Shqipëria të ketë një kuadër ligjor, zgjedhor, në të cilin janë reflektuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it dhe njëkohësisht sistemin më të saktë të numërimit të votave në planet. Arritje të rëndësishme në këtë drejtim u vlerësuan gjithashtu edhe rritja e numrit të qendrave të numërimit dhe atyre të votimit, të cilat do të bëjnë të mundur reduktimin e ndjeshëm, si të radhëve të qytetarëve që do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ashtu edhe të reduktimit të kohës së numërimit dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. “Ky kuadër eficent ligjor dhe institucional, është një garanci solide për realizimin e zgjedhjeve të përgjithshme konform standardeve ndërkombëtare” përfundoi Kryeministri Berisha.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për situatën dhe zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Berisha ritheksoi se Shqipëria do të vijojë, ashtu si deri më sot, me politikën e saj të moderuar e promovuese të miqësisë, bashkëpunimit e integrimit rajonal dhe atij evropian.

“Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është dhe mbetet projekt madhor për vendet e rajonit, si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e tyre.” theksoi kryeministri. “Ndërkohë, vijoi më tej ai, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të lihen pas ndjenjat dhe shfaqet e albanofobisë, të cilat, jo vetëm që nuk i shërbejnë paqes e bashkëpunimit në rajon, por as edhe projektit të integrimit të tij në BE.”, theksoi Berisha.

NISHANI TAKON WESTERWELLE: DO ARRIJMË STANDARTET E KËRKUARA NGA BE
Nishani me WesterwelleORA 13:00- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, zotin Guido Westerwelle, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Në vijim të shkëmbimit të mirëseardhjes, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen ndaj popullit gjerman dhe qeverive të tij për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në fushën ekonomike, për anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj dhe për mbështetjen e vazhdueshme në udhëtimin europian. Integrimi Europian mbetet objektivi prioritar dhe Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj për arritjen e standardeve të kërkuara me qëllim që jo vetëm të jetë një kontributore në Bashkimin Europian, por që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga këto standarde.

Kreu i Shtetit nënvizoi faktin se Shqipëria ka kapacitete dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sfida e vetme mbetet kultura politike e aktorëve dhe shprehu bindjen se klasa politike shqiptare do ta kalojë këtë sprovë me sukses. Presidenti Nishani e siguroi ministrin Westerwelle se “Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj si kontribuese thelbësore e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon duke forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe duke inkurajuar shqiptarët që të mbështesin zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik në vendet ku ata jetojnë. E gjitha kjo bazohet në një traditë sipas të cilës shqiptarët u kanë ofruar fqinjëve miqësi dhe paqe”.

Në përgjigje Kryediplomati gjerman u shpreh se vjen me një mesazh shumë të qartë e të thjeshtë se “Gjermania do të jetë në anën tuaj sidomos gjatë udhëtimit tuaj europian. Për ne nuk është një çështje kombëtare apo ekonomike, por një qëndrim politik dhe strategjik që të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Europian”.
Në këtë kuadër, Ministri i Jashtëm Westerwelle veçoi se kriteret janë kërkesa objektive duke vlerësuar për momentin si shumë të rëndësishme përgjegjësinë e faktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe realizimin e kritereve të Komisionit Europian.
Presidenti Nishani dhe Ministri Westerwelle shprehën bindjen se Shqipëria dhe Gjermania mbeten partnerë seriozë në bashkëpunimin dypalësh, shumëpalësh dhe në procesin e integrimit europian.

WESTERWELLE: KUJDES ME NACIONALIZMIN, MBANI ZGJEDHJE ME STANDARTE
ORA 10:23- Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në konferencën e përbashkët me homologun e tij shqiptar, Edmond Haxhinasto vlerësoi se Shqipëria është një vend që ka para shumë sfida por edhe shanse.

Ai nënvizoi se Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë, ndërsa i bëri apel politikës për konsensus e bashkëpunim, duke hequr dorë nga retorikat e ashpra. Sipas, Westerwelle Shqipëria duhet të fokusohet edhe tek zgjedhjet, të cilat duhet të jenë sipas standardeve evropiane.

“Kjo është vizita ime e parë, deri tani kam fituar një përshtypje mjaft të mirë për vendin tuaj dhe ju. Ju jetoni në një vend që ka sfida të mëdha, por edhe shanse të mëdha. Arsyeja e vizitës sime është që të thelloj marrëdhëniet e vendeve tona. Gjermania është një partner i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, por edhe qeveria federale është e angazhuar këtu me një numër të madh projektesh. Që prej vitit 1998 Gjermania i ka dhënë mbështetje Shqipërisë me 1 miliardë euro. Shqipëria e përqendron vështrimin e saj drejt Europës dhe ne këtë e përshëndesim. Por për këtë duhen plotësuar disa kritere. Ekziston konsensus në shoqëri për perspektivën evropiane, ky konsensus duhet të gjejë vend edhe në politikë. Demokracia, sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, por mbi të gjitha zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe jo polemikave të ashpra. Prandaj është e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen mbi bazën e parimeve evropiane”, nënvizoi ministri gjerman.
Ministri gjerman konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e plotë të Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa shtoi se ky proces varet mbi të gjitha nga plotësimi i kritereve.
“Nënvizoj edhe njëherë qëndrimin gjerman, është në një linjë me miqtë dhe partnerët në Europë. Ne duam perspektivën evropiane për Shqipërinë, por secili hap varet nga plotësimi i kritereve. Për këtë kanë rëndësi jo vetëm të drejtat por edhe zbatimi. Pasi të kemi marrë raportin, atëherë do marrim vendimin tonë. Për sa i përket Gjermanisë nuk ka as lëshime, as vështirësime artificiale. Ne këtë proces e vlerësojmë drejt, ashtu sic duhet”, shtoi ai.
Ministri Westerwelle theksoi ndër të tjera se, “Fakti që sot jemi një shtet i fortë dhe i suksesshëm varet ngaqë Gjermania ka nxjerrë mësime nga e kaluara, ne mendojmë që bashkëpunimi është gjithnjë më i mirë se konfrontimi. Ne nuk bëjmë premtime të shumta, por ato që bëjmë i mbajmë”, shtoi ai më tej.
Kreu i diplomacisë gjermane, i pyetur nga gazetarët ka komentuar edhe deklaratat e fundit nacionaliste të politikës shqiptare. Duke apeluar të kihet kujdes me to, Westerwelle tha se as në Evropë, e as në Ballkan, Gjermania nuk lejon ndryshime kufijsh.
“Emocionet dhe ndjenjat nacionaliste duhen trajtuar me shumë kujdes sidomos në kohën e një fushate elektorale. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë që një ditë të bukur të gjitha vendet e rajonit të jenë pjesë e BE dhe qytetarët të lëvizin lirisht. Për ne ndryshimet e kufijve nuk lejohen, as në Ballkan. Sipas mendimit tonë kufijtë në Evropë nuk hiqen dhe ndryshohen, thjesht humbasin rëndësinë kur je në Evropë”, shtoi ai. /BalkanWeb

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24411

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>