Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372

FC Prishtina, e gatshme të regjistrohet në Shqipëri

$
0
0
PRISHTINE- FC Prishtina ka filluar të përgatisë dokumentacionin për regjistrim në territorin e Shqipërisë, me të cilin do të kërkoj që të bëhet pjesë e Superligës së Shqipërisë në futboll. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi.

Zyrtarët e ekipi prishtinas pritet që gjatë javës së ardhshme të udhëtojnë në Tiranë dhe edhe zyrtarisht të dorëzojnë kërkesën për regjistrim në Bashkinë e Tiranës apo ndonjë tjetër bashki. “Kemi angazhuar avokatë dhe jemi në pjesën përfundimtare të kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm për të dorëzuar kërkesën për regjistrim si klub në territorin e Shqipërisë”, tha Ejupi.

“Besoj se në këtë drejtim nuk duhet të ballafaqohemi me ndonjë problem pasi që klubi vepron si shoqëri aksionare. Fillimisht kërkesën për regjistrim planifikojmë ta bëjmë në Tiranë, por nuk prish punë nëse këtë duhet ta bëjmë në ndonjë qytet tjetër, pasi që bëhet fjalë vetëm regjistrim dhe roli i qytetit ka pak rëndësi këtu”, shtoi presidenti i FC Prishtina.

Klubin më të trofejshëm të futbollit kosovar, i cili ishte edhe inicatorë për bashkimin e futbollit shqiptarë në tërësi, e kanë trimëruar që t’i shkojë kësaj pune deri në fund deklaratat e fundit të kryeministrit shqiptar, Sali Berishës, se ka ardhur koha të bashkohet futbolli shqiptar dhe se klubet e Kosovës duhet të regjistrohen në Shqipëri, për ta bërë ëndrrën e bashkimit realitet.

Numri një i bardhekaltërve beson se do të ketë mirëkuptim për kërkesën e tyre nga pala shqiptare, në këtë rast të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubeve shqiptare të Superligës së Shqipërisë. “Pas regjistrimit të klubit në Shqipëri do të bëjmë kërkesë pranë FSHF-s që të bëhemi pjesë e Superligës dhe në këtë drejtim pres një mirëkuptim dhe një përgjigje pozitive nga ky asociacion. Normalisht këtu pres edhe pëlqimin e klubeve elite shqiptare”, tha në vazhdim Ejupi, duke shtuar se asnjë vendim tjetër përveç Superligës, nuk vjen në shprehje.

“Jo vetëm Prishtina, por edhe së paku një klub tjetër kosovar duhet të ndjekë rrugën saj, pra të kyçet në Superligën shqiptare”. Presidenti i FC Prishtina thotë se nuk është e interesuar t’i shkaktojë telashe FSHF-s me FIFA dhe UEFA, por vlerëson se do të punojë me krerët e FSHF-s për ta gjetur mundësinë e realizimit të idesë së bashkimit të futbollit. “E dimë se problem mund të paraqesë FIFA dhe UEFA, por ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku me FSHF dhe gjejmë modalitetet drejt realizimit të idesë së bashkimit të futbollit. Ne do të ndjekim që gjitha procedurat e duhura dhe përfundojmë këtë proces dhe që nga sezoni i ardhshëm të jemi pjesë e Superligës së Shqipërisë”, tha Ejupi.

Marre nga BalkanWeb.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372