Shefi i diplomacisë shqiptare Panariti: Marrëdhëniet me IRJM varen nga statusi i shqiptarëve
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti, iu ka shmangur përdorimit të emrit kushtetues kur ka folur për raportet me Maqedoninë, duke e quajtur atë me emrin e përkohshëm për përdorim ndërkombëtar FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).
Në një prononcim për "Deutche Welle", kryediplomati shqiptar ka folur mbi raportet me Greqinë dhe Maqedoninë, duke paralajmëruar se nga mënyra si do të sillet Shkupi zyrtar, do të varet e ardhmja e lidhjeve mes dy vendeve.
"Për sa i takon ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ecuria e marrëdhënieve me këtë shtet do të kushtëzohet me shkallën e respektimit të të drejtave të shqiptarëve, përfshirjen e duhur të tyre në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit, sipas detyrimeve të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit", ka theksuar Panariti.
Panariti u shpreh se ka pasur kontakte të vazhdueshme me homologun maqedonas NikollaPopovski, si dhe me krerët e partive politike shqiptare, "duke i inkurajuar dhe te zbatojnë detyrimet që rrjedhin për palët nga Marrëveshja e Ohrit si baza e bashkëjetesës dhe e bashkëqeverisjes për vendin". /albeu.com/