Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24453

Rinia Orthodhokse

$
0
0
Rinia Orthodhokse

në 20-vjetorin e Ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

(1992-2012)


† Asti, Episkopi i Bylisit

20-vjetori i Ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që festojmë këtë vit, përbën njëkohësisht edhe përvjetorin e rilindjes së Rinisë Orthodhokse. Kryepiskopi Anastas, rindërtuesi dhe riorganizuesi i kësaj Kishe të shumëvuajtur, tregoi vëmendje dhe kujdes të veçantë që rinia të mos ishte vetëm e ardhmja, por edhe tashmja e saj. Ai e orientoi, e drejtoi dhe e mbështeti shpirtërisht e financiarisht, të gjithë jetën, veprimtarinë dhe organizimin e rinisë drejt qëllimit të bashkimit dhe pjesëmarrjes në Trupin e Krishtit, duke e mbështetur në këto katër parime: rritja në Krishtin, miqësia, dëshmia dhe shërbimi. Të rinjtë morën përsipër të jetonin, të predikonin e të shërbenin si “Bijtë e Dritës” (Efes.5:8), ashtu siç morën edhe emrin.

Rinia Orthodhokse përjetoi dhe përjeton gëzimin e besimit të krishterë si besim personal, të lirë e të vullnetshëm, por edhe si vazhdim ose rikthim në besimin e paraardhësve. Besim që e rilindi në Krishtin, që i jep kuptim dhe dashuri jetës, besim që bën ndryshime në jetën personale, por edhe në atë komunitare e sociale. Besim që ofron jetë dhe vizion të përjetshëm.

Rinia Orthodhokse, kjo forcë e madhe e Kishës sonë, përjetoi fuqishëm këtë jetë të re me Zotin, duke kontribuuar me dinamizmin e vet në ringritjen nga gërmadhat e shkatërrimit dhe persekutimit shumëvjeçar ateist-komunist dhe duke organizuar në vazhdim jetën e saj në të gjithë vendin me kuadrot e dalë prej gjirit të saj.

Në gjithë këtë përjetim, gjithsecili ndien dhe kupton se të kërkosh që në rininë tënde Zotin dhe të jetosh me Të, është një bekim i madh nga vetë Ai, gjë e cila solli ringritjen dhe rithemelimin e jetës së rinisë orthodhokse.

Le të kujtojmë...


Duhet të kujtojmë se nuk jemi shumë larg nga përmbysja e sistemit totalitar ateist-komunist, i cili për 45 vjet indoktrinoi në thellësi breza të tërë, individë dhe familje, me parimet e mosekzistencës së Perëndisë e të mosbesimit të parimeve hyjnore, si edhe reklamimin e mënyrës së jetesës ateiste-komuniste. Paralelisht mbylli e shkatërroi institucionet fetare dhe ndërtesat e tyre (kishat dhe xhamitë), përqeshi dhe poshtëroi figurën e klerikëve e të besimtarëve, po kështu ndaloi ushtrimin e veprimtarisë adhuruese e predikuese të tyre, dhe në vazhdim izoloi, persekutoi, shkatërroi e vrau ata që guxonin të shfaqnin e të predikonin besimin e tyre fetar. Shoqëria, familja dhe rinia e viteve të para të lirisë e demokracisë (1992 e në vazhdim), ishte brumosur, arsimuar dhe edukuar me këtë mendësi, gjurmët e së cilës i hasim edhe sot e kësaj dite në realitetin shqiptar.

Këtij kuadri i shtohet në ditët e sotme edhe mosinformimi rreth besimit për Perëndinë në sistemin arsimor publik.

* * *

Në këta 20 vjet, me plot përpjekje dhe vështirësi, të gjithë ata që e donin Perëndinë dhe e morën seriozisht jetën me Të, vendës edhe miq dashamirës të huaj orthodhoksë, ofruan mundësitë dhe mundin e tyre në rithemelimin e jetës së krishterë në realitetin shqiptar.

Tashmë edhe ndërtimi i 150 kishave të reja, rikonstruktimi i 160 të tjerave, 60 kishave monument kulture, blerja, ndërtimi dhe rikonstruksioni i 70 godinave të tjera për shërbime të ndryshme kishtare, sociale, mes tyre dhe i qendrave të shumta rinore, i japin mundësi Rinisë Orthodhokse në zhvillimin e jetës dhe veprimtarisë adhuruese, administrative, sociale e argëtuese rinore.

* * *

Rritja në Krishtin Kisha përbën burimin e njohjes dhe rritjes së besimit në Krishtin.

Njohja dhe rritja në Krishtin u realizua dhe realizohet paralelisht nëpërmjet pjesëmarrjes aktive dhe të vazhdueshme, në dy drejtime: së pari në adhurimin hyjnor, dhe së dyti, në studimin e Besimit tonë të Krishterë Orthodhoks.

Në adhurimin hyjnor kjo kryhet nëpërmjet pjesëmarrjes personale dhe të përbashkët në shërbesat kishtare të ditës (të Mëngjesit, të Mbrëmjes, të Pasdarkës etj.), në Liturgjitë Hyjnore të të dielave dhe ditëve të kremte, si dhe në Misteret e Kishës (Pagëzimi, Pendim-Rrëfimi, Martesa, Bekimi i Vajit [Efqelia], Bekimi i Ujit [Ajazma] etj.).

Ndërsa njohja e Besimit tonë Orthodhoks kryhet nëpërmjet studimit të Shkrimit të Shenjtë dhe Traditës së Shenjtë të Kishës Orthodhokse në dy nivele: a) nëpërmjet takimeve të përbashkëta: të katekizmit sistematik, takimeve shpirtërore, biblike, referateve, konferencave, si dhe b) nëpërmjet studimit dhe leximit vetjak të literaturës kishtare, të botimeve të Kishës Orthodhokse në libra, gazeta “Ngjallja”, revistat “Kambanat”, “Tempulli”, “Kërkimi”, në internet në faqen zyrtare www.orthodoxalbania.org, ose në gjuhë të huaja të Kishave të tjera Orthodhokse, në forume, facebook e blog orthodhoksë, si edhe nëpërmjet dëgjimit të emisioneve në Radion “Ngjallja” Fm 88.5 Hz.


Miqësia

Ky besim dhe kjo jetë me Krishtin solli krijimin e një shoqërie të krishterësh që ka si bazë rritjen në Krisht. Kjo jetë nuk solli vetëm zgjerimin e një shoqërie personale, por edhe krijimin e një vëllazërie dhe të një mbështetjeje më të madhe, brenda e jashtë qytetit e fshatit ku jeton kjo rini.

Kjo lidhje dhe miqësi midis të krishterësh u realizua fillimisht nëpërmjet mbledhjeve të të rinjve dhe krijimit të lidhjeve me rinitë orthodhokse të qyteteve dhe fshatrave.

Nga mbledhjet e përbashkëta në aktivitete të ndryshme shpirtërore, sociale, edukuese e kulturore, u arrit një shoqëri dhe miqësi e krishterë e organizuar, e cila ofroi dhe ofron mbështetje mes vetë të rinjve, si në jetën shpirtërore ashtu edhe atë shoqërore, madje duke u lidhur akoma edhe më ngushtë, d.m.th. në krijimin e familjeve të reja.

Me formimin e grupeve të shumta rinore dhe katekiste në qytete dhe fshatra u krijua lidhja dhe zgjerimi i miqësimit mes tyre në nivelin mitropolitan dhe atë kombëtar. Kjo u realizua që në fillim nëpërmjet takimeve, ekskursioneve, pelegrinazheve, shkëmbimit të eksperiencave, konferencave, trajnimeve, kampingjeve të përvitshme verore (nga viti 1995 e në vazhdim), festivaleve të përvitshme e të njëpasnjëshme (nga viti 1998 e në vazhdim), veprimtarive sportive, olimpiadave, spartakiadave, dhe viteve të fundit edhe nëpërmjet facebook-ve rinore orthodhokse në internet.

Gjatë gjithë kësaj kohe u krijua një shoqëri dhe miqësi që vazhdon edhe në hapat e mëtejshëm të jetës shoqërore e profesionale, në jetën martesore e familjare, gjithashtu edhe në jetën përkushtuar Zotit (katekistë e klerikë). Tashmë të rritur në moshë, me detyra dhe angazhime të ndryshme në shoqëri, vazhdojnë të jetojnë me Zotin, ashtu siç nisën, në forma, ritme e nivele të ndryshme, duke përbërë tashmë një pjesë të konsiderueshme të familjarëve që vijnë në kishë rregullisht dhe rriten së bashku në Krishtin.

Ndërkohë miqësia e krishterë u shtri edhe përtej kufijve me vëllezërit e motrat të të njëjtit besim në Krishtin nëpërmjet vizitave, takimeve dhe konferencave ndërkombëtare: në veprimtaritë e Lidhjes Rinore Orthodhokse “Syndesmos” (nga viti 1993 e në vazhdim), të asaj orthodhokse ballkanike “Boya” (nga viti 1992 e në vazhdim), takimeve me vizitorë të huaj në vendin tonë nga Greqia, Amerika etj.

Kështu, rinia ofroi ndihmë me nivelin dhe potencialin e vet në bashkimin e të krishterëve të rinj rreth Kishës, por edhe mes njëri-tjetrit.


Dëshmia

Rinia Orthodhokse ofroi dhe ofron një kontribut të madh në dhënien e dëshmisë së krishterë orthodhokse në komunitetin e saj dhe më gjerë në shoqërinë shqiptare. Me zellin e vizionit të ri të krishterë, të përjetimit të këtij besimi, si dhe të zbatimit të porosisë së Krishtit “Shkoni e predikoni” (Mt.28:19) ajo zhvilloi dëshminë e saj kudo që ndodhej, si një shërbim apostolik në ditët e sotme: me takime të rregullta dhe spontane, në kisha, në rrënoja kishash të vjetra, në shtëpi besimtarësh, në biseda mes të rinjsh e familjarësh, në natyrë e ambiente shkollore e universitare etj.

Kontributi i saj u shtri në organizimin dhe ofrimin në: a) predikime dhe katekizëm; b) shkrime e botime; c) emisione në radion “Ngjallja”, por edhe në radio e televizione të ndryshme; ç) në rrjetet sociale në internet (facebook, forume e blog); d) në muzikë, duke ngritur kore për shërbesat kishtare, për festat e krishtera tradicionale (p.sh. kolendrat), por edhe grupe me këngë e valle për aktivitetet e festivalet rinore, duke rigjallëruar kështu edhe traditën kulturore të vendit; dh) gjithashtu edhe nëpërmjet arteve të tjera, mes tyre dhe punimeve artizanale, duke ofruar dhe shumëfishuar simbole të krishtera (kryqe, komboskinë, ikona etj.) në dobi të fuqizimit të jetës së krishterë.

Anëtarët e saj predikuan e katekizuan si klerikë, si teologë, si katekistë, por edhe si besimtarë të thjeshtë me arsim dhe profesione të ndryshme. Dëshmia e tyre iu drejtua të papagëzuarve (katikumenë) dhe të pagëzuarve, fëmijëve, adoleshentëve, studentëve, por edhe të rriturve e të moshuarve, në qytete dhe fshatra, orthodhoksë dhe jo orthodhoksë. Me kontributin e tyre sollën në Kishë, duke i bërë anëtarë të Saj, edhe familjarët, farefisin dhe shoqërinë e tyre. Rinia nuk predikoi vetëm me fjalë, por edhe me shembullin dhe jetën e saj, duke e shoqëruar me mendime, me lutje, me punë dhe kontribut.


Shërbimi


Rinia Orthodhokse gjatë dy dekadave kontribuoi dhe kontribuon duke shërbyer paralelisht në dy drejtime: 1) në shërbim të Kishës (komunitetit orthodhoks); 2) por edhe në shërbime sociale e bamirëse në shoqërinë shqiptare. Ajo ndjeu gëzimin e mësimit, të kontributit dhe të bashkëpunimit me më të rriturit në programet e së tashmes, por edhe në projektet e së ardhmes, të Kishës dhe të Rinisë.

Anëtarë të saj ofruan veten e tyre në jetën përkushtuar Zotit si katekistë, psaltë e klerikë të martuar (dhjakonë, priftërinj) apo edhe të pamartuar (murgj, hieromonakë, episkopë). Detyrat dhe përgjegjësitë e tyre preknin çdo aspekt të jetës së Kishës: atë adhuruese, baritore, katekizuese, predikuese, organizuese, administrative, të shërbimit, ndërtimit, komunikimit etj. Me të vërtetë, kjo rini jetoi me përgjegjësi dhe realitet fjalët e Krishtit “Të korrat janë të shumta, por punëtorët janë të paktë” (Mt.9:37 dhe Llk.10:2). Kështu, ajo kontribuoi në më shumë se 1/2 e të gjithë studentëve të diplomuar në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” të Durrësit (1/2 e 160 klerikëve dhe 3/4 e 90 studentëve laikë [djem e vajza]), duke ofruar gjithë këto vite kontributin dhe mundin e saj për shtimin e punëtorëve të Ungjillit dhe fuqizimin e strukturave kishtare. Kjo shkollë përbën institucionin e vetëm për krijimin dhe formimin e kuadrove në vend me formim dhe edukim teologjik, duke i shtuar dhe i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, dhe si rrjedhojë, duke e themeluar, fuqizuar dhe zgjeruar veprën kishtare, predikuese dhe adhuruese në vend.

Kontributi i rinisë vazhdoi edhe me aktivizimin dhe punësimin e mjaft anëtarëve të saj në rolin e teologëve e pedagogëve në Akademinë Teologjike (në Sh. Vlash të Durrësit) dhe në shkollat e mesme kishtare (Gjirokastër dhe Sukth të Durrësit), si edhe në shërbime e detyra në administratën kryepiskopale e mitropolitane dhe të edukimit të krishterë: të Rinisë, Katekizmit, Fëmijëve, të Ndihmës sociale, Radios “Ngjallja” etj. Gjithashtu të rinj me profesione të ndryshme, ofrojnë talentet dhe profesionalizmin e tyre si të punësuar edhe në institucionet e tjera të Kishës: në kopshtet për fëmijë (në 17 kopshte në të gjithë vendin), në shkollat 9-vjeçare (Tiranë, Durrës e Gjirokastër), në shkollat e mesme kishtare, në shkollën teknike profesionale (Mesopotam të Delvinës), në Universitetin “Logos” (Tiranë), në Akademinë Teologjike, në Institutet e Formimit Profesional (Tiranë e Gjirokastër); në qendrat diagnostike (Tiranë, Korçë, Lushnjë, Jergucat të Gjirokastrës) etj.

Rinia vazhdon të ofrojë shërbimin e saj vullnetar, social e bamirës, të pandërprerë, pa dallim feje, në shoqërinë shqiptare: mbështetje shpirtërore e sociale, ndihma ushqimore e veshmbathjeje, dhurim gjaku etj. për njerëz të ndryshëm në nevojë, të varfër, të sëmurë, njerëz me aftësi të kufizuara, jetimë, të moshuar, të braktisur, me vizita në shtëpi por edhe në institucione publike: azile, jetimore, burgje, spitale etj.

Krahas tyre rinia ofron kontributin e saj edhe me iniciativa e aktivitete argëtuese (p.sh. kampet në Kosovë), kurse të ndryshme (gjuhësh të huaja, muzike, gatimi etj.), por dhe me kujdesin dhe pastrimin e mjedisit nëpër kisha dhe në atë publik.


Strukturat rinore

Të rinjtë që u arsimuan në teologji, brenda dhe jashtë vendit, u bënë në vazhdim kuadro të Kishës, duke vazhduar projektet që ngritën drejtuesit e tyre, duke përdorur jo vetëm përvojën e më të rriturve, por edhe frymëzimin vetëkrijues. Kjo fuqi rinore orthodhokse dinamike, e organizuar tashmë në struktura specifike të kualifikuara (që nga viti 1999), me kuadro, projekte dhe programe, në rang kryepiskopate dhe mitropolitane, mbështeti 52 lidhje rinore që ngriti.

Zyrat e Katekizmit, të Fëmijëve e të Rinisë, kanë një vizion të qartë misionar rreth nevojave që paraqet vepra ungjillore në zona të ndryshme të vendit. Kështu, në vitin 2011-2012 këto struktura së bashku me studentë të Akademisë Teologjike kryejnë çdo javë katekizmin sistematik në mbi 135 grupe, duke katekizuar kështu mbi 2400 fëmijë e të rinj, në mbi 90 qendra në qytete e fshatra të Shqipërisë. Përveç ungjillëzimit dhe formimit shpirtëror, ato kontribuojnë nëpërmjet programeve social-edukuese e kulturore edhe në informimin dhe përballimin e problemeve sociale të moshës përkatëse (komunikimit, marrëdhënieve, cigares, alkoolit, drogës etj.). Po kështu ato përpiqen edhe në organizimin, nxitjen dhe dinamizmin e grupeve të fëmijëve e të rinjve, madje edhe në ngritjen e grupeve të reja dhe koordinimin e tyre.

Këto struktura nëpërmjet programeve financuese të Kryepiskopatës së Tiranës ose edhe të Mitropolive ku bëjnë pjesë (Beratit, Korçës, Gjirokastrës), si edhe në bashkëpunim me Zyrën e Projekteve dhe Ndihmës Sociale të Kishës (Diakonia Agapes) u përpoqën dhe përpiqen të sigurojnë kushtet e përshtatshme të funksionimit dhe edukimit të Rinisë Orthodhokse me aktivitete, trajnime, iniciativa e projekte vetëfinancimi, të krijimit të ambienteve të përshtatshme, mobilimit dhe pajisjeve elektrike, elektronike, bibliotekave, veglave muzikore etj.

* * *

Kjo jetë rinore më Krishtin, e pasuruar dhe e rigjeneruar me përvoja të ndryshme për 20 vjet rresht, me të rinj të mundësive dhe aftësive të ndryshme, vazhdon të jetë sot një forcë e madhe që ofron dinamizmin e vet jetës dhe veprimtarisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Ngjallja,
Shtator 2012

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24453


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>