1. Njohja e vetvetes
Njohja e vetvetes është çelësi i njohjes së Zotit, siç thotë edhe hadithi i famshëm Ai që e njeh veten, e njeh edhe Zotin dhe siç është shkruar qartë në Kuran:
Ne do t`ua tregojmë shenjat Tona në horizonte dhe në veten e tyre, derisa ta kenë të qartë se kjo është e vërteta...(Kuran 41:53)
Dije se asgjë se ke më pranë se veten. Si mund të njohësh diçka tjetër pa e njohur veten tënde? Po të thuash e njoh veten, duke nënkuptuar formën tënde të jashtme, trupin, fytyrën, krahët e këmbët, dije se një dituri e tillë ska për të të çuar tek njohja e Zotit. Dhe nga ana tjetër, edhe kur dituria jote të jetë e llojit që të bën të hash kur je i uritur e ta sulmosh dikë kur je i zemëruar, sdo të kesh dallim nga një kafshë. Njohja e vërtetë e vetvetes është përgjigja e pyetjeve në vijim:
Çje ti në veten tënde dhe nga ke ardhur? Nga je duke shkuar dhe me çqëllim ke ardhur në këtë botë? Çështë lumturia dhe dëshpërimi yt i vërtetë?
Disa tipare tuajat janë tipare kafshësh, disa janë tipare të djallit dhe disa të ëngjëjve. Ti duhet të kuptosh se cilat prej tyre i takojnë esencës tënde dhe cilat janë të përkohshme. Pa e ditur këtë, kurrë ske për të kuptuar se ku fshihet lumturia e vërtetë. Puna e kafshës është ushqimi, fjetja e lufta. Andaj, nëse je një kafshë, vazhdo dhe merru me këto punë! Djajtë janë të zënë me përhapjen e të ligave dhe me mashtrime dhe nëse mendon se u takon atyre, atëherë vepro si veprojnë ata! Në anën tjetër, ëngjëjt e përsiasin bukurinë e Zotit dhe janë të pastër nga tiparet shtazarake. Po të jesh i një natyre ëngjëllore, atëherë hapëro drejt zanafillës tënde, që të mund të njohësh dhe ta përsiatësh më të Lartësuarin e të shpëtosh nga mbretëria e dëshirave dhe e zemërimit. Përveç kësaj, ti duhet të kuptosh përse të janë falur këto instinkte shtazarake. A është vallë kjo që ti tu nënshtrohesh dhe të robërohesh prej tyre ose përkundrazi, që ti nënshtrosh ato gjatë zhvillimit tënd së larti, duke e bërë njërën kafshë për të kalëruar e tjetrën armë në luftën tënde.
Hapi i parë i vetënjohjes është që të kuptosh se ke një formë të jashtme që quhet trup dhe një esencë të brendshme që quhet shpirt ose zemër. Dhe kur them zemër, nuk nënkuptoj atë copë mishi në të majtë të trungut tonë por atë pjesë të qenies sonë që i përdor të gjitha pjesët e tjera si shërbetorë dhe mjete të saj. Në të vërtetë, zemra nuk i takon botës së dukshme por asaj të padukshmes dhe ka ardhur në botë njësoj siç vjen udhëtari në një vend të huaj për hir të tregtisë, për tu kthyer më pas në vendlindjen e tij. Pikërisht njohja e saj dhe e tipareve të saja është çelësi i njohjes së Zotit.
Një përshtypje në lidhje me realitetin e zemrës ose të shpirtit mund të përfitohet kur njeriu ti mbyllë sytë për një çast dhe të harrojë gjithçka që ka rreth vetes përveç individualitetit të tij. Në këtë mënyrë, ai do ti hedhë një vështrim edhe natyrës së pafundme të këtij individualiteti. Megjithatë, një hulumtim i tepërt i esencës së shpirtit është i ndaluar nga Ligji. Kurani thotë:
Dhe për shpirtin do të pyesin. Thuaj: shpirti është nga urdhri i Zotit tim...(Kuran 17:85-86)
Për të dihet aq sa të mund të thuhet se është një esencë e pacopëtueshme e botës së urdhrave, që nuk është e përjetshme por e krijuar. Një njohje e saktë filozofike e shpirtit nuk është një parakusht i nevojshëm për të ecur rrugës së fesë por vjen më shumë si rezultat i vetëdisiplinës e vendosmërisë në këtë rrugë, siç thotë edhe Kurani:
E ata që përpiqen për Ne, kemi për ti udhëzuar rrugëve Tona...(Kuran 29:69)
Për vazhdimësinë e këtij rrugëtimi shpirtëror, nëpërmjet të cilit përfitohet njohja e vetvetes dhe e Zotit, trupi mund të paramendohet si një mbretëri, shpirti si mbreti i saj dhe shqisat dhe pjesët e ndryshme të trupit si një ushtri. Arsyeja mund të konsiderohet veziri (këshilltari) i mbretit, dëshirat si tatimmbledhësit dhe zemërimi si xhandarmëria. Me pretekstin e mbledhjes së tatimeve, dëshirat gjithnjë janë të gatshme të plaçkisin për interesat e tyre, ndërkohë që zemërimi është gjithnjë i prirë drejt ashpërsisë së tepëruar. Që të dy këto pjesë, pra tatimmbledhësi dhe xhandarmëria duhet gjithnjë ti binden mbretit, megjithëse pa u shkatërruar tërësisht, sepse në fund të fundit, të dyja i kanë funksionet e tyre të veçanta. Por kur dëshirat dhe zemërimi e nënshtrojnë arsyen, atëherë edhe shpirti rrënohet sakaq. Një shpirt, i cili lejon që tiparet e tija sipërore tu nënshtrohen tipareve dytësore, është si dikush që e lë një ëngjëll nën urdhrat e një qeni ose si ai që e vendos një musliman nën tiraninën e një mohuesi të besimit.
Kultivimi i tipareve djallëzore, shtazarake ose ëngjëllore do të sillte si pasojë edhe krijimin e një karakteri përkates, i cili do të manifestohej në një formë të dukshme në Ditën e Gjykimit, ku dëshirat do të shfaqen në formë të një derri, djallëzitë në formë të qenve e të ujqërve dhe pastërtia në formën e ëngjëjve. Qëllimi i disiplinës morale është pastrimi i zemrës nga ndryshku i dëshirave dhe i mllefit, derisa ajo ta pasqyrojë dritën e Zotit si një pasqyrë e qartë.
Këtu dikush mund të kundërshtojë dhe të thotë: Por nëse njeriu është krijuar me tipare shtazarake dhe djallëzore, po aq sa me tipare ëngjëllore, si do ta dijmë se njëra është esenca e tij e vërtetë dhe tjetra vetëm kalimtare dhe e rastësishme? Si përgjigje, do të themi se esenca e çdo krijese duhet të kërkohet në atë që është më e lartësuar tek ajo dhe që më së shumti i takon asaj. Edhe kali edhe gomari janë kafshë që mbajnë ngarkesa por kali është më sipëror falë funksionit që mund ta ketë në fushëbetejë. Në rastin kur një kalë nuk kryen punë në fushëbetejë, ai ska dallim nga kategoria e gomerëve.
E njejta ndodh edhe me njeriun: gjëja më e lartësuar tek ai është arsyeja, e cila e bën të aftë për tu përsiatur në lidhje me Zotin. Nëse arsyeja dominon tek njeriu, ai i lë pas të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me dëshirat dhe me zemërimin dhe bëhet i aftë për të qëndruar në shoqëri të ëngjëjve. Kur bëhet fjalë për tiparet e tija thjesht shtazarake, njeriu është shumë më poshtë se niveli i kafshëve. Është pikërisht arsyeja që e bën njeriun sipëror ndaj tyre, siç është thënë edhe në Kuran:
A nuk e shihni se Zoti ka nënshtruar për ju gjithçka që është mbi tokë...(Kuran 22:65)
Por kur të mbisundojnë ato prirje të ulta të njeriut, ai gjithnjë do të vështrojë drejt tokës dhe do ta ndjejë mungesën e kënaqësive të kësaj jete.
Arsyeja tek njeriu pasqyrohet në fuqinë dhe në diturinë e tij. Nëpërmjet saj, njeriu arrin ti zotërojë artet dhe shkencën, të kalojë për një çast nga toka në qiej, ta vizatojë hartën e yjve dhe ta masë largësinë ndërmjet tyre. Sërish nëpërmjet arsyes, njeriu mund të gjuajë peshq nga detërat dhe zogj nga ajri ose të nënshtrojë kafshë si elefanti, deveja dhe kali. Pesë shqisat e njeriut janë si pesë dyer që hapen drejt botës së jashtme por më e bukur së të gjitha këto është zemra e tij, ajo dritare që hapet drejt botës së shpirtrave. Gjatë gjumit, kur rrugët e shqisave janë të mbyllura, kjo dritare hapet dhe njeriu fiton disa përshtypje nga kjo botë e padukshme, ndonjëherë duke e parë edhe vetë ardhmërinë e tij. Atë çast, zemra e tij është si një pasqyrë ku pasqyrohet ajo që është në Librin e Fatit. Por edhe gjatë gjumit, gjërat e kësaj bote e turbullojnë pasqyrën dhe imazhet që i shfaqen nuk janë të qarta. Megjithatë, pas vdekjes mendimet e tilla shihen në realitetin e tyre të zhveshur siç thotë edhe vetë Kurani:
...tani e kemi ngritur mbulesën nga sytë e tu dhe të qartë e ke vështrimin...(Kuran 50:22)
Kjo hapje e dritares drejt botës së padukshme mund të ngjajë edhe në rrethana që janë të ngjashme me atë të frymëzimit profetik, kur intuita paraqitet në mendje, e papërcjellë nëpërmjet ndonjë shqise. Sa më tepër që ta pastrojë veten nga dëshirat trupore dhe të përqëndrohet tek Zoti, aq më tepër do të jetë i vetëdijshëm njeriu për intuitat e tilla. Ata që nuk janë të vetëdijshëm për ekzistencën e tyre, nuk kanë të drejtë ta mohojnë këtë realitet.
Intuitat e tilla nuk janë të rezervuara vetëm për ata që e kanë gradën e profetit. Njësoj si hekuri që mund të shdnërrohet në pasqyrë po të lëmohet sa duhet, edhe mendja e njeriut, duke e ndjekur një disiplinë të caktuar, mund të vijë në gjendje për ta pranuar intuita të tillë. Pikërisht për këtë të vërtetë flet Profeti kur thotë se çdo fëmijë lind me prirje drejt Islamit. Janë prindërit e tij që pastaj e bëjnë çifut, të krishter ose adhurues të yjve.
Çdo qenie njerëzore e ka dëgjuar në thellësi të vetëdijes së saj pyetjen A nuk jam unë Zoti juaj? dhe është përgjigjur me një po të qartë. Por disa zemra janë aq të ngjashme me pasqyrat e kapluara nga ndryshku dhe njollat, sa nuk arrijnë më ti pasqyrojnë gjërat si duhet. Në anën tjetër, zemrat e profetëve dhe shenjtorëve, ndonse zemra njerëzish me dëshira si tonat, janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj pasqyrimeve hyjnore.
Shpirti i njeriut nuk është rradhitur në krye të gjërave të krijuara vetëm për shkak të diturisë së fituar dhe për shkak të intuitës por edhe për shkak të fuqisë që ka. Njësoj siç arrijnë ëngjëjt ti nënshtrojnë elementet, edhe shpirti arrin ti nënshtrojë trupat. Ata shpirtra që kanë arritur një nivel të veçantë fuqie, jo vetëm që arrijnë ta sundojnë trupin e tyre por edhe atë të të tjerëve. Kur dëshirojnë që një i sëmurë të shërohet, ai shërohet sakaq dhe kur dëshirojnë që një i shëndetshëm të sëmurët, ai sëmuret në çast. Edhe kur duan që një njeri të vijë pranë tyre, ai paraqitet pa humbur kohë. Varësisht në janë të mira ose të liga pasojat e këtyre veprimeve, ato më pas emërtohen si mrekulli ose magji. Dallimi i shpirtrave të tillë nga shpirtrat e zakonshëm është në tri pika:
Gjërat që të tjerët i shohin veç në ëndrra, të tillët i shohin edhe zgjuar.
Ndërkohë që vullneti i të tjerëve ka ndikim vetëm mbi trupat e tyre, vullneti i shpirtrave të tillë ka ndikim edhe mbi trupa të jashtëm.
Diturinë të cilën shpirtrat e tjerë e fitojnë me shumë përpjekje dhe mësim, shpirtrat e tillë e fitojnë nëpërmjet intuitës.
Megjithatë, këto tri gjëra nuk janë dallimet e vetme ndërmjet tyre dhe popullit të thjeshtë, por të vetmet që janë të kapshme për mendjen. Njësoj siç nuk mund ta njohë Zotin askush tjetër veç vetë Zotit, edhe një profet nuk mund ta njohë dikush tjetër përveç një profeti. Kjo nuk është gjë për tu habitur, veçanërisht po të shohim se në përditshmëri, është e pamundur për shembull, ti shpjegohet sharmi i poezisë një njeriu që nuk ka ndjesi për ritëm e për rrimë ose ti tregohen bukuritë e ngjyrave një njeriu që ka lindur i verbër.
Por përveç mungesë së kapacitetit, ka edhe pengesa të tjera në rrugën drejt të vërtetave shpirtërore. Njëra prej tyre është edhe dituria e fituar. Që të mund të shpjegojmë më mirë, le të përdorim një krahasim, në të cilin zemra është një pus dhe të pesë shqisat janë përrenj që e mbushin atë me ujë. Që të mund të kuptohet se çka brenda pusit, duhet që fillimisht të ndalet rrjedha e ujit për një kohë dhe të pastrohen mbeturinat që kanë ardhur bashkë me të. Me fjalë të tjera, po të duam të arrijmë tek të vërtetat shpirtërore, duhet fillimisht ta largojmë për një kohë diturinë e fituar nëpërmjet proceseve të jashtme, e cila shumë shpesh ngurtësohet në paragjykime dogmatike.
Paralelisht me këtë, një gabim krejtësisht i kundërt bëhet nga disa njerëz të cekët, të cilët duke i përsëritur disa fraza nga mësuesit sufinj, e mallkojnë çdo lloj të diturisë. Kjo është si një njeri që ska përvojë në alkimi dhe që thotë se alkimia është më e mirë se ari, duke e mohuar edhe vetë arin kur ti ofrohet. Alkimia është vërtet më e mirë se vetë ari por alkimistët e mirëfilltë janë të paktë, njësoj siç janë të paktë edhe sufinjtë e vërtetë. Ai që ka një njohuri sipërfaqësore të sufizmit nuk është superior ndaj një dijetari, njësoj siç nuk ka arsye për ta nënçmuar një pasanik, ai që ka bërë veç disa eksperimente në alkimi.
Gjithkush që thellohet në këto çështje, do të shohë se lumturia është e lidhur me njohjen e Zotit. Çdo aftësi e jona kënaqet me atë për të cilën është krijuar. Lakmia kënaqet kur të përmbushen dëshirat, zemërimi kënaqet kur të hakmerret, syri kënaqet kur të shohë një gjë të bukur dhe veshi kur të dëgjojë zëra të harmonishëm. Funksioni më sipëror i shpirtit është perceptimi i të vërtetës dhe pikërisht në këtë, shpirti e ndjen kënaqësinë më të madhe. Kjo është e vërtetë edhe në çështje shumë të rëndomta si të mësuarit e lojës së shahut. Por sa më i lartë që është subjekti i diturisë së fituar, aq më e lartë është edhe kënaqësia. Një njeri do të ishte i lumtur po të pranohej në prani të vezirit por sa më e madhe do të ishte vallë kënaqësia e tij sikur të hynte në prani të vetë mbretit dhe të bëhej mik i të fshehtave të tija!
Një astronom, i cili nëpërmjet diturisë së tij arrin të bëjë një hartë të yjeve dhe ta parashikojë orbitën e tyre, fiton shumë më tepër kënaqësi nga puna e tij sesa një lojtar shahu gjatë lojës që luan. Kur ta dimë se ska gjë më të lartë se Zoti, mund ta paramendojmë kënaqësinë që buron nga njohja e vërtetë e Tij.
Një njeri që e ka humbur dëshirën për këtë lloj njohjeje, është si një që e ka humbur oreksin për ushqimin e shëndetshëm e që preferon të ushqehet me baltë në vend të bukës. Të gjithë orekset trupore shkatërrohen gjatë vdekjes bashkë me organet që i përdorin, përveç shpirtit, i cili nuk vdes dhe e ruan çdo njohuri që ka në lidhje me Zotin dhe madje e rrit atë edhe më.
Një pjesë e rëndësishme e njohjes sonë të Zotit buron nga studimi dhe të menduarit në lidhje me vetë trupat tanë, të cilët na e shpalosin para syve fuqinë, urtësinë dhe dashurinë e Krijuesit. Fuqinë e Tij, e cila nga një pikë e vetme e krijon njeriun, urtësinë që na shfaqet në hollësitë dhe në përshtatjen e pjesëve të ndryshme në një tërësi të vetme dhe dashurinë, të cilën e shohim qartë në faktin se Ai i furnizon jo vetëm organet që janë jetike për njeriun si mëlçia, zemra e truri por edhe ato, pa të cilat njeriu do të mund të mbijetonte, siç është dora, gjuha, këmba ose syri. Gjithë kësaj, Ai i ka shtuar për zbukurim edhe ngjyrën e flokëve, të kuqtë e buzëve dhe formën e lakuar të vetullave.
Me shumë të drejtë, njeriu është quajtur një mikrokozmos ose një botë e vogël në vete. Për këtë arsye, përbërja e trupit të tij duhet të studiohet jo vetëm nga ata që duan të jenë mjekë por edhe nga ata që duan të fitojnë një njohuri më të thellë në lidhje me Zotin, njësoj siç duhet të studiohen hollësitë dhe nuancat gjuhësore të një poezie, që të mund të njihet gjenialiteti i autorit të saj.
Por edhe përkundër kësaj, njohja e shpirtit luan një rol më të rëndësishëm për njohjen e Zotit sesa njohja e trupit të njeriut dhe të funksioneve të tij. Trupi mund të krahasohet me një kalë shale dhe shpirti me kalorësin e tij. Trupi është krijuar për shpirtin dhe shpirti për trupin. Nëse njeriu nuk e njeh shpirtin e tij që është gjëja më e afërt me të, çvlerë ka pretendimi se i njeh të tjerët? Është njësoj sikur një varfanjak që se ushqen dot veten, të pretendojë se mund ta ushqejë një qytet të tërë.
Në këtë kapitull jemi përpjekur që ta shtjellojmë deri diku madhështinë e shpirtit njerëzor. Ai që është i pakujdesshëm ndaj mundësisë së degradimit dhe ndryshkjes së shpirtit të tij, ska dyshim se do të jetë humbës në këtë botë dhe në tjetrën. Madhështia e vërtetë e njeriut fshihet në kapacitetin e tij për të përjetshmen. Përndryshe, në këtë botë të kufizuar, ai është më e brishta e gjallesave, duke qenë gjithnjë pre e urisë, e etjes, e të nxehtit, të ftohtit dhe vuajtjeve. Gjërat me të cilat kënaqet më së shumti, janë zakonisht ato që e dëmtojnë më shumë dhe në anën tjetër, gjërat e dobishme për veten nuk arrin ti fitojë pa vështirësi e pa përpjekje. Kur ta shohim intelektin e tij, do të vërejmë se edhe një çrregullim i vogël i materjeve në tru mjafton për ta çmendur e për ta shkatërruar dhe kur tia shohim fuqinë që ka, do të vërejmë se edhe pickimi i një blete arrin tia vjedhë qetësinë e tia trazojë gjumin. Sa për gjendjen e tij shpirtërore, mjafton të shohësh se humbja e një gjëje të vogël i shkakton shqetësime nga më të thellat. Sa për bukurinë, ai sështë tjetër veçse një copë mishi i mbuluar me lëkurë. Pa u larë e pa u pastruar si duhet, njeriu bëhet i shëmtuar sa më ska.
E vërteta është se në këtë botë, njeriu është skajshmërisht i dobët dhe i pavlerë. Ai mund të jetë i çmueshëm vetëm në botën tjetër dhe vetëm nëse nëpërmjet alkimisë së lumturisë arrin të ngrihet nga shkalla e kafshës në atë të ëngjëjve. Përndryshe, gjendja e tij nuk dallon nga ajo e një bishe, e cila më në fund do të zhduket e do të bëhet pluhur. Është me rëndësi që njeriu, bashkë me vetëdijen se është superior ndaj krijesave të tjera dhe në fakt, pika kulmore e krijimit, të jetë i vetëdijshëm edhe për gjendjen e tij të mjerueshme në këtë botë. Edhe kjo është ndër çelësat e njohjes së Zotit.
2. Njohja e Zotit
Është mjaft e njohur thënia e Profetit në lidhje me faktin se ai që e njeh veten, e njeh edhe Zotin, me çfarë mund të arrihet në përfundimin se nëpërmjet përsiatjes së ekzistencës së tij, njeriu mund të fitojë një njohje të caktuar të Zotit. Por kur të shohim se shumë nga njerëzit që përsiaten për ekzistencën e tyre nuk arrijnë ta gjejnë Zotin, vijmë lehtësisht në përfundimin se duhet të ekzistojë një metodë e caktuar për këtë gjë. Në të vërtetë, ka dy mënyra për ta arritur këtë njohje, prej të cilave e para është tepër e koklavitur dhe si e tillë, e papërshtatshme për mendjen e rëndomtë. Këtë mënyrë do ta kapërcejmë pa shpjeguar dhe do të merremi me shpjegimin e metodës së dytë, e cila është si vijon:
Kur njeriu mendon për ekzistencën e tij, ai vjen lehtësisht në përfundimin se kishte një kohë në të cilën ai vetë nuk ekzistonte, siç thotë edhe vetë Kurani:
Dhe a ska patur një kohë për njeriun, kur ai sishte gjë për tu përmendur? (Kuran 76:1)
Më tej, njeriu e di se është krijuar nga një pikë lëngu, në të cilën skishte as intelekt, as aftësi për të dëgjuar, as vështrim, as këmbë, as duar dhe as ndonjë gjë tjetër. Nga kjo është e lehtë të arrihet në përfundimin se çfarëdo përsosmërie që mund të ketë njeriu, nuk e ka krijuar ai vetë, qoftë kjo edhe sa një fije floku. Sa e mjerueshme që ishte gjendja e tij kur sishte tjetër veçse një pikë lëngu!
Si pasojë, siç thamë edhe në kapitullin e parë, njeriu e sheh se në qenien e tij, në një formë të minimizuar pasqyrohet fuqia, urtësia dhe dashuria e Krijuesit. Edhe sikur të gjithë dijetarët e botës të mblidheshin dhe atyre tu falej një jetëgjatësi e pafundme, ata kurrë sdo të mund ta përparonin e ta zhvillonin më tej strukturën e ndonjë pjese të trupit njerëzor.
Në përshtatjen e dhëmballëve dhe të dhëmbëve anësorë për përtypje të ushqimit, në strukturën e gjuhës, të gjëndrave të pështymës e të fytit, mund të shohim një përsosmëri e cila nuk mund të zhvillohet më tej. Po kështu, gjithsecili që do ta shihte dorën e tij me pesë gishtërinj, që do ta shihte stukturën ku katër gishta kanë nga tri nyje dhe njëri gisht vetëm dy, që do ta shihte se si gjithë kjo tërësi funksionon për të kapur një gjë e për ta bartur atë, do të kuptonte se e gjithë dituria njerëzore nuk do të mjaftonte për të bërë ndonjë ndryshim dhe për ta përparuar më tej këtë përsosmëri.
Kur më tej, njeriu të shohë se si dëshirat e tija natyrore përmbushen nga thesari i krijimit, ai do të jetë i vetëdijshëm se mëshira e Zotit është po aq e madhe sa fuqia dhe urtësia e tij, siç ka thënë Ai vetë: Mëshira Ime është më e madhe se zemërimi Im dhe siç ka qartësuar edhe i Dërguari i Tij në thënien e mirënjohur: Zoti është më i dhembshur ndaj krijesave të Tija se një nënë ndaj fëmijës së saj. Kështu, pra, nga vetë krijimi i tij, njeriu arrin ta kuptojë ekzistencën e Zotit, nga forma e tij e mrekullueshme fuqinë dhe urtësinë dhe më në fund, nga furnizimi që i falet, dashurinë e Tij. Në këtë mënyrë, njohja e vetvetes bëhet një çelës i njohjes së Zotit.
Përveç faktit se tiparet njerëzore janë një pasqyrim i cilësive të Zotit, edhe mënyra e ekzistencës së shpirtit njerëzor është një çelës për ta kuptuar mënyrën e ekzistencës së Tij. Kur e themi këtë, nënkuptojmë faktin se edhe Zoti edhe shpirti njerëzor janë tërësi të pacopëtueshme, të padukshme, të pakufizuara në kohë dhe hapësirë, përtej kategorive të sasisë dhe cilësisë dhe përtej përfytyrimeve për formë, ngjyrë ose madhështi. Njerëzit e kanë të vështirë ti perceptojnë gjërat e tilla që skufizohen në sasi e në cilësi dhe shumë shpesh, edhe ndjenjat tona të përditshme si zemërimi, dhimbja, kënaqësia dhe dashuria na paraqesin një problem. Këto janë të gjitha koncepte mendore dhe nuk janë të kapshme për shqisat, përkundër cilësisë dhe sasisë, që janë koncepte që mund të kuptohen lehtësisht nëpërmjet shqisave. Njësoj siç nuk arrin veshi ta perceptojë ngjyrën ose syri zërin, edhe në perceptimin e realiteteve të përjetshme në lidhje me Zotin ose shpirtin, njeriu përballet me një hapësirë ku shqisat mbeten të paafta dhe pa ndikim.
Megjithatë, mund të kuptojmë lehtësisht se Zoti, si Sundues i universit dhe si një Qenie që është përtej kohës, hapësirës, sasisë e cilësisë, i sundon objektet që janë të kufizuara nga këto gjëra. Po kështu, edhe shpirti, si një tërësi e padukshme, e pandashme dhe e pakufizuar në hapësirë, mund ta sundojë trupin dhe pjesët e tija. Si mund të themi se një gjë e pacopëtueshme mund të gjejë vend brenda të copëtueshmes? Nga e gjithë kjo do të shohim se sa e saktë është thënia e Profetit, sipas të cilës Zoti e ka krijuar njeriun të ngjashëm me Veten e Tij.
Dhe kur nëpërmjet përsiatjes në lidhje me esencën dhe me cilësitë e shpirtit (duke parë se si secili prej nesh sundon në një mbretëri të tijën), të fitojmë një njohje të caktuar në lidhje me esencën dhe me cilësitë e Zotit, do ta kuptojmë edhe mënyrën e veprimit të Zotit dhe mënyrën se si Ai i fal fuqi një gjëje.
Të marrim një shembull të thjeshtë dhe të themi se një njeri dëshiron që ta shkruajë emrin Zot. Në fillim, kjo dëshirë lind në zemrën e tij, më pas përcillet tek truri, ku fjala Zot merr formë dhe më pas, nëpërmjet nervave udhëton deri tek gishtërinjtë për ti vënë ato në lëvizje, që të mund ato më në fund ta lëvizin lapsin dhe ta riprodhojnë në fletë emrin Zot, të tillë siç ishte konceptuar më parë në mendjen e shkruesit. Po kështu, kur Zoti dëshiron një gjë, ajo shfaqet në rrafshin shpirtëror që në Kuran quhet Froni, më pas rrjedh drejt një rrafshi më të ulët që njihet si Karrikja dhe më pas forma e saj shfaqet në Librin Amë (Levhi Mahfudh), për të fituar më në fund aktualitet nëpërmjet forcave që quhen ëngjëj dhe për tu shfaqur mbi tokë në formë të pemës, të bimëve ose të shtazëve, të cilat sjanë tjetër veçse një pasqyrim i vullnetit dhe i mendimit të Zotit, njësoj siç janë shkronjat një pasqyrim i dëshirës së shfaqur në zemrën e lexuesit dhe të formësuar në mendjen e tij.
Askush smund ta kuptojë një mbret përveç një mbreti tjetër. Andaj Zoti na ka bërë të gjithëve mbretër në një mbretëri që është një kopje pafundësisht e zvogëluar e mbretërisë së Tij. Në mbretërinë që quhet njeri, Froni i Zotit përfaqësohet nga shpirti, Kryeëngjëlli nga zemra, karrikja nga truri dhe Libri Amë nga thesari i mendimeve. Vetë shpirti, i pandashëm dhe i pakufizuar në hapësirë, e sundon trupin njësoj siç e sundon Zoti universin. Thënë shkurt, secilit nga ne i është besuar një mbretëri e vogël, për të cilën është bërë përgjegjës dhe kujdestar.
Kur të flasim për veprimet e Zotit, ka shumë nivele të ndryshme të njohjes. Në këtë kontekst, fizikanti i thjeshtë është si një milingonë, e cila duke ecur mbi një copë letre dhe duke i parë shkronjat e zeza mbi të, mendon se burimi i vetëm i tyre është lapsi aty pranë. Astronomët, në anën tjetër, sjanë veçse si një milingonë tjetër që sheh paksa më shumë dhe arrin ti vërejë edhe gishtat që e mbajnë lapsin. Në këtë mënyrë, një astronom e di se elementet janë nën ndikimin e yjeve por nuk arrin të kuptojë se yjet janë nën ndikimin e ëngjëjve. Pra, si pasojë e niveleve të ndryshme të perceptimit tek njerëzit, diskutimet janë të pashmangshme kur të gjurmohen efektet për ta gjetur shkakun. Njerëzit, sytë e të cilëve kurrë skalojnë përtej botës së fenomeneve materiale, janë si ata që shërbetorin më të thjeshtë e mbajnë për mbret. Vërtet ligjet e fenomeneve duhet të jenë konstante, sepse pa këtë nuk mund të ekzistonte shkenca. Por të përzihet mbreti me shërbetorin është një gabim i madh.
Përderisa ekzistojnë dallimet në aftësitë perceptuese të vëzhguesve, diskutimet dhe papajtueshmëritë do të vazhdojnë domosdo. Është njësoj si rasti i disa të verbërve, të cilët me të dëgjuar se një elefant ka ardhur në qytetin e tyre, shkojnë për ta parë atë. Dhe ngase mënyra e vetme që u mbetet për ta njohur elefantin është prekja, secili e prek një pjesë të ndryshme të kafshës dhe varësisht në e kanë prekur këmbën, veshin ose hundën e saj, secili jep një definicion të vetë të elefantit, duke e ngjasuar herë me një shtyllë, herë me një fletë të hollë e herë me një gyp të lakuar e të butë. Në këtë rreth, secili e percepton të pjesshmen si një tërësi. Fizikanti dhe astronomi, pra, e përziejnë ligjin me Ligjvënësin. Një gabim i tillë i mveshet edhe Ibrahimit në Kuran, ku përmendet se ai u kthye njëherë drejt yjeve, pastaj drejt diellit dhe pastaj drejt hënës si objekte për tu adhuruar, derisa më në fund u bë i vetëdijshëm për Atë që i ka krijuar të gjithë këto gjëra dhe tha:
Unë si dua ata që perëndojnë... (Kuran 6:76-79) 1
Një shembull i qartë i referimit drejt shkaqeve dytësore në vend të referimit drejt Shkakut Fillestar mund ta shohim edhe në rastin e sëmundjes. Për shembull, kur një njeri nuk shfaq interes për gjërat e kësaj bote, nuk i lakmon kënaqësitë e zakonshme dhe duket i fundosur në pikëllim, mjeku do të thoshte: Ky është një rast melankolie dhe ka nevojë për filan ilaç ndërkohë që një fizikant do të thoshte: Kjo vjen si pasojë e thatësisë së shkaktuar në tru nga vapa dhe nuk mund të shërohet derisa ajri të jetë më i lagësht. Në anën tjetër, një astrolog do tia mveshte këtë gjë lëvizjes së caktuar të planeteve.
Deri këtu vjen dituria e tyre, do të thoshte Kurani. Atyre nuk mund tu shkonte ndërmend se i Gjithëfuqishmi mendon për këtë rob të Tij dhe u urdhëron planeteve dhe elementeve që të krijojnë një gjendje të tillë tek ai, që do ta largonte nga kjo botë dhe do tia kthente vëmendjen drejt Krijuesit. Njohja e këtij fakti është një perlë nga oqeani i diturisë së fituar me frymëzim, për të cilën çdo lloj tjetër diturie sështë veçse një ishull i humbur në det.
Mjeku, fizikanti dhe astrologu kanë të gjithë të drejtë sipas degëve të tyre por asnjëri nuk arrin të shohë se kjo sëmundje është në të vërtetë një si tingull dashurie, me të cilin Zoti e tërheq drejt vetes një shenjtor, të cilit i thotë: Unë isha i sëmurë dhe ti nuk erdhe të më shohësh. Sëmundja është njëra nga format e përvojës, nëpërmjet të cilës njeriu mund të arrijë një njohje të caktuar të Zotit. Zoti kështu e ka shprehur këtë të vërtetë nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit të Tij: Sëmundjet janë robërit e Mi dhe u ngjiten atyre që janë të dashur për Mua.
Fjalët e mësipërme mund të na lejojnë që pak më thellë të futemi në kuptimin e thirrjeve që aq shpesh përsëriten nga besimtarët, siç janë Zoti është i Shenjtë, Lëvdatat i takojnë Zotit, Nuk ka zot tjetër veç Zotit, Zoti është më i madhi etj. Për këtë të fundit, për shembull, duhet të shpjegojmë se ajo sdo të thotë se Zoti është më i madh se krijimi i tij, sepse krijimi është një manifestim i Tij, njësoj si drita që është një manifestim i diellit. Në këtë rast, do të ishte e gabuar që të thuhet se dielli është më i madh se drita e tij. Shprehja Zoti është më i madhi do të thotë se madhështia e Zotit e tejkalon në mënyrë të pamatë aftësinë tonë të të kuptuarit dhe se ne mund të kemi vetëm një përfytyrim shumë të turbullt në lidhje me të. Kur një fëmijë pyet se si është ndjenja e të sunduarit mbi diçka, ne i themi se është diçka si kënaqësia kur ke duke e hedhur sa andej këtej një top, ndonse të dy gjërat skanë asgjë të përbashkët përveç faktit se mund të rradhiten nën kategorinë e kënaqësisë. Shprehja Zoti është më i madhi, pra, do të thotë se madhështia e Tij e tejkalon aftësinë tonë për ta kuptuar atë. Për më tepër, njohja e mangët e Zotit që është në spektrin e aftësive tona kuptuese, sështë tjetër veçse dituri spekulative, e cila duhet domosdo të shoqërohet nga adhurimi dhe devotshmëria.
Kur vdes një njeri, ai ka punë vetëm me Zotin. Dhe kur ne jetojmë me dikë, lumturia jonë varet krejtësisht nga niveli i dhembshurisë që ndjejmë për këtë person. Dashuria është fara e lumturisë dhe dashuria ndaj Zotit është një gjë që zhvillohet nëpërmjet adhurimit. Një adhurim dhe një përmendje e tillë e Zotit nënkupton domosdo edhe një modesti dhe nënshtrim të dëshirave trupore, megjithëse është e vetëkuptueshme se nuk kërkohet një shkatërrim i plotë i këtyre dëshirave dhe nevojave, pa të cilat nuk do të mbijetonte raca njerëzore. Megjithatë, kufij të rreptë duhet tu vendosen këtyre nevojave dhe ngase njeriu nuk është gjykatësi më i mirë kur bëhet fjalë për veten e tij, do të ishte më e pëlqyeshme që në këtë drejtim, ta ndiqte këshillën e një udhërrëfyesi shpirtëror. Pikërisht udhërrëfyes të tillë janë profetët e Zotit dhe ligjet që ata i kanë shpallur nëpërmjet frymëzimit hyjnor dhe ku janë dhënë qartë kufijtë që duhen respektuar. Ai që nuk i respekton këta kufij, është ai që, sipas Kuranit, i bën dëm vetes së tij.
Por edhe përkundër këtyre fjalëve të Kuranit, ka njerëz që për shkak të injorancës së tyre i tejkalojnë kufijtë e vendosur. Një injorancë kjo, e cila mund të ketë disa shkaqe të ndryshme. Njërin grup e përbëjnë ata, të cilët pas dështimit për ta gjetur Zotin nëpërmjet vëzhgimeve, arrijnë në përfundimin se nuk ka një Zot dhe se kjo botë e mrekullueshme është e vetëkrijuar ose ka ekzistuar gjithnjë.Ata janë si një njeri që sheh një letër të shkruar bukur dhe më pas thotë se ajo u shkrua vetvetiu ose se kishte qenë përherë e tillë. Të tillët janë aq të fundosur në gabimin e tyre sa shpeshherë, është krejt e kotë të diskutohet me ta. Të tillë janë disa fizikantë dhe astronomë që i kemi përmendur në disa raste në këtë vepër.
Disa të tjerë, duke qenë të panjohur me natyrën e vërtetë të shpirtit, e mohojnë doktrinën e një jete të amshueshme, në të cilën njeriu do të dënohej ose do të shpërblehej për atë që ka bërë. Ata nuk e konsiderojnë veten më të vlefshëm se bima ose se kafsha dhe e quajnë ekzistencën e tyre po aq të shkatërrueshme sa ato.
Në anën tjetër, ka disa të tjerë që kanë një besim të dobët në Zotin dhe thonë me vete: Zoti është i madh dhe i pavarur nga ne. Adhurim ose mosadhurimi i Tij nga ana jonë nuk bën kurrfarë dallimi për Të. Të tillët janë si një i sëmurë, i cili pasi ta lexojë recetën që ia ka shkruar mjeku, thotë: Çrëndësi ka për mjekun, në do ti ndjek fjalët e tija ose jo? Ska dyshim se për mjekun ska kurrfarë rëndësie një gjë e tillë por ky veprim do të jetë shkatërrimtar për vetë pacientin. Njësoj siç përfundon me vdekje secila sëmundje e pashëruar e trupit, edhe sëmundjet e pashëruara të shpirtit përfundojnë me dëshpërim, siç thotë edhe Kurani:
Atë ditë kur sbëjnë dobi pasuria dhe as bijtë, veç për atë që vjen me zemër të pastër...(Kuran 26:88-89)
Një lloj i katërt mohuesish janë ata që thonë: Ligji urdhëron që njeriu të heq dorë nga zemërimi, nga lakima dhe nga hipokrizia. Por kjo është e pamundur sepse njeriu është i krijuar me këto cilësi brenda vetes. Është si të kërkosh që ta bëjmë të zezën të bardhë. Njerëzit e tillë mendjelehtë e shpërfillin faktin se Ligji nuk kërkon që ndjenjat njerëzore të shkatërrohen tërësisht por thjesht të nënshtrohen dhe të vendosen brenda kufijve të caktuar, që të mund njeriu, duke qëndruar larg mëkateve të mëdha, të fitojë falje për mëkatet e tija të vogla. Madje edhe vetë i Dërguari i Zotit thoshte: Edhe unë jam një njeri si ju, që di të zemërohet si të tjerët. Përveç kësaj, Kurani thotë qartë se Zoti i do ata që e nënshtrojnë zemërimin e tyre (Kuran 3:134) dhe jo ata që nuk kanë zemërim fare.
Një grup i pestë njerëzish vënë theks në mëshirën e Zotit dhe e shpërfillin drejtësinë e Tij, duke thënë: Pavarësisht se si veprojmë ne, Zoti është i Mëshirshëm. Ata harrojnë se ndonse Zoti është i Mëshirshëm vërtet, mijëra njerëz vdesin nga uria ose nga sëmundjet. Ata e dinë mirë se kushdo që dëshiron mbijetesë, pasuri ose dituri, nuk mund të mjaftohet duke thënë se Zoti është i Mëshirshëm por duhet të përpiqet për këto gjëra. Ndonse Kurani thotë se ska qenie në tokë, të cilës Zoti sia ka caktuar furnizimin (Kuran 11:6), ai thotë gjithashtu se njeriut si takon tjetër përveç asaj për të cilën është përpjekur (Kuran 53:39). Është një e vërtetë se mësimet e tilla të gabuara janë nga djalli dhe se njerëzit e tillë nuk flasin me zemrat por vetëm me gjuhët e tyre.
Një kategori e gjashtë është ajo e njerëzve që pretendojnë se kanë arritur një nivel aq të lartë shenjtërie sa mëkati nuk mund të ndikojë mbi ta. Por nëse njërit prej tyre nuk ia shfaq respektin e duhur, ai do të ushqejë urrejtje ndaj teje për vite me rradhë. Dhe nëse ndonjërit prej tyre i mohohet një kokër gruri të cilën mendon se e meriton, e gjithë bota fillon ti errësohet e ti ngushtohet para syve. Edhe sikur të pranojmë se ndonjëri prej tyre ka arritur vërtet një nivel aq të lartë, ai prapë nuk ka të drejtë të bëjë pretendime të tilla sepse edhe profetët që ishin më të mirët e racës njerëzore, përherë kanë qenë të kujdesshëm kundër mëkateve. Disa prej tyre e kanë patur aq frikë mëkatin, sa kanë hequr dorë edhe nga gjëra të lejuara. Kështu, rrëfehet se një ditë i Dërguari i Zotit nuk e hëngri një hurmë që i ishte sjellur atij, ngase sishte i sigurt në ishte e lejuar ose jo. Në anën tjetër, këta shenjtorë të vetëshpallur pijnë me litra verë pa e çarë fare kokën dhe duke pretenduar se shenjtëria e tyre nuk ndikohet nga vera, përkundër shenjtërisë së Profetit, e cila mundej të rrezikohej edhe nga një hurmë e vetme!!! Vërtet të tillët meritojnë që të hiqen zvarrë drejt dënimit.
Shenjtorët e vërtetë e dinë se ai që nuk i nënshtron dëshirat e tija, nuk mund të quhet njeri. Ata e dinë se musliman i vërtetë është ai që me plot hare i pranon kufijtë e caktuar nga Ligji i Zotit dhe se Ai që, për një shkak ose një tjetër, përpiqet tu shmanget detyrimeve të Ligjit, ka pa dyshim prirje djallëzore dhe duhet të përballet jo me pendën tashmë, por me shpatën. Këta pseudo-mistikë ndonjëherë pretendojnë se janë humbur në detin e përsiatjeve ndonse nuk e dinë se çjanë duke përsiatur. Atyre duhet tu thuhet që të vazhdojnë me përsiatjen por të mos harrojnë kurrë se Zoti është Krijuesi i tyre dhe se ata janë robërit e Tij.
1: (shënim i përkthyesit) Këtu duhet të kihet parasysh se kjo sjellje e Ibrahimit ishte një analogji për ta bindur popullin e tij se asnjëri nga këto objekte nuk meritonte të adhurohej dhe se adhurimi duhej të ishte vetëm për Zotin që është Krijuesi i tyre dhe i gjithçkaje që ekziston. Ibrahimi, njësoj si të gjithë profetët e tjerë të Zotit, kurrë nuk e adhuroi ndonjë idhull ose ndonjë gjë tjetër veç Zotit. Për fat të keq, interpretimet e tilla të gabuara të këtij vargu kanë depërtuar dhe janë përhapur deri diku në traditën islame.
3. Njohja e kësaj bote
Kjo botë është një treg ku kalojnë pelegrinët në rrugën e tyre prej kësaj bote në tjetrën. Ky është vendi ku pelegrinët furnizohen për rrugën e tyre ose për të thënë më qartë, kjo botë është vendi ku njeriu, nëpërmjet shqisave të tija, përfiton një njohuri në lidhje me veprimet e Zotit dhe më pas, nëpërmjet kësaj, edhe në lidhje me vetë Zotin, i cili është caku dhe vendqëndrimi i tij përfundimtar. Pikërisht fitimi i kësaj diturie është arsyeja përse shpirti njerëzor është zbritur në këtë botë prej balte. Për sa kohë që shqisat e njeriut mbesin me të, thuhet se ai është në këtë botë. Në çastin kur njeriu i humb shqisat e tija, thuhet se ai ka kaluar në botën tjetër.
Derisa është në këtë botë, dy gjëra janë të rëndësishme për njeriun. Fillimisht, mbrojtja dhe kultivimi i shpirtit të tij dhe së dyti, mbrojtja dhe mirëmbajtja e trupit. Siç kemi thënë më sipër tashmë, kultivimi i mirëfilltë i shpirtit është njohja e Zotit dhe dashuria ndaj Tij. Në anën tjetër, është pikërisht fundosja në diçka tjetër përveç dashurisë së Zotit, që ia sjell njeriut shkatërrimin. Thënë thjesht, trupi është një kafshë shale për shpirtin dhe zhduket pas vdekjes, përkundër shpirtit i cili mbetet edhe më tej. Shpirti duhet të kujdeset për trupin, njësoj siç kujdeset një pelegrin (haxhi) për kafshën e tij të shalës gjatë rrugës për në Mekke. Por megjithatë, nëse pelegrini merret gjithë kohës me ushqimin dhe me mirëmbajtjen e kafshës së tij, karavani shumë shpejt ka për ta lënë pas dhe ai ka për tu shkatërruar në shkretëtirë.
Nevojat trupore të njeriut janë të thjeshta dhe mund të ndahen në tre grupe: ushqimi, veshmbathja dhe vendqëndrimi. Por dëshirat trupore të cilat i mbillen në tru njeriut si një metodë për ti përmbushur këto nevoja themelore, janë shpesh të prira për tu rebeluar kundër arsyes, e cila zhvillohet më vonë se dëshirat. Për këtë arsye, siç kemi thënë edhe më sipër, këto dëshira duhet të kufizohen dhe të nënshtrohen nëpërmjet ligjeve hyjnore të shpallura nga profetët.
Kur ta shohim botën në të cilën jetojmë, do të vërejme se gjërat në të përbëhen nga tri kategori të ndryshme: kafshët, bimët dhe mineralet. Produktet e të trija këtyre kategorive janë të nevojshme për njeriun dhe si pasojë, kanë krijuar tri mjeshtëri: atë të prodhuesit të copave, të ndërtimtarit dhe të përpunuesit të metalit. Më pas, këto tre kanë nëndegë të ndryshme si rrobaqepësia, muratoria, farkëtaria etj. Asnjëra prej tyre nuk është e pavarur nga tjetra dhe kjo gjë krijon lidhje tregtare dhe marrëdhënie të ndryshme, të cilat shumë shpesh janë arsye për urrejtje, lakmi, xhelozi dhe vese të tjera shpirtërore. Prej tyre burojnë mosmarrëveshjet dhe përçarjet, të cilat e bëjnë të detyrueshme ekzistencën e ligjit dhe pushtetit.
Punët e kësaj bote janë bërë gjithë më të koklavitura, kryesisht për shkak të faktit që njerëzit kanë harruar se nevojat e tyre të vërteta janë vetem tri: ushqimi, veshmbathja dhe vendbanimi dhe se këto nevoja ekzistojnë vetëm me qëllim që ta mirëmbajnë trupin si një mjet udhëtimi të shpirtit në rrugëtimin e tij drejt botës tjetër. Ata e bëjnë gabimin e pelegrinit që shkon drejt Mekkes që e përmendëm më sipër, i cili duke e harruar qëllimin e vet dhe të pelegrinazhit, e kalon gjithë kohën duke u kujdesur për kafshën e tij të shalës. Përderisa nuk ushtron një disiplinë të rreptë kundrejt vetes, ska dyshim se njeriu do të mahnitet dhe do të humbet në këtë botë, e cila sipas fjalëve të Profetit, është një magjistare më e mirë se Haruti dhe Maruti1
Karakteri mashtrues i kësaj bote na shfaqet në mënyra të ndryshme. Në fillim, bota duket sikur do të jetë gjithnjë me njeriun, ndonse gjithë kohës largohet prej tij duke ia dhënë lamtumirën, posi një hije që duket e palëvizshme por që lëviz gjithnjë. Bota shfaqet si një magjistare e bukur dhe e ligë, e cila duket e dashuruar me njeriun, e përkëdhel atë dhe më pas largohet drejt armikut duke e lënë në baltë e në dëshpërim të plotë. Përcillet se profeti Isa (paqja qoftë mbi të) e pa botën në formën e një plake të shëmtuar dhe e pyeti se sa burra kishte patur. Ajo iu përgjigj se ata kishin qenë të panumërt. Isa sërish e pyeti në kishin vdekur ose ishin ndarë prej saj dhe ajo u përgjigj se i kishte vrarë të gjithë. Habitem me këta mendjelehtë, tha Isa, që shohin çu ke bërë të tjerëve dhe prapë të dëshirojnë.
Kjo magjistare fshihet pas rrobash të bukura dhe e mbulon fytyrën. Pastaj i magjeps burrat, shumë prej të cilëve e ndjekin deri në shkatërrim. I Dërguari i Zotit ka thënë se në Ditën e Gjykimit, kjo bota ka për tu shfaqur në formën e një shtrige me sy jeshile dhe me dhëmbë të gjatë e të mprehtë. Duke e parë atë, njeriu do të thotë: Kush është kjo? dhe ëngjëjt do të përgjigjen: Kjo është bota për të cilën ju u grindët, luftuat dhe ia shkatërruar jetën njëri-tjetrit. Atëherë ajo do të hidhet në zjarr dhe do të klithë: O Zoti im! Ku janë ata që më dashuronin dikur? dhe Zoti do të urdhërojë që edhe ata të hidhen në zjarr bashkë me të.
Kushdo që pakëz përsiatet në lidhje me përjetësinë paraprake, në të cilën bota nuk ka ekzistuar dhe përjetësinë e ardhshme, në të cilën ajo sdo të ekzistojë, e kupton lehtësisht se ajo është si një udhëtim, në të cilin krahinat janë vitet, qytetet janë muajt, kilometrat janë ditët dhe hapat janë çastet. Në këtë rast, cilat fjalë mund të mjaftojnë për ta përshkruar mendjelehtësinë e një njeriu që kërkon me ngulm ta bëjë këtë një vendqëndrim të përjetshëm dhe bën plane për dhjetë vitet që do të vijnë, duke u mërzitur për gjëra që mbase kurrë sdo ti nevojiten, kur të merret parasysh se çdo çast mund ti vijë fundi.
Ata që janë fundosur pa kufi në kënaqësitë e kësaj bote, në çastin e vdekjes janë si njeriu që tejngopet me ushqime të shijshme dhe pastaj i vjell të gjitha. Për të, shija e ushqimit është humbur dhe veç turpi mbetet pas. Sa më të shumta që të jenë pronat e njeriut, qofshin kopshte, robër e robëresha, ar ose argjend, aq më therrëse do të jetë dhimbja e ndarjes prej tyre. Kjo dhimbje ka për të mbetur edhe tej vdekjes, sepse shpirti që në këtë botë ka patur tendenca drejt ekstravagantes, ska dyshim se edhe në botën tjetër ska për të shpëtuar nga kthetrat e dëshirave të papërmbushura.
Një tipar tjetër i pasurive të kësaj bote është fakti se në fillim, ato i duken njeriut si vogëlsira. Por me kalimin e kohës, këto vogëlsira lëshojnë degë pas degë dhe më në fund rriten aq shumë, sa arrijnë ta vjedhin gjithë kohën dhe energjinë e njeriut. Isa (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Ai që e do këtë botë është si një njeri që pi ujë deti. Sa më tepër pi, aq më tepër i shtohet etja, derisa më në fund vdes i etur. I Dërguari i Zotit ka thënë: Aq mund të mbetesh i pastër kur të përzihesh me botën, sa çmund të hysh në ujë e të mos lagesh.
Kjo botë është si një tryezë e shtruar për mysafirë që vijnë e ikin pa ndalur.Në të ka pjatë prej ari e prej argjendi, ka shumë ushqime dhe ka parfume të bukura. Mysafiri i urtë ha aq sa i mjafton, ua merr erën parfumeve, i falënderohet nikoqirit dhe ik. Në anën tjetër, mendjelehti përpiqet të marrë me vete nja dy copa nga pjatat prej ari e prej argjendi, të cilat shumë shpejt i merren nga duart duke e përzënë të dëshpëruar e të çnderuar.
Këtë përshkrim të mashtrimeve të kësaj bote mund ta përmbyllim me tregimin e shkurtër në vijim. Njëherë e një kohë ishte një anije që zbarkoi në një ishull të pasur. Kapiteni i anijes u tha udhëtarëve se do të ndaleshin vetëm disa orë dhe se ata mund të zbrisnin nga anije, me kusht që të mos qëndronin gjatë. Pas kësaj, udhëtarët zbritën dhe u ndanë në drejtime të ndryshme. Më të zgjuarit u kthyen shumë shpejt dhe duke e gjetur të zbrazur anijen, i zunë vendet më të rehatshme. Një grup tjetër udhëtarësh shëtitën paksa më gjatë, duke u mahnitur me bukurinë e pemëve dhe me këngën e zogjve të ishullit. Kur u kthyen në anije, panë se vendet më të mira ishin zënë dhe se duhej të kënaqeshin me vende më pak të rehatshme se të parat. Sidoqoftë, një grup i tretë shkoi akoma më larg dhe duke u futur thellë në ishull, gjeti disa gurë të çmuar e shkëlqimtarë, të cilët i morën me vete në anije. Por ngase ishin vonuar, ata u detyruan të uleshin në katet e poshtme dhe të errëta të anijes, ku gurët e tyre të çmuar, të cilëve nuk u kishte mbetur kurrfarë shkëlqimi ndërkaq, vetëm sa u zinin vend dhe ua prishnin rehatinë. Përveç këtyre, kishte edhe një grup të katërt, pjesëtarët e të cilit shkuan aq larg dhe aq thellë në brendi të ishullit, sa nuk e dëgjuan zërin e kapitenit, i cili u detyrua të lundronte pa ata. Këta të fundit mbetën në ishull, u endën tejembanë si të humbur dhe më në fund vdiqën ose nga uria ose si viktima të egërsirave.
Grupi i parë e simbolizon besimtarin që qëndron larg kësaj bote, ndërsa grupi i tretë, mohuesit e besimit, të cilët merren vetëm me këtë botë por e harrojnë botën tjetër. Dy grupet e ndërmjetme, në anën tjetër, janë ata që e ruajnë besimin e tyre por që megjithatë, pengohen në kotësitë e botës në të cilën jetojnë.
Ndonse kemi folur shumë kundër kësaj bote, duhet të theksojmë se ka në të disa gjëra, të cilat nuk janë prej saj, siç janë dituria dhe veprimet e mira. Njeriu e merr me vete në botën tjetër gjithë diturinë që ka fituar në jetë, ndërkohë që veprat e tija të mira, ndonse kanë kaluar, vazhdojnë të kenë ndikim në karakterin e tij. Kjo vlen në veçanti për aktet e adhurimit, të cilat sjellin si pasojë një kujtim dhe dashuri të përhershme për Zotin. Këto janë gjërat e mirat, të cilat sipas Kuranit kurrë nuk shkojnë dëm.
Në këtë botë ka edhe gjëra të tjera të mira, si martesa, ushqimi ose veshmbathja, të cilat njeriu i urtë i përdor vetëm aq sa ka nevojë për të arritur në botën tjetër. Gjërat e tjera, të cilat e turbullojnë mendjen, duke shkaktuar që të ngjitet pas kësaj bote dhe të jetë i pakujdesshëm për botën tjetër, janë vetëm të liga dhe ato i ka nënkuptuar i Dërguari i Zotit kur ka thënë se bota është një mallkim dhe gjithçka në të është mallkim, përveç të kujtuarit të Zotit dhe gjithçkaje që e ndihmon atë.
1: (shënim i përthyesit) Haruti dhe Maruti, sipas asaj që përcillet në vargun 102 të kapitullit Bakara në Kuran, ishin dy ëngjëj të dërguar në Babilon, të cilët bënin magji dhe ua mësonin magjinë njerëzve, duke i paralajmëruar megjithatë se ata ishin dërguar vetëm si sprovë dhe se magjia është një gjë e ndaluar nga Zoti. (shih Bakara 2:102)
4. Njohja e botës tjetër
Sa për kënaqësitë në parajsë dhe për vuajtjet e ferrit, të gjithë besimtarët janë të informuar sa duhet nëpërmjet Kuranit dhe Traditës së Profetit. Ajo që shumë shpesh i shpëton vëmendjes së tyre është fakti se ekziston edhe një ferr e një parajsë shpirtërore, në lidhje me të cilën Zoti i ka thënë të Dërguarit të Tij: Syri ska parë, veshi ska dëgjuar dhe kurrë se ka menduar zemra e njeriut atë që është përgatitur për të virtytshmit. Në zemrën e një njeriu të ndritur ka një dritare të hapur drejt realiteteve të botës shpirtërore, e cila i mundëson atij që nëpërmjet përvojës dhe jo nëpërmjet spekulimeve ose besimeve tradicionale, të dijë se çka për ti sjellë mjerim ose lumturi shpirtit të tij, me po aq saktësi që një mjek mund ti ndajë gjërat e dëmshme nga ato të dobishmet për trupin e njeriut. Ai e di se njohja e Zotit dhe adhurimi janë ilaçi dhe se injoranca dhe mëkati janë helme vdekjeprurëse për shpirtin.
Edhe shumë të ashtuquajtur dijetarë, duke i ndjekur verbërisht mendimet e të tjerëve, nuk kanë ndonjë bindje kushedi sa të fortë në lidhje me gjërat që i shkaktojnë lumturi ose mjerim shpirtit në botën tjetër. Vetëm ai që kësaj çështjeje i avitet me një mendje të pastër nga paragjykimet, mund ta arrijë bindjen e sigurt.
Të flasim tani për ndikimin e vdekjes mbi natyrën njerëzore. Njeriu ka dy natyra: një shtazarake dhe një natyrë shpirtërore, e cila ka karakter ëngjëllor. Selia e natyrës shtazarake tek njeriu është zemra, prej të cilës buron ai avull i fshehtë që e përfshin çdo pjesë të trupit, duke i dhënë syrit aftësinë për të parë, veshit dëgjimin dhe çdo pjese tjetër të trupit funksionin e saj përkatës. Ajo mund të krahasohet me një llambë vajguri që bartet në çdo anë brenda kasolles dhe që ndriçon çdo cep pranë të cilit kalon. Zemra është fitili i kësaj llambe dhe kur vajguri harxhohet ose ndërpritet për ndonjë arsye, llamba shuhet. E tillë është vdekja e natyrës shtazarake tek njeriu. Por me natyrën shpirtërore ose njerëzore, rasti është pak më i ndryshëm. Ajo është e pacopëtueshme dhe nëpërmjet saj, njeriu e njeh Zotin. Thënë kushtimisht, ajo është kalorësi i kafshës, i cili vazhdon të mbijetojë edhe pasi ta ketë humbur kafshën e tij të shalës. Megjithatë, është një kalorës i zbritur nga kali ose një gjuetar që e ka humbur armën. Këto armë dhe këto kafshë shale iu falën shpirtit njerëzor, që ai të mundej nëpërmjet tyre ta kërkonte dhe ta kapte feniksin e dashurisë dhe të njohjes së Zotit. Nëse këto mjete kanë patur vërtet ndikim në arritjen e qëllimit, shkëputja prej tyre jo vetëm që nuk është dhimbje por është edhe lehtësim për njeriun. Andaj Profeti ka thënë: Vdekja është një dhuratë e mirëpritur për besimtarin. Por mjerë ai që e humb armën dhe kalin e tij para se tia ketë arritur qëllimit! Është i papërshkrueshëm mjerimi i një shpirti të tillë.
Një hulumtim i mëtejmë do të mjaftonte për të treguar se sa i ndryshëm është shpirti njerëzore nga trupi dhe nga pjesët e tij. Copë pas cope mund të pritet trupi i një njeriu por individualiteti i tij nuk humbet. Për më tepër, trupi njeriut në moshë të rritur nuk është i njejtë me trupin e tij kur ka qenë fëmijë. Megjithatë, personaliteti mbetet identik. Andaj është e lehtë të kuptohet se shpirti njerëzor është i vazhdueshëm edhe pas shkatërrimit të trupit, duke i ruajtur edhe tiparet e veta të pavarura nga trupi, siç janë njohja e Zotit dhe dashuria për Të. Ky është kuptimi i shprehjes gjërat e mira mbeten (19:76) të përdorur në Kuran. Por nëse njeriu, në vend që të largohet me një njohuri të Zotit, largohet nga kjo botë si i paditur, kjo padije do të jetë një tipar thelbësor i tij dhe do ti mbetet si një errësirë e si një farë dëshpërimi në shpirt. Andaj Kurani ka thënë:
Ai që është i verbër në këtë botë, do të jetë i verbër edhe në tjetrën dhe i dalë krejt nga rruga...(Kuran 17:72)
Arsyeja përse shpirti njerëzor kërkon të kthehet në atë botë sipërore është fakti se zanafilla e tij është pikërisht ajo botë dhe se në të vërtetë, shpirti njerëzor ka natyrë ëngjëllore. Ai u dërgua në këtë nivel të ulët kundër vullnetit të tij, që të mund të fitonte dituri dhe përvojë, siç thotë edhe Zoti:
Zbrisni që këtu të gjithë dhe kur tju vijë një udhëzim prej Meje, frikë sdo të ketë për ata që e ndjekin dhe kurrfarë dëshpërimi. (Kuran 2:38)
Përveç kësaj, edhe vargjet në vijim flasin për natyrën hyjnore të shpirtit njerëzor:
(Zoti tha:)Kur ta kem sosur krijimin e tij e ti kem fryrë nga shpirti Im, ju bëni sakaq sexhde para tij! (Kuran 15:29)
Njësoj siç varet shëndeti i trupit njerëzor nga baraspesha e pjesëve përbërëse të tij dhe siç duhet të shërohet kur të prishet kjo baraspeshë, edhe shpirti njerëzor ka një baraspeshë morale, e cila duhet të mirëmbahet dhe të riparohet sipas nevojës, me udhëzime etike dhe me parime morale.
Sa për ekzistencën e ardhshme, kemi parë se shpirti njerëzor është krejtësisht i pavarur nga trupi. Andaj bien në ujë të gjithë kundërshtimet e bazuara në pretendimin se për të ekzistuar, shpirti duhet domosdo ta rikrijojë trupin e tij. Disa teologë kanë thënë se shpirti njerëzor shkatërrohet pas vdekjes dhe se rikrijohet më pas, por një pretendim i tillë bie ndesh edhe me arsyen edhe me Kuranin. Arsyeja na tregon se vdekja nuk e shkatërron individualitetin e njeriut, ndërsa Kurani thotë qartë:
Mos mendo se janë të vdekur ata që u vranë në rrugë të Zotit! Ata janë gjallë dhe tek Zoti i tyre po shpërblehen... (Kuran 3:170)
Ligji nuk flet për ndonjë të vdekur, qoftë i mirë ose i keq, që të jetë shkatërruar pas vdekjes. Përcillet se Profeti i pyeti shpirtrat e mohuesve të vrarë në e kishin gjetur dënimin për të cilin i kishte paralajmëruar ai. Kur ndjekësit e tij e pyetën se çishte dobia e të pyeturit të tyre, ai tha: Ata i dëgjojnë fjalët e mia më mirë se ju.
Disa sufinjve, në një gjendje ekstaze të ngjashme me vdekjen, u është zbuluar bota e padukshme e parajsës dhe e ferrit. Pasi përmendeshin nga ekstaza, fytyra e tyre gjithnjë e shprehte qartë këtë zbulim nëpërmjet fjalëve të tmerruara ose të lumtura. Por njeriu i zgjuar ska nevojë për vizione të tilla për ta kuptuar atë që do të ndodhë dhe për të kuptuar se sapo vdekja tia zhveshë shqisat dhe ta lërë atë vetëm me personalitetin e tij, ai ka për ta ndjerë mungesën e gjërave të kësaj bote nëse ka qenë një njeri i dhënë pas tyre. Dhe përkundrazi, nëse gjatë jetës u ka kthyer shpinë gjërave të tilla dhe e ka përqëndruar vëmendjen e tij vetëm tek Zoti, vdekjen ka për ta mirëpritur si një mënyrë për tu arratisur nga kjo botë dhe për ta arritur bashkimin me Atë që e dashuron. Në rastin e tij, vetëm sa do të vërtetohej thënia e Profetit: Vdekja është ura që i lidh dy miq. Bota është një parajsë për jobesimtarët dhe një burg për ata që besojnë.
Në anën tjetër, dhimbjet që shpirtrat i përjetojnë pas vdekjes, e kanë gjithnjë burimin nga dashuria e tepëruar ndaj kësaj bote. Profeti ka thënë se pas vdekjes, çdo jobesimtar do të torturohet nga nëntëdhjetë e nëntë gjarpërinj, secili me nga nëntë kokë. Disa njerëz mendjelehtë i kanë hapur varret e jobesimtarëve dhe janë habitur me të mos gjetur gjarpërinj në to. Ata nuk kuptojnë se këta gjarpërinj janë në shpirtin e jobesimtarit dhe se kanë jetuar brenda tij edhe në të gjallë. Këta gjarpërinj janë simbol i tipareve të tija të liga si xhelozia, urrejtja, hipokrizia, krenaria ose mashtrimi, të cilat burojnë të gjitha, drejpërdrejt ose tërthorazi, nga dashuria e tij për këtë botë. Ky është mallkimi i atyre që, sipas fjalëve të Kuranit, e duan këtë botë më shumë se botën tjetër (Kuran 16:107) Po të bëhej fjalë për gjarpërinj të vërtetë, të tillët mbase do të kishin shpresë për shpëtim. Por si mund ti shpëtojnë një gjëje që është një cilësi e brendshme e tyre?
Merreni shembullin e një njeriu që e shet një robëreshë, pa e ditur deri atë çast se sa i lidhur ka qenë me të. Në çastin e ndarjes, dashuria ndaj saj, e heshtur deri atëherë, do të zgjohet me një fuqi aq të madhe sa do të kthehet në një torturë që do ta kafshojë si një gjarpër, aq sa të dëshirojë të hidhet në zjarr e të mbytet në ujë për të shpëtuar. Kjo është pasoja e dashurisë për këtë botë, për të cilën shumica dyshojnë deri në çastin kur bota të largohet prej tyre për tu shkaktuar një dhimbje aq të thellë, sa do të ishin të gatshëm ta shkëmbenin atë me kafshimin e mijëra gjarpërinjve.
Çdo mëkatar, pra, e bart me vete drejt botës tjetër shkakun e dënimit të tij. Sa bukur thotë Kurani:
Vërtet do ta shihni ferrin. Do ta shihni atë të bindur plotësisht..(Kuran 102:6-7)
...ferri i ka rrethuar mohuesit...(Kuran 29:54)
Kurani nuk thotë se ferri ka për ti rrethuar besimtarët në amshim por se përkundrazi, ai i ka rrethuar ata tashmë.
Pas gjithë kësaj, disa njerëz do të thonin: Në është kështu, atëherë kush mund ti shpëtojë ferrit, kur e dimë se të gjithë jemi pak a shumë të lidhur me dëshira dhe me interesa të ndryshme? Njerëzve të tillë do tua jepnim shembullin e atyre që kanë hequr dorë plotësisht nga kjo botë dhe nga dashuria për të. Megjithatë, edhe në mesin e atyre që kanë pasuri të kësaj bote, gra, fëmijë ose shtëpi të bukura, ka të tillë që ndonse i duan këto gjëra, pjesën më të madhe të dashurisë e ndajnë për Zotin. Shembulli i tyre është si shembulli i një njeriu që ka një shtëpi të bukur në një qytet dhe që pas urdhrit të mbretit, largohet nga kjo shtëpi për të shërbyer në një qytet tjetër të largët. Ky e ndërmerr me gjithë qejf një hap të tillë, sepse pozita autoritative që ka pranë mbretit, i vlen shumë më tepër sesa shtëpia e tij e bukur. Të tilla kanë qenë shumica e profetëve dhe e shenjtorëve (evlijave).
Ka edhe të tjerë, të shumtë në numër, të cilët kanë një dashuri për Zotin por tek të cilët dashuria për këtë botë dominon mbi gjërat e tjera. Të tillët kanë për të vuajtur mjaft pas vdekjes së tyre, derisa tu venitet përbrenda dashuria për këtë botë. Shumë vetë thonë se e duan Zotin. Por njeriu mund ta kuptojë lehtësisht se çfarë peshon më tepër në zemrën e tij, në rastin kur urdhrat e Zotit të bien ndesh me dëshirat e tija. Një dashuri për Zotin, e cila nuk i mjafton njeriut për ta penguar nga mosbindja ndaj Tij, sështë tjetër veçse gënjeshtër.
Më sipër përmendëm se një lloj ferri shpirtëror është ndarja e detyrueshme nga pasuritë e kësaj bote, ndaj të cilave njeriu ka një dashuri. Shumë njerëz i bartin në vete gjurmët e një ferri të tillë, pa qenë të vetëdijshëm për këtë. Në botën tjetër, njerëzit e tillë do të ndjehen si një mbret që, pas jetës luksoze, e humb pushtetin dhe bëhet objekt talljeje. Ferri i dytë shpirtëror është ai i turpit që njeriu përjeton, me ta parë në formë të zhveshur natyrën e vërtetë të bëmave të tija. Ai që ka shpifur, për shembull, do ta shohë veten duke ia ngrënë mishin të vëllait dhe ai që ka xhelozuar, do ta shohë veten duke hedhur gurë kundrejt një muri, prej të cilit gurët kthehen prapa për ti verbuar sytë e fëmijëve të tij.
Këtë ndjenjë të turpit mund ta ilustrojmë me një tregim të shkurtër. Paramendoni një mbret që e marton të birin. Në mbrëmjen pas festës, i riu del jashtë me disa miq të tij dhe ktehet në pallat i dehur. Hyn në një dhomë të pandriçuar mirë dhe shtrihet pranë asaj që mendon se është nusja e tij. Në mëngjes, kur vjen në vete, e sheh se gjendet në varrezën e adhuruesve të zjarrit, me një pije pranë vetes dhe i shtrirë pranë kufomës së një plake të kalbur, për të cilën kishte menduar se ishte nusja e tij. Duke dalë nga varreza krejt i përbaltur, i riu ndeshet me të atin që vjen bashkë me një numër ushtarësh. Kështu mund të imagjinohet ndjenja e turpit që do ta ketë njeriu, i cili në këtë botë, e ka shitur veten e tij për shëmti që i janë dukur të bukura.
Ferri i tretë shpirtëror është ai i dëshpërimit dhe i dështimit për ta arritur qëllimin e vërtetë të ekzistencës. Njeriu është krijuar për ta pasqyryuar dritën e njohjes së Zotit dhe po të arrijë në botën tjetër në një gjendje kur shpirti i tij është i mbështjellë me ndryshkun e dëshirave trupove, dështimi tij në arritjen e qëllimi do të jetë i plotë. Këtë gjendje mund ta ilustrojmë si vijon:
Paramendoni një njeri që kalon nëpër një pyll të errët me ca miq të tij. Aty këtu, teksa kalojnë pranë pemëve, shohin disa gurë të bukur me ngjyrë. Miqtë e tij i mbledhin gurët dhe e këshillojnë edhe atë të veprojë si ata, duke i thënë se ata gurë kanë një vlerë të madhe në vendin ku do të arrijnë. Njeriu nuk i dëgjon miqtë e tij, duke u tallur me ta për ngarkesën e tepërt që e marrin mbi shpinë, përkundër atij vetë që ec i qetë dhe pa peshë mbi supe. Më në fund, të gjithë dalin nga pylli i errët dhe kuptojnë se këta gurë janë gurë të çmuar nga më të ndryshmit, me vlerë të jashtëzakonshme. Dëshpërimi i njeriut atë çast është i lehtë për tu paramenduar. Ky do të jetë pendimin në botën tjetër, i atyre që gjatë kalimit nëpër këtë botë, nuk janë munduar ti mbledhin margaritarët e fesë.
Rrugëtimi i njeriut në këtë botë mund të ndahet në katër shkallë: shkalla shqisore, shkalla eksperimentale, shkalla instinktive dhe shkalla racionale. Në të parën, njeriu është si një flutur nate, e cila ndonse ka aftësi për të parë, nuk ka kujtesë dhe gjithnjë përfundon e djegur në zjarrin e qiriut të njejtë. Në shkallën e dytë, njeriu është si një qen, i cili pasi të jetë rrahur njëherë, gjithnjë do të ikë me vrap sapo të shohë një shkop. Në hapin e tretë, njeriu është si një kalë ose si një dele, që menjëherë fillon të ikë në mënyrë instinktive, sapo të shohë një ujk ose një luan. Këto kafshë e dinëse luani ose ujku është një armik natyror i tyre dhe e dallojnë atë nga një deve ose nga një ka, prej të cilëve nuk ikin kurrë, ndonse edhe ato janë kafshë të mëdha. Në hapin e katërt, njeriu i tejkalon kufijtë shtazarakë dhe bëhet i aftë deri diku, për ta parashikuar të ardhmen dhe për tu përgatitur për të. Lëvizjet e para të tij në këtë shkallë mund të krahasohen me të ecurit e thjeshtë mbi tokë, më pas këto lëvizje janë si lundrimi në det dhe më pas, kur të jetë i njohur me realitetet e gjërave, mund të arrijë edhe të ecë mbi ujë. Përtej kësaj, ka një shkallë edhe më të lartë, të njohur vetëm për profetët dhe për shenjtorët, lëvizja në të cilën mund të krahasohet me një lloj fluturimi në ajër.
Shkurt, njeriu është i aftë të ekzistojë në disa rrafshe përnjëherë, që nga ai shtazarak e deri tek rrafshi ëngjëllor. Rreziku për njeriun fshihet pikërisht këtu, në faktin se ai mund të bjerrë edhe në nivelin më të ulët që ekziston. Në Kuran thuhet:
Ne ua ofruam atë ngarkesë qiejve, tokës e maleve por nuk pranuan. Vetëm njeriu pranoi. Vërtet ai është i paditur e i padrejtë...(Kuran 33:72)
Kafshët dhe ëngjëjt nuk mund ta ndryshojnë nivelin e caktuar për to. Por njeriu ka mundësi të fundoset deri në nivelin e një kafshe ose të lartësohet në shkallën e ëngjëjve. Pikërisht kjo është ajo që nënkuptohet me fjalën ngarkesë në Kuran. Shumica e njerëzve preferojnë të mbesin në dy shkallët më të ulta që përmendëm më sipër. Dhe siç mund të pritet, njerëzit e tillë që qëndrojnë në një vend, janë përherë armiqësore ndaj udhëtarëve të lëvizshëm, kundër të cilëve dominojnë bindshëm në numër.
Shumë prej tyre, duke mos patur ndonjë njohuri të saktë për botën tjetër, kur të sundohen nga dëshirat dhe epshet e tyre, e mohojnë krejtësisht atë jetë të përtejme. Ata thonë se ferri është një shpikje e dijetarëve të fesë për ti trembur njerëzit. Njerëzit e tillë gjithnjë i shohin me tallje dhe i trajtojnë pa pikë respekti dijetarët. Të diskutosh me njerëz të tillë është e padobishme. Por megjithatë, atyre mund tu thuhet kjo: A mendon se njëqind e njëzet e katër mijë profetë (sipas një thënieje të Profetit) ishin të gjithë gabim në besimin e tyre për botën tjetër dhe vetëm ju e keni mirë? E nëse ky njeri përgjigjet duke thënë: Po, njësoj siç jam i bindur se numri dy është më i madh se numri një, jam i bindur se nuk ekziston shpiri dhe as ndonjë jetë e ardhshme në mirëqenie ose në vuajtje., atëherë dije se gjendja e tij është e pashpresë.
Dhe thanë: është krejt njësoj për ne, në do të na këshillosh ose jo..(Kuran 26:136)
Dhe nëse ky njeri të thotë se mund të ketë një jetë të amshueshme por se kjo doktrinë është aq e koklavitur dhe e mistershme sa njeriu nuk mund të vendosë në është e saktë ose jo, atëherë mund ti thuhet: Mbase do të ishte mirë të silleshe me kujdes. Paramendo se ke ndërmend të hash diçka dhe një njeri të thotë se një gjarpër e ka lëshuar helmin e tij në atë ushqim. Edhe po ta dije se do vdesësh nga uria, kurrë skishe për ta ngrënë atë, ndonse gjithnjë do të ekzistonte mundësia që njeriu të ketë gënjyer. Po kështu, nëse ndonjë magjistar të kërkonte ti paguash një shumë të caktuar, duke të garantuar se do të bënte një hajmali për ty, e cila do tta shëronte një sëmundje po ta mbaje varur rreth qafes, ti me shumë gjasa do ta merrje këtë hajmali, me shpresën se do të gjesh shërim. E njejta vlen edhe sikur ndonjë astrolog të të thoshte se kur hëna të ketë ardhur në filan pozitë, ti me siguri do të gjeje shërim për sëmundjen tënde po ta pije sakaq një ilaç të caktuar.
Ndonse ti mund të mos i besosh shumë astrologjisë, me shumë gjasa do ta provoje eksperimentin e sugjeruar prej tij, vetëm për hir të mundësisë së vogël që ajo të jetë efektive me të vërtetë. Kur ta kemi parasysh gjithë këtë, a nuk mendon se do të ishte më me vend që tu besohej fjalëve të profetëve, shenjtorëve dhe dijetarëve sesa fjalëve të një astrologu ose një magjistari? Shumë shpesh, njeriu ndërmerr rrugëtime nga më të rrezikshmet me anijet tregtare, vetëm për hir të një fitimi të mundshëm. Atëherë, përse të mos bëhesh pakëz më i kujdesshëm, për hir të një lumturie të përjetshme në amshim?
Një ditë, duke diskutuar me një mohues të besimit, Aliu tha: Në ke të drejtë ti, atëherë asnjëri nga ne ska për të qenë më mirë se tjetri në të ardhmen. Por nëse ne kemi të drejtë, atëherë ne do të shpëtojmë dhe ti do të vuash. Aliu nuk e tha këtë ngase ai vetë kishte dyshime, por thjesht për ta bindur mohuesin.
Nga gjithë kjo që kemi thënë më sipër, mund të kuptohet se detyra kryesore e njeriut në këtë botë, është përgatitja për botën tjetër. Edhe sikur të jetë në dyshim për ekzistencën e një jete të ardhshme, po të shihen pasojat e mundshme, arsyeja thotë se ia vlen të jetohet duke supozuar se do të ketë një gjë të tillë. Paqja qoftë mbi ata që e ndjekin udhëzimin!
5. Në lidhje me muzikën dhe vallëzimin si mjete ndihmuese në jetën fetare
Shënim: Në këtë kapitull, duhet patur parasysh se interpretimi ligjor i Ghazaliut në lidhje me lejueshmërinë e muzikës nuk është një verdikt absolut. Në lidhje me të kënduarit dhe me muzikën ka patur mendime të ndryshme në botën islame dhe ky diskutim mbetet aktual edhe në kohën tonë. Dijetarë të ndryshëm nga shkolla të ndryshme ligjore dhe shumë shpesh edhe dijetarë të të njejtës shkollë ligjore (medhheb), kanë dhënë mendime të ndryshme në lidhje me këtë temë. Lexuesit i mbetet që të veprojë sipas parimeve të shkollës së tij ligjore (medhhebit), gjegjësisht sipas interpretimit të juristit islam (muxhtehidit) që ndjek.
Përkthyesi
Zemra e njeriut është krijuar nga i Gjithëfuqishmi si një gur zjarri, i cili fsheh në vete një flakë që ndizet nga muzika dhe nga harmonia, duke e çuar njeriun drejt ekstazës. Kjo harmoni është jehona e asaj bote sipërore të bukurisë, të cilën e quajmë bota e shpirtrave.Ajo ia përkujton njeriut marrëdhënien që ka me atë botë dhe krijon brenda tij një ndjenjë aq të thellë dhe të çuditshme, sa njeriu mbetet i paaftë për ta shpjeguar. Ndikimi i muzikës dhe i vallëzimit është në proporcion me nivelin e prirjes që ka njeriu ndaj emocioneve. Muzika dhe vallëzimi janë si një erë që e kthejnë në flakë atë dashuri që gjendet tashmë brenda zemrës, qoftë ajo e kësaj bote ose shpirtërore.
Për këtë arsye, ka patur shumë diskutime ndërmjet dijetarëve në lidhje me lejueshmërinë e muzikës dhe vallëzimit si ushtrime fetare. Një sekt i quajtur Dhahiri (ekzoterikët; ata që e pranojnë vetëm formën e jashtme të vargjeve të Kurani dhe të thënieve të Profetit), duke thënë se Zoti dhe njeriu janë dy gjëra të pakrahasueshme pa ndonjë pikë të përbashkët, e kanë mohuar mundësinë që njeriu të mund vërtet të ndjejë dashuri për Zotin dhe kanë insistuar se ai mund të dojë vetëm një gjë që i takon llojit të vet. Sipas tyre, nëse njeriun ndjen një gjë që e identifikon si dashuri ndaj Krijuesit, ky është vetëm një iluzion, një projektim i imagjinatës së tyre ose reflektimi i dashurisë për ndonjë krijesë tjetër. Muzika dhe vallëzimi, sipas tyre, kanë të bëjnë vetëm me dashurinë për krijesat dhe si të tilla, janë vepra të ndaluara sipas fesë.
Po të pyeten se çështë dashuria për Zotin, drejt të cilës thërret ligji fetar, ata thonë se sështë tjetër veçse bindja dhe adhurimi i Zotit. Ky është një gabim, të cilin do të përpiqemi ta korigjojmë në një kapitull tjetër të kësaj vepre, të titulluar dashuria ndaj Zotit. Tani për tani, do të mjaftohemi duke thënë se muzika dhe vallëzimi nuk vendosin në zemrën e njeriut ndonjë gjë tjetër përveç asaj që tashmë gjendet në të. Ato vetëm sa e kthejnë në flakë një zjarr të vogël që tashmë digjet brenda njeriut. Sipas kësaj, nëse njeriu e kultivon në zemrën e tij atë dashuri për Zotin të cilën na e urdhëron Ligji, është jo vetëm e lejuar por edhe e këshillueshme që ai të merret me praktika të tilla. Në anën tjetër, nëse zemra e një njeriu është e mbushur me epshe, muzika dhe vallëzimi kanë vetëm për ti rritur ato dhe për këtë arsye, do të jenë të ndaluara për të. Krahas kësaj, nëse njeriu e dëgjon muzikën vetëm si një mjet argëtimi, ajo nuk është as e ndaluar dhe as e lejuar për të, por thjesht në një pozitë irelevante. Vetë fakti se diçka i fal kënaqësi njeriut, nuk e bën atë gjë të ndaluar, njësoj siç nuk është e ndaluar kënaqësia e të dëgjuarit të këngës së zogjve ose e rrjedhës së një lumi. Karakteri i pafajshëm i muzikës dhe i vallëzimit, të konsideruar vetëm si një argëtim, është dhënë edhe në një hadith autentik, të përcjellë nga Aisheja, e shoqja e të Dërguarit. Ajo thotë:
Një ditë, disa zezakë po bënin një shfaqe në njërën nga xhamitë. Profeti më pyeti në doja të shihja. Unë i thashë po dhe ai më ngriti me duart e tija të bekuara dhe unë vështrova aq gjatë sa ai u detyrua të pyeste disa herë: A nuk të mjaftoi? Një hadith tjetër i përcjellë nga Aisheja thotë: Një ditë feste, dy vajza erdhën në shtëpinë time dhe filluan të këndonin e të vallëzonin. I Dërguari hyri brenda, u shtri dhe e ktheu fytyrën në një anë tjetër. Atë çast erdhi Ebu Bekri dhe duke i parë vajzat që po vallëzonin, tha: Çështë kjo? Fyelli i djallit në shtëpinë e të Dërguarit të Zotit? Por i Dërguari u kthye drejt tij dhe i tha: Lëri Ebu Bekr! Është ditë feste.
Duke i lënë pas ato raste kur muzika ngjall epshe dhe dëshira të liga brenda njeriut, vijmë tek rastet kur ajo është më se e lejuar. I tillë është rasti i pelegrinëve që në Mekke, nëpërmjet këngës e madhërojnë Shtëpinë e Zotit, duke i nxitur edhe të tjerët të shkojnë në haxh. Dhe rasti i muzikantëve ushtarakë, të cilët u japin moral trupave që duhet të luftojnë kundër jobesimtarëve. Po kështu, muzika melankolike, e cila e shpreh dhimbjen e shkaktuar nga mëkati dhe dështimin e njeriut në besimin e tij, janë të lejuara. E tillë ishte muzika e Davudit. Por muzikat e pikëllueshme që bëhen kur dikush vdes nuk janë të lejuara, sepse Kurani ka urdhëruar që të mos dëshpërohet njeriu për atë që ka humbur. Përkundër kësaj, muzika e hareshme në dasma dhe në festa ose në raste synetesh, është po kështu e lejuar.
Tani të vijmë tek përdorimi pastër fetar i muzikës dhe i vallëzimit, siç është ai i sufinjve, të cilët nëpërmjet kësaj e stimulojnë veten drejt një dashurie më të madhe ndaj Zotit dhe shumë shpesh, nëpërmjet muzikës arrijnë një gjendje vizionesh shpirtërore dhe ekstazash, ku zemra bëhet e pastër si argjendi në zjarrin e një furre. Ky është një nivel pastërtie që smund të arrihet kurrsesi vetëm nëpërmjet një asketizmi të jashtëm. Sufiu bëhet aq i vetëdijshëm për marrëdhënien e tij me botën shpirtërore sa e humb vetëdijen për këtë botë dhe bie në tokë pa ndjenja.
Megjithatë, për një fillestar të rrugës së sufizmit, nuk është e lejuar pjesëmarrja në këto vallëzime mistike, pa qenë leja e udhëzuesit të tij shpirtëror, të njohur si Pir. Përcillet se një ditë, një nxënës i Shejh Ebul-Kasim Girganiut i kërkoi leje për të marrë pjesë në këto rituale. Shejhu i tha: agjëro tri ditë me rradhë dhe më pas kërko që të të përgatisin ushqime të shijshme. Nëse edhe pas kësaj, e preferon këtë vallëzim në vend të ushqimit, atëherë mund të marrësh pjesë. Por për një fillestar që nuk e ka të pastër zemrën nga dëshirat e kësaj bote, ndonse mund të ketë përfituar diçka nga rruga shpirtërore, nuk është e lejuar pjesëmarrja në rituale të tilla, të cilat më shumë do ta dëmtonin se çdo ti sillnin dobi.
Ata që e mohojnë realitetin e ekstazave dhe të ushtrimeve shpirtërore të sufinjve, vetëm sa e shfaqin padashur mendjengushtësinë dhe injorancën e tyre. Megjithatë, gjendja e tyre duhet të kuptohet, sepse është shumë e vështirë të besohet vërtetësia e një gjendjeje shpirtëore pa e përjetuar atë, njësoj siç nuk mund ti shpjegohet një të verbëri kënaqësia e të soditurit të gjelbërimit ose të rrjedhës së një lumi. Një njeri i urtë, edhe po të mos ketë kurrfarë përvoje në këto lëmi, nuk do ta mohonte ekzistencën e këtyre realiteteve. Kush është më mendjelehtë se ai që nuk e pranon një gjë si të vërtetë, vetëm ngase ai vetë se ka përjetuar?
Kurse në lidhje me poezitë dashurore që recitohen në mbledhjet e sufinjve dhe të cilat njerëzit ndonjëherë i kundërshtojnë, duhet të mbahet mend se për shembull, kur përmendet ndarje nga e/i dashuri, sufiu që është i humbur në dashurinë e Zotit, e përdor këtë formë për ta shprehur largësinë prej Zotit. Po kështu, kur flitet për balluket e zeza, nënkuptohet mohimi, kur thuhet shkëlqimi i fytyrës, flitet për dritën e besimit dhe së fundmi, kur përmendet dehja, nënkuptohet ekstaza e sufiut. Ti marrim për shembull vargjet vijuese:
Me mijëra shtamba mund të mbushësh verë
Por sgjen hare po nuk pive njëherë...
Me këtë, autori nënkupton se kënaqësia e vërtetë e besimit nuk mund të arrihet nëpërmjet udhëzimit formal por nëpërmjet dëshirës dhe afërsisë së ndjerë. Një njeri mund të flasë shumë e të shkruajë vëllime të tëra në lidhje me dashurinë, besimin ose virtytshmërinë por kjo si sjell asgjë atij derisa ai vetë nuk i përfiton këto tipare. Ata, pra, që i kritikojnë sufinjtë ngase ndikohen e madje përjetojnë ekstazë me të dëgjuar vargje të tilla, janë njerëz të cekët e të padrejtë. Ndonjëherë, edhe devetë ndikohen nga këngët e arabëve dhe vrapojnë më shpejt se rëndom derisa bien të sfilitura përtokë.
Megjithatë, sufiu gjithnjë rrezikon të dalë nga feja nëse disa nga vargjet që i dëgjon, i përdor në lidhje me Zotin. Për shembull nëse e dëgjon vargun Nuk je më siç ke qenë..., ai nuk guxon tia mveshë këtë gjë Zotit, i cili nuk mund të ndryshojë. E shumta, ai mund ta nënkuptojë veten e tij me këtë varg. Zoti është si një diell që shkëlqen gjithnjë por ndonjëherë, drita e tij pengohet nga gjëra, të cilat vendosen ndërmjet neve dhe Atij.
Në lidhje me disa sufinj, përcillet se kanë arritur një nivel aq të lartë ekstaze sa janë zhdukur brenda Zotit. I tillë është rasti i Shejh Ebul-Hasan Nuriut, i cili, me të dëgjuar një varg të caktuar, hyri në gjendje ekstaze dhe vrapoi këmbëzbathur në një fushë me kallame të sapoprera të sheqerit, derisa këmbët iu përgjakën krejt dhe vdiq pa kaluar shumë kohë. Në raste të tilla, disa kanë supozuar se Hyjnia zbret në trupin njerëzor. Por të thuhet kjo gjë do të ishte njësoj si gabimi i atij, i cili kur për herë të parë e sheh veten në pasqyrë, mendon se në ndonjë mënyrë, ai vetë është futur brenda pasqyrës ose se ngjyrat e ndryshme që shfaqen në pasqyrë janë cilësi të përhershme të saj.
Gjendjet e ekstazës në të cilat hyn një sufi, mund të ndahen sipas ndjenjave që dominojnë tek ai: dashuria, frika, dëshira, pendimi etj. Këto gjendje, siç kemi përmendur, janë pasoja jo vetëm të dëgjimit të recitimeve të Kuranit por shpesh edhe të dëgjimit të vargjeve poetike dashurore. Duke u mbështetur në këtë, disa e kanë kundërshtuar recitimin e poezisë dhe madje edhe recitimin e vetë Kuranit. Por duhet patur parasysh se jo të gjithë vargjet e Kuranit janë të përshtatshme për të ngjallur ndjenja të tilla tek njeriu. Brenda Kuranit janë për shembull edhe vargjet ligjore ku urdhërohet që një vejushë të presë katër muaj pas vdekjes së burrit para se të mund të martohet me një tjetër njeri. Janë të paktë njerëzit që do të përjetonin ndonjë ekstazë shpirtërore gjatë recitimit të vargjeve të tilla.
Një arsye tjetër e përdorimit të poezive krahas Kuranit është edhe fakti se shumica e njerëzve janë të njohur mirë me vargjet kuranore, madje shumë vetë i dinë edhe përmendësh ato. Si pasojë e përsëritjes së vazhdueshme, ndikimi i vargjeve të Kuranit mund ta humbë ndikimin e tij tek njeriu. Njeriu smund të gjejë gjithë kohës vargje të reja e të padëgjuara të Kuranit për ti recituar. Një ditë, teksa disa arabë të shkretëtirës e dëgjonin Kuranin dhe u prekën jashtë mase prej tij, Ebu Bekri u tha: Edhe ne ishim si ju dikur. Por tani zemrat tona janë ashpërsuar. Me këtë, ai nënkuptonte se vargjet e Kuranit mund ta humbin ndikimin e tyre tek njeriu, kur ai të mësohet ti dëgjojë rregullisht. Për këtë arsye të njejtë, Kalifi Umar i këshillonte pelegrinët që të largoheshin sa më parë nga Mekkeja. Sepse, siç thoshte ai, ...kam frikë se mësoheni me Qytetin e Shenjtë dhe magjia e tij largohet nga zemrat tuaja.
Megjithatë, në përdorimin e këndimit dhe të instrumenteve muzikore, së paku në sytë e njerëzve të rëndomtë, krijohet një përshtypje joserioziteti. Andaj nuk është e përshtatshme që, as për një çast të vetëm, madhështia e Kuranit të shoqërohet nga gjëra të tilla. Përcillet se një ditë, i Dërguari i Zotit hyri në shtëpinë e Rabia-së, së bijës së Mauzit, teksa aty ndodheshin disa këngëtare, të cilat menjëherë filluan të këndonin për nder të tij. Ai u urdhëroi ta ndërprisnin këtë gjë sepse lëvdimi i të Dërguarit të Zotit është një gjë e shenjtë që nuk duhet bërë në atë mënyrë. Përveç këtyre gjërave, recitimi i vargjeve të Kuranit në mbledhjet e sufinjve e bart me vete edhe rrezikun që gjithkush të bëjë një interpretim subjektiv dhe privat të vargjeve të tij, gjë që është e ndaluar. Përkundër kësaj, nuk ka asgjë të keqe nëse vargjet poetike interpretohen në mënyra të ndryshme nga dëgjues të ndryshëm. Nuk ekziston askund ligji se vargjet poetike duhet të kuptohen ashtu siç i ka kuptuar vetë autori.
Një karakteristikë tjetër e vallëzimeve mistike të sufinjve janë edhe lëvizjet e ndryshme trupore dhe shqyerja e rrobave, të cilat ndodhin ngahera. Nëse këto veprime janë pasojë e një gjendjeje të vërtetë ekstaze, ska çtë thuhet kundër tyre. Por nëse këto janë veprime të vetëdijshme dhe të qëllimshme, për tu dukur sa më të prekur, atëherë sjanë veçse hipokrizi. Por sido që të jetë, më i përsosuri është ai që di ta përmbajë veten e tij, së paku deri në pikën kur është e pashmangshme të çlirohen ndjenjat. Përcillet se një i ri që ishte nxënës i Shejh Xhunejdit, me të dëgjuar disa këngë në një mbledhje sufinjsh, nuk e përmbajti dot veten dhe filloi të klithte në ekstazë. Xhunejdi i tha: Nëse e bën këtë sërish, mos qëndro më pranë meje! Pas kësaj, i riu filloi të ishte i përmbajtur derisa më në fund erdhi një ditë kur ndjenjat e tija u bënë aq të fuqishme sa nuk arriti ti nënshtronte. Pasi duroi për një kohë të gjatë dhe me shumë vështirësi, i riu lëshoi një klithmë dhe vdiq.
Për të përmbledhur, në takime të tilla sufinjsh duhet të kihet kujdes për kohën e për vendin dhe të kihet kujdes që të mos ketë të pranishëm që kanë qëllime të padenja dhe të liga. Ata që marrin pjesë në mbledhje duhet të qëndrojnë të heshtur, të mos e vështrojnë njëri-tjetrin dhe ta mbajnë kokën ulur, si gjatë namazit, duke e përqëndruar vëmendjen e tyre tek Zoti. Secili duhet të përqëndrohet në atë që do të shfaqet në zemrën e tij dhe jo të bëjë ndonjë veprim të qëllimshëm. Por nëse njëri ngrihet në këmbë në gjendje ekstaze të vërtetë, të gjithë duhet të ngrihen bashkë me të dhe nëse njërit i bie turbani, edhe të tjerët duhet ti hedhin turbanët e tyre.
Ndonse këto gjëra janë risi në Islam dhe ndonse nuk janë përcjellur nga gjeneratat e para pas Profetit, duhet patur parasysh se jo të gjitha risitë janë të ndaluara dhe veçanërisht jo ato risi që nuk bien ndesh me ligjin. Për shembull namazi i Teravisë është një praktikë e nisur nga Kalifi Umar. Profeti ka thënë: Jetoni me çdo njeri sipas shprehive dhe kushteve të tija! Andaj është mirë të përshtatet njeriu me praktika që i kënaqin njerëzit, në raste kur mospërshtatja mund të shkaktojë vështirësi. Arabët i kanë traditë e veta dhe persët traditat e veta. Vetëm Zoti e di se cilat janë më të mira.
6. Në lidhje me vetëllogarinë dhe të kujtuarit e Zotit
Në Librin e Tij, Zoti ka thënë:
Peshore të drejta do të vendosim në Ditën e Gjykimit dhe askujt sdo ti bëhet padrejtësi...(Kuran 21:47)
Gjithkush që ka mbjellur një farë të vogël mirësie, ka për ta korrur atë. Gjithashtu thuhet:
Do ta dijë çdo shpirt çka sjellë me vete...(Kuran 81:14)
Kalifi Umar thoshte shpesh: Kërkojini llogari vetes suaj para se tju kërkohet llogaria! Sufinjtë gjithnjë e kanë ditur se në këtë botë kanë ardhur për një rrugëtim shpirtëror, përfitimi ose humbja e të cilit do të jetë parajsa ose ferri. Për këtë arsye, ata gjithnjë e kanë mbajtur hapur syrin përballë epshit, i cili si një ortak dinak, gjithnjë mund tu shkaktonte humbje të mëdha. I urtë është ai njeri që pas namazit të sabahut, kalon një orë të tërë në përsiatje, duke i thënë shpirtit të tij: O shpirti im! Ti ke vetëm një jetë. Asnjë çast i kaluar nuk kthehet prapa sepse pranë Zotit, është i kufizuar numri i frymëmarrjeve që janë caktuar për ty dhe nuk mund të rriten assesi. Kur të mbarojë jeta, ska më rrugëtim shpirtëror për ty. Andaj bëje tani atë që ke për ta bërë! Jetoje këtë ditë sikur të jetë harxhuar jeta jote dhe kjo ditë të jetë një ditë shtesë e dhuruar nga i Gjithëfuqishmi! Çmund të jetë më mendjelehtë se ta humbësh një gjë të tillë?
Në Ditën e Gjykimit, njeriu do ti shohë orët e jetës së tij, të rradhitura njëra pas tjetrës në formën e arkave. Kur të hapet njëra, prej saj do të shkëlqejë një dritë e fortë dhe do të jetë kjo një orë që njeriu e ka shpenzuar për ndonjë vepër të mirë. Zemra do ti mbushet me një hare, edhe një copë e vogël e të cilës do të mjaftonte për ti bërë banorët e zjarrit ta harronin dhimbjen e tyre. Pastaj do të hapet një arkë tjetër, krejt e errët. Nga era e qelbur e saj do ta mbyllin hundën të gjithë dhe kjo do të jetë ora që njeriu ka harxhuar për vepra të liga. Atë çast, zemra e njeriut do të ndjejë një dëshpërim aq të thellë, sa një copë e saj do të mjaftonte për ta kthyer në ferr parajsën për ata që janë bekuar me parajsë. Më pas, një arkë tjetër do të hapet dhe do të jetë krejt e zbrazur. Kjo do të jetë ora që njeriu e ka kaluar pa bërë ndonjë gjë të mirë ose të keqe. Atë çast, njeriu do të ndjejë keqardhje, njësoj si të kishte patur një pasuri të madhe dhe të kishte lejuar që ajo ti rrëshqiste nga duart. Kështu, të gjitha orët e jetës së tij do ti shpalosen një nga një para syve. Andaj, njeriu duhet çdo mëngjes ti thotë shpirtit të tij: Zoti të ka dhënë njëzet e katër thesare. Ki kujdes të mos e humbasësh ndonjërin prej tyre sepse smund ta durosh pendimin pas kësaj humbjeje.
Shumë sufinj kanë thënë: Edhe sikur Zoti të të falë pas një jete të çuar dëm, ti prapëseprapë ske për ta arritur gradën e të virtytshmive dhe do të pësosh për shkak të kësaj humbjeje. Andaj ruaje me kujdes gjuhën, syri dhe secilën nga shtatë gjymtyrët, sepse secila prej tyre është një derë e mundshme drejt ferrit. Thuaji epshit tënd se do ta dënosh po të rebelohet kundër teje. Ndonse epshi është kokëfortë, ai është i aftë ti pranojë udhëzimet dhe të edukohet nëpërmjet asketizmit. Ky është qëllimi i vetëllogarisë. Profeti ka thënë: I lumtur është ai që tani e bën atë që do ti sjellë dobi pas vdekjes...
Tani të vijmë tek të kujtuarit e Zotit. Kjo do të thotë se njeriu është i vetëdijshëm se Zoti i vëzhgon të gjitha veprimet dhe mendimet e tija. Njerëzit mund ta shohin vetëm të jashtmen, ndërkohë që Zoti mund ta shohë edhe të jashtmen edhe të brendshmen e një njeriu. Ai që e beson këtë, ska dyshim se do ta edukojë brendinë e tij, po aq sa qenien e tij të jashtme. Nëse nuk e beson këtë gjë, njeriu është jobesimtar dhe nëse, ndonse beson, vepron në kundërshtim me të, ai është fajtor.
Një ditë, një zezak erdhi tek i Dërguari dhe i tha: O i Dërguari i Zotit! Kam kryer një mëkat. A do të pranohet pendimi im? I Dërguari ia ktheu: Po, do të pranohet. Njeriu pyeti sërish: Dhe sa herë që kam kryer një mëkat, a e ka parë Zoti atë? Po, iu përgjigj sërish i Dërguari. Me ta dëgjuar këtë, njeriu lëshoi një klithmë dhe ra përtokë i vdekur. Derisa njeriu të mos e kuptojë se çdo veprim i tij vëzhgohet nga Zoti, ai kurrë sdo të mund të veprojë si duhet.
Njëherë ishte një shejh, i cili njërin nga nxënësit e tij e donte më shumë, duke bërë kështu që të tjerët ta xhelozonin atë. Një ditë, shejhu i dha secilit nxënës nga një pulë dhe u urdhëroi që të shkonin e ta therrnin pulën në një vend ku nuk i shihte kush. Me ta dëgjuar këtë, secili nga nxënësit gjeti një vend të fshehur, e therri pulën e tij dhe u kthye prapa. Vetëm nxënësi i preferuar i Shejhut u kthye me pulën ende të gjallë. Ai tha: Një vend të tillë nuk gjeta dot sepse ska vend ku nuk të sheh Zoti. Atëherë Shejhu u tha të tjerëve: Tani, pra, e shihni nivelin e vërtetë të këtij të riu. Ai e ka arritur nivelin e të kujtuarit të përhershëm të Zotit.
Kur përpiqej ta tërhiqte Jusufin drejt vetes, Zulejhaja e kishte mbuluar me një pëlhurë fytyrën e idhullit që e adhuronte. Jusufi i tha: Moj Zulejha, ti turpërohesh para kësaj cope guri. Si të mos turpërohem unë para Atij që i ka krijuar të shtatë qiejt dhe tokën?
Një ditë, një njeri erdhi tek Xhunejdi dhe i tha: Nuk e përmbaj dot veten nga vështrimet plot epsh. Si tia bëj? Xhunejdi i tha: Mbaje mend përherë se Zoti të sheh ty shumë më qartë nga çi sheh ti njerëzit e tjerë. Në Traditën e Profetit përcillet se Zoti ka thënë: Parajsa është për ata që vendosin të kryejnë një mëkat por pastaj e përmbajnë veten, kur u kujtohet se syri Im është mbi ta.
Abdullah ibn Dinari përcjell: Një ditë po ecja me Kalifin Umar pranë Mekkes kur u takuam me një skllav riosh që kujdesej për bagëtinë. Umari i kërkoi ti shiste një dele. Djaloshi nuk pranoi dhe ia ktheu: Delet janë të të zotit tim, jo të miat. Duke dashur ta sprovojë, Umari i tha: Mund ti thuash atij se një ujk e mori delen dhe ai ska për të kuptuar gjë. Ai ska për të kuptuar vërtet, ia ktheu djali. Por Zoti do ta kuptojë. Umari pastaj qau dhe pasi e thirri të zotin e këtij djaloshi, e bleu atë dhe ia fali lirinë, duke i thënë: Për këtë që the, ti do të jesh i lirë në këtë botë dhe i lirë në tjetrën.
Ka dy nivele të këtij kujtimi të Zotit. Niveli i parë është ai i shenjtërove, të cilët janë të zhytur krejtësisht në përsiatjen e madhështisë së Zotit dhe nuk kanë vend në zemrat e tyre për ndonjë gjë tjetër. Ky është niveli i ulët i të kujtuarit të Zotit, sepse kur njeriu e ka të vendosur zemrën dhe gjymtyrët aq të bindura ndaj zemrës sa të qëndrojë larg edhe gjërave të lejuara, ai ske nevojë për ndonjë mjet për tu mbrojtur nga mëkatet. Pikërisht këtë të kujtuar të Zotit nënkuptonte i Dërguari kur thoshte: Për atë që ngrihet mëngjeseve duke e patur veç Zotin në mendje, Zoti ka për tu kujdesur në këtë botë dhe në tjetrën.
Disa nga njerëzit e këtij niveli janë aq të zhytur në të kujtuarit e Zotit, sa nuk i dëgjojnë njerëzit kur u flasin, nuk i shohin kur u kalojnë para syve dhe shpesh përplasen me ta si të ishin përballur me ndonjë mur. Një sufi përcjell:
Një ditë kalova pranë një vendi ku disa shigjetarë po garonin ndërmjet veti. Pak më larg pashë një njeri të ulur vetëm. Iu afrova, u përpoqa ti hyja në bisedë por ai ma ktheu: Të kujtuarit e Zotit është më mirë se biseda Unë e pyeta: A nuk je i vetmuar? Ai u përgjigj: Jo, Zoti dhe dy ëngjëj janë me mua. Duke bërë shenjë drejt shigjetarëve, unë e pyeta sërish: Cili prej tyre do të dalë fitimtar? Ai u përgjigj: Ai, të cilit Zoti ia ka caktuar fitoren. Më pas unë e pyeta se nga vinte rruga që kalonte aty pranë. Pas kësaj, ai i ngriti sytë drejt qiejve, u ngrit në këmbë dhe filloi të largohej duke thënë: O Zot! Shumë nga krijesat e tua e pengojnë njeriun nga të kujtuarit Tënd.
Sufiu i famshëm Shibli shkoi një ditë tek Thauriu dhe e gjeti aq të përqëndruar në përsiatje sa asnjë fije floku nuk i lëvizte në trup. E pyeti: Prej kujt mësove të jesh kaq i përqëndruar në përsiatje? Thauriu u përgjigj: Nga një mace që e kam parë në pritë para vrimës së miut dhe që ishte shumë më e përqëndruar se unë.