Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370

Andrija Kaçiq: 1759, një poemë kroate për mbretin Skënderbe

$
0
0
Andrija Kaçiq: 1759, një poemë kroate për mbretin Skënderbe

Në vitin e largët 1759, autori kroat Andrija Kaçiq Mioshiq boton librin "Bisedat e këndshme të popullit sllav". Për ne, botimi në fjalë, paraqet rëndësi pasi në të, Kaçiq e ka përjetësuar figurën e Skënderbeut në shtatëmbëdhjetë këngë epiko - historike që ai vetë i quan "cikle" të një poeme. Sot paradite në Ministrinë e Kulturës promovohet përkthimi në shqipe i tij, nga shtëpia botuese "Uegen" nën titullin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu".
Sipas Dr. But Jakun, që ka bërë parathënien e librit, shikuar nga aspekti estetik dhe teoriko-letrar ciklet i kanë të gjitha premisat e epit historik, si zhanër i poezisë epiko-historike. Heroi kryesor është Skënderbeu, të cilin në poemën e Kaçiqit e gjejmë si Jure Kastriotiq Skënderbeg. "Ai e quan me këtë emër, sikundër edhe shumë figurave të tjera historike ua ndërron emrat. Skënderbeut ai herë ia jep ofiqin ban, herë e quan princ, herë e quan mbret", - thotë But Jaku. Kështu ngjet edhe me Moisi Golemin, të cilin e quan me emrin Musa, Hamzë Kastriotin e quan Amexhë. Të gjitha ngjarjet e kësaj poeme kanë një subjekt të përbashkët, janë të lidhura dhe komunikojnë me personazhin dhe jetën e heroit kryesor, Skënderbeut.
Jaku mendon se poeti ka krijuar tablo të një jete që i përngjan ferrit të Dantes, kur na sjell atmosferën e rëndë të luftërave të përgjakshme në të cilat bien dhe krijohen heronj. "Kaçiqi ka krijuar një ep të fuqishëm për Skënderbeun, sidomos po të merret parasysh koha kur është shkruar. Të gjitha këngët kanë tituj të veçantë, duke mbetur mes veti si diçka e pathënë, sikur autori ka dashur për të lënë diçka pa kumtuar, vargje të pashkruara, episode të paparaqitura, të cilat lehtë nënkuptohen", vëren ai. Duket sikur ka dashur të kapë vetëm kulmet e ngjarjeve, por megjithatë detaji është karakteristikë themelore e këtij cikli, deri tek ato më të imtat, duke paraqitur zhvillimin e ngjarjeve nëpër beteja, organizimin e luftës, strategjinë luftarake të palëve ndërluftuese.
Poeti jep edhe shifra për numrin e ushtarëve që hyjnë në beteja, numrin e të vrarëve, të të plagosurve. Por, Kaçiq, sikur e kalon pa e spikatur sa duhet jetën emocionale intime, fëmijërore dhe rinore të heroit të poemës së tij. "Kështu, -thotë Jaku, formësimi i Skënderbeut si personazh dhe hero na duket paksa i kurdisur artistikisht dhe nganjëherë jashtë kuadrit të vërtetësisë jetësore". Sipas tij, e parë nga kjo pikë, Kaçiqi ka mëtuar që nga Skënderbeu të krijojë një hero ideal.
Personazhi i Skënderbeut të kroatit nganjëherë mbetet kontravers, duke vepruar ashtu si diktojnë kushtet, momentet dhe situatat, në të cilat sprovohet si hero. "Ai është përpjekur t'u shmanget shablloneve në profilizimin dhe në projektimin e personazheve vetëm bardh, por e projekton sipas skemës bardhezi", mendon Jaku. Ai shton më tej se Skënderbeun e Kaçiqit e shohim ngadhënjimtar në të gjitha betejat, por e shohim edhe të thyer e humbës, e shohim si urtak, por edhe si shumë të ashpër, edhe si mashtrues i armikut, por edhe atë të mashtruar nga armiku.
Pra, Skënderbeu i Kaçiqit nuk është idealizuar, nuk është deri në fund engjëll, që me shpatë t'i çajë malet. Ai nuk u përngjan personazheve të kreshnikëve të epikës legjendare ballkanike. Në poemën e Kaçiqit, në mbi 7OO strofa është arritur që të krijohet, të profilizohet relativisht mirë portreti fizik, moral, psikologjik dhe social i heroit.
"Përveç portretizimit të jashtëm dhe të botës së brendshme të heroit, Kaçiqi e ka paraqitur Skënderbeun edhe si strateg të shkëlqyer të luftës, organizator të jetës ushtarake, orator dhe së fundi, ndonëse mjaft zbehtë, edhe si diplomat dhe si njeri të epikës historike dhe legjendare", thekson profesor Jaku.
Poema e Kaçiqit ka rëndësi më të madhe historike e gjuhësore se sa letrare. Poeti në të spikat një prozodi me figuracion relativisht të ndërtuar mirë artistikisht. Aty hasim trope e figura të përdorura relativisht mirë. Nga figurat e tropet ka përdorur metaforën, epitetin, krahasimin, alegorinë, ironinë, sarkazmin etj. Nga fusha e metrikës, ndërkaq ka përdorur kryesisht katrenën si strofë më të preferuar, por aty këtu gjejmë edhe strofa me gjashtë vargje. Vargu i preferuar i Kaçiqit është dhjetërrokëshi.
Autori dhe lidhja me
Shkodrën
Andrija Kaçiq Mioshiq, poet dhe klerik, u lind në fshatin Brist të qytetit bregdetar Makarska të Dalmacisë (Kroaci) më 17 prill të vitit 1704, ndërsa vdiq në Zaostrog, më 15 dhjetor 1760) . Sipas disa shënimeve, familja e tij pas vdekjes së Skënderbeut, kishte zbritur në Dalmaci nga rrethi i Shkodrës. Baba i tij, Bartul Mioshiq ishte një fshatar i pasur. Antuni kishte dajë një françeskan të njohur, që i mundësoi shkollimin dhe orientimin për thirrjen e rregulltarit. Me të lindur u pagëzua me emrin Antun, kurse Andrija është emri i rregulltarit. Arsimimin fillor e kreu në një kishë të Zaostrogut 1716-21, në radhët e françeskanëve u pranua në vitin 1720, kurse studimet e teologjisë sipas të gjitha gjasave i ka mbaruar në Osijek. Duke e përfunduar me sukses shkollimin e parë në Zaostrog, Antuni më 10 mars të vitit 1720, me emrin don Andrija pranohet në rendin rregulltar në të njëjtën kishë. Pas studimeve të filozofisë e të teologjisë, të cilat ka të ngjarë t'i ketë filluar në Budimpesht (1721-1724) dhe i ka përfunduar në Osijek (1724-1728) Andrija më 22 maj të vitit 1728 në Shibenik u shugurua për klerik. Mirëpo i caktuar për shërbimin e arsimtarit në komunitetin e rregulltarisë, ai u desh që t'i përkushtohet studimit të mëtejmë 1728-1730, sigurisht në Itali, kështu që eprorët, më 20 maj 1730 e emërojnë profesor, kurse me 1734 zgjidhet mësues i moralit në Zaostrog. Ndërkohë, don Andrija, më 1731 në Mleci e dha provimin për profesor të përgjithshëm të teologjisë. Ka arritur tituj të lartë të rregulltarit françeskan, pastaj punoi si lektor.
Ka vdekur më 15 dhjetor 1760 nga kallja e mushkërive, sëmundje e fituar gjatë një kohë të vështirë, gjatë një stuhie, një përmbytjeje, ndërsa ndihmonte dy të varfër në Neretvë. Vepra e tij e parë u krijua gjatë periudhës së mësuesisë në Shibenik, në vitin 1737, që është doracaku i filozofisë propodeutike skolastike "Elementa peripatheticae". Ka botuar kronikën me titull "Korabljica"(1760), në të cilën ka sjellë pjesë të autorëve të tjerë. Vend të përhershëm në letërsinë kroate ka zënë me librin "Razgovor ugodni naroda slovinskog" ("Bisedat e këndshme të popullit sllav" më 1756. Në botimin e dytë të kësaj vepre, më 1759, numri i këngëve nga 41 shtohet në 136. Janë të shumtë ata që e konsideronin si një këngëtim popullor, me vargjet e këngës popullore në dhjetërrokësh. Popullaritet të theksuar arriti me këtë libër në të cilin poeti në prozë dhe në poezi flet për ngjarjet e lavdishme nga e kaluara e popullit sllav dhe e popujve fqinjë. Një cikël këngësh të këtij libri, poeti ia ka kushtuar bëmave të Skënderbeut. Stilin dhe vargun i ka huazuar nga këngët popullore. Për një kohë të gjatë ishte libri më i përhapur kroat, si një doracak patriotik popullor. Është ndër veprat më të vlefshme të letërsisë kroate të shekullit XVIII dhe ndër librat më të lexuar dhe me më shumë ribotime. Që nga botimi i parë më 1756 deri në vitin 1989 libri ka pasur 57 ribotime.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>