Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24473

Islamofobia

$
0
0
ISLAMOFOBIA
Shkruar nga Justinian Topulli




Duket se termi "islamofobi" është shumë i gjerë dhe përfshin shumë gjëra brenda, ashtu siç ndodh shpesh me terma të cilët zgjerohen nga rrahjet farkëtuese të çekanëve përdorues, që godasin nga të gjitha anët. Si i tillë, elementet që përfshihen në të nga grupe dhe këndvështrime të ndryshme e bëjnë shpesh atë një term të debatueshëm ndërmjet palëve përdoruese.

Gjithsesi, e parë me syrin e një muslimani dhe nën një këndvështrim islam, islamofobinë do ta përkufizoja si një sjellje negative karshi Islamit dhe muslimanëve, që buron nga ndjesia e urrejtjes, neverisë, alergjisë ndaj Islamit ose muslimanëve, apo edhe për shkaqe nga më të ndryshmet. Sipas këtij përkufizimi islamofobia është një fenomen i vjetër sa vetë Islami, shfaqjet e saj të hershme Allahu na i ka përjetësuar në Librin e Tij në ajete të tilla si: “Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre është edhe më e madhe.” (3:118) dhe “Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj.” (2:217)

Duket se qarqe të caktuara në Perëndim e në botë nuk mundet që të jetojnë pa peshkuar -dhe pa provokuar njëkohësisht- armiq nga kultura të ndryshme nga ajo e tyre dhe duke i stigmatizuar ato si burimi i së keqes. Kjo nuk është diçka e re në historinë e Perëndimit. Fobia ndaj mbulesës së femrës muslimane, referendumi kundra minareve të xhamive dhe ksenofobia ndaj prezencës në rritje të vetë muslimanëve në këtë pjesë të botës duket se në një farë mase të kujton rritjen e urrejtjes antisemite në Evropën e viteve 30’. Ashtu si atëherë qarqe fashiste, ndërsa sot qarqe të djathta ekstremiste dhe konservatore, duket se tentojnë që për arsye pragmatiste dhe politike ta shndërrojnë Islamin dhe muslimanët në kupën e zemërimit, ku ata do të derdhin arsyet e krizave të tyre, që bota e tyre po përjeton. Kjo tendencë duket se ka pasur rritje, në veçanti pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, që për këta njerëz paska qenë pikërisht precedenti i munguar për të penalizuar një fe dhe kulturë të tërë. Në fakt historikisht njerëz dhe kultura që tentojnë të jenë monolite, egocentrike dhe që nuk pranojnë kontributin e të tjerëve, priren që forcën e jetës dhe të zhvillimit ta gjejnë pikërisht tek armiqësia ndaj tjetrit dhe të projektojnë tek ai qoftë edhe një pjesë të fatkeqësive të tyre. Në mjaft raste duket se një mekanizëm i tillë ka funksionuar mjaft mirë.

Përkundrejt kësaj islamofobie të niveleve të larta, që përjeton sot perëndimi duket se edhe muslimanët shpesh reagojnë keq, së pari duke stigmatizuar të gjithë Perëndimin si islamofob dhe për rrjedhojë duke projektuar qoftë edhe një pjesë të fatkeqësive të tyre tek këta rivalë shekullorë. Natyrisht që kjo bie ndesh me mësimet islame, të cilat thonë se: “Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj një pjese të njerëzve për të qenë të padrejtë. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë.”

Dhe “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.”

Ndërsa parimet islame për asnjë moment nuk bëjnë fajtor për fatkeqësitë të tjerët, qofshin këta edhe armiqtë më të ashpër: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet është si pasojë e asaj që keni bërë vetë.” (30:42).

Por, në anën tjetër, te një pjesë tjetër e muslimanëve islamofobia duket se ka prodhuar ndjenjën e të qenit inferior si dhe të vetëpenalizmit të kulturës dhe fesë që ata mbartin, kjo për rrjedhojë shpie drejt zhveshjesh identitare islame të këtyre njerëzve dhe drejt asimilimit në kulturat ofensive.

Duke e mbyllur do të shprehesha se islamofobia nuk është gjë tjetër vetëm se “një verë e vjetër në fuçi të re”, e cila duket se ka dehur keq shumë prej atyre që nuk jetojnë dot pa e pirë atë, ashtu siç edhe aroma e saj duket se ka trullosur ca më keq akoma ata të cilët e kanë të ndaluar ta pinë atë. Le ta lusim Zotin që të mos shtohen të dehurit andej dhe këndej!

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24473

Latest Images

Trending Articles



Latest Images

<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>