Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24430

Gjyqtaret e 21 janarit, vendime fajësie për 6 protestues të dhunshëm

$
0
0
Gjyqtaret e 21 janarit, vendime fajësie për 6 protestues të dhunshëm

Leonard Bakillari

Tiranë Dy vjet pas ngjarjeve të 21 janarit, në memorien e shumë njerëzve është fiksuar një i ri, veshur me xhup të bardhë, që godiste vazhdimisht me dru punonjësit e policisë që ndodheshin përpara rrethimit të Kryeministrisë. Ky person është identifikuar nga policia si shtetasi Jetmir Prenga, dhe më 6 qershor të vitit 2011 është dënuar me 6 muaj e 20 ditë burg për akuzën e “kundërshtimit të punonjësit të policisë”. Gjyqtarja që ka firmosur dënimin e tij është Ardiana Bera, e njëjta gjyqtare që më 7 shkurt, së bashku me dy kolegët e saj vendosi të japë pafajësi për ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe majorin Agim Llupo, të akuzuar nga prokuroria për tri vrasje të ndodhura në të njëjtën protestë. Dënimi i Jetmir Prengës është një nga gjashtë vendimet e marra prej dy gjyqtareve Bera dhe Gunbardhi, pjesëtare të trupës gjyqësore që firmosi pak ditë më parë vendimin e pafajësisë. Gjyqtaret Ariana Gunbardhi (Caco) dhe Ardiana Bera kanë dhënë nga tri vendime secila, duke dënuar me burg pesë protestues dhe vetëm njëri prej tyre është dënuar me gjobë.

Ka apo jo konflikt?

Pas shpalljes së vendimit për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, në duart e prokurorisë kanë rënë edhe vendimet e shpallura nga dy gjyqtaret për protestuesit e 21 janarit. Përgjatë vitit 2011, prokuroria hetoi ngjarjet e 21 janarit në dy drejtime: Vrasjet e katër protestuesve dhe plagosjen e 6 të tjerëve, si dhe kundërshtimin me dhunë të punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës në ngarkim të protestuesve. Gjatë kësaj kohe u dërguan për gjykim dhjetëra persona, të cilët nga pamjet filmike dhe fotografitë në vendin e ngjarjes kishin kryer veprime të dhunshme në demonstratë duke goditur punonjësit e policisë në detyrë. Shorti elektronik, ndër të tjera përzgjodhi edhe dy gjyqtaret, Ariana Caco dhe Ardiana Bera, për gjykimin e disa prej këtyre çështjeve. Në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës gjenden vendimet e dhëna nga dy gjyqtaret, ku Ardiana Bera ka dënuar të pandehurit Jetmir Prenga, Bledar Tusha dhe Lind Ndreu për akuzën e “kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë”. Po për të njëjtën akuzë, kolegia e saj Ariana Caco ka dënuar me burg të pandehurit Liri Halili, Lavdim Balla dhe me 120 mijë lekë gjobë të pandehurin Lefter Mice. Por a përbëjnë këto vendime shkak për papajtueshmëri mes gjyqtareve Bera-Caco dhe çështjes me të pandehur gardistët? Gjithçka ka të bëjë me interpretimin ligjor të nenit 17 dhe 18 të Kodit të Procedurës Penale. Disa juristë të kontaktuar nga “Mapo” u shprehën të ndarë lidhur me këtë fakt, pasi tre prej tyre thanë se gjykimi i protestuesve nuk përbën shkak për papajtueshmërinë e dy gjyqtareve. Ndërsa juristë të tjerë deklaruan se prokuroria duhej ta kishte ngritur që në fillim të procesit këtë pretendim. Ata janë të mendimit se një arsye e tillë është e mjaftueshme që Gjykata e Apelit të kthejë çështjen për rigjykim në Shkallën e Parë. Dy palët kryesore në këtë proces, prokuroria dhe gjykata nuk janë shprehur ende zyrtarisht lidhur me këtë diskutim, por burimet thonë se do të diskutohet nëse qëndrimi i mëparshëm i dy gjyqtarëve do të jetë apo jo pjesë e ankimit që akuza pritet të bëjë në Gjykatën e Apelit. Ky interpretim ligjor mbetet tashmë në duart e prokurorisë, edhe pse gjatë procesit gjyqësor nuk pati asnjë kërkesë papajtueshmërie për gjyqtaret Ariana Caco dhe Adriana Bera.



Vendimet

Ardiana Bera

Vendim nr.1325 datë 27.09.2011, i pandehuri Bledar Tusha dënohet me 10 muaj burg

Vendim nr.905 datë 06.06.2011, i pandehuri Jetmir Prenga dënohet me 6 muaj e 20 ditë burg

Vendim nr.1095 datë 05.07.2011, i pandehuri Lin Ndreu dënohet me 8 muaj burg

Ariana Gunbardhi (Caco)

Vendim nr.1624 datë 15.11.2011, i pandehuri Liri Halili dënohet me 1 vit e 4 muaj burg

Vendim nr.1495 datë 27.10.2011, i pandehuri Lavdim Balla dënohet me 6 muaj e 10 ditë burg

Vendim nr.942 datë 10.06.2011, i pandehuri Lefter Mice dënohet me 120 mijë lekë gjobë



Nenet e diskutueshme

Neni 17


Heqja dorë

1. Gjyqtari ka për detyrë të heqë dorë nga gjykimi i çështjes konkrete:

a) kur ka interes në procedim ose kur një nga palët private ose një mbrojtës është debitor a kreditor i tij, i bashkëshortit ose i fëmijëve të tij;

b) kur është kujdestar, përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit ose i njërës nga palët private ose kur mbrojtësi a përfaqësuesi i njërës prej këtyre palëve është gjini e afërt e tij ose e bashkëshortit të tij;

c) kur ka dhënë këshilla ose kur ka shfaqur mendim mbi objektin e procedimit;

ç) kur ekzistojnë mosmarrëveshje ndërmjet tij, bashkëshortit ose ndonjë të afërmi të tij me të pandehurin ose njërën prej palëve private;

d) kur ndonjë prej të afërmve të tij ose të bashkëshortit është cenuar ose dëmtuar nga vepra penale;

dh) kur një i afërm i tij ose i bashkëshortit kryen ose ka kryer funksionet e prokurorit në të njëjtin procedim;

e) kur ndodhet në një nga kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara nga nenet 15 dhe 16;

ë ) kur ekzistojnë shkaqe të tjera të rëndësishme njëanshmërie.



Neni 18

Përjashtimi i gjyqtarit


1. Palët mund të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit:

a) në rastet e parashikuara nga nenet 15, 16 dhe 17;

b) kur gjatë ushtrimit të funksioneve dhe para se të jetë dhënë vendimi ai ka shfaqur mendimin e tij mbi faktet ose rrethanat objekt procedimi.

2. Gjyqtari nuk mund të japë ose të marrë pjesë në dhënien e vendimit derisa të jepet vendimi që e deklaron të papranueshme ose që e rrëzon kërkesën e përjashtimit.

MAPO

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24430

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>