Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24447

Simon Xanina

$
0
0
Simon Xanina: Zgjohet nga koma, shkruan katër romane

Emigrant që në moshën 16-vjeçare në Itali, një aksident në punë i ndryshon jetën Simon Xaninës. Pas 10 ditësh në koma, i zgjuar me vështirësi të kujtesës, ai zbulon se mund të shkruajë. Kthehet në Vlorë për të promovuar romanin e katërt, “Manaar”

Simon Xanina bënte jetën e përditshme të një emigranti në veri të Italisë, derisa një ditë një aksident i rëndë i ndryshoi jetën. Goditja që pësoi në kokë nga një makineri e rëndë e mobilierisë ku punonte e çoi në gjendje kome për 10 ditë. Mes jetës dhe vdekjes, Xanina tashmë 28-vjeçar, përjetoi ndjesi që i ka vështirë t’i tregojë me fjalë. Në përpjekje për të rimarrë veten, zbulon aftësinë e të shkruarit. Emigruar që në moshën 16-vjeçare, Simoni nuk kishte provuar më parë të shkruante. Këto ditë kthehet në Vlorë për të promovuar më 8 janar, në qytetin e lindjes, romanin e katërt “Manaar”, botuar nga “Argeta LMG”. “Sfidat e një dashurie” (2007), “Një ëndërr për të treguar” (2008) dhe “Dedikuar ty” (2009), janë tre romanet e mëparshme shkruar prej tij, rrëfime ndjesish personale, pa pretenduar nivelet artistike që diferencojnë shkrimtarët. Botimin e fundit ia ka kushtuar gjyshit të tij, aktorit të njohur vlonjat të humorit, Leka Krutës. Simon Xanina tregon historinë e jetës së tij dhe përvojën e veçantë që e çoi te të shkruarit.

Për të bërë një prezantim me lexuesin, cili është Simon Xanina?

Simon Xanina është një djalë i lindur në qytetin e Vlorës, i cili në moshë të re emigroi në veri të Italisë për të kërkuar ëndrrën e tij të futbollit. Por, në përballje me dallgët e jetës ajo ëndërr u zvenit. Fillon kështu rruga e sakrificave, e zhgënjimeve ditore në një vend të huaj, gjithsesi ato vlera që prindërit më patën lënë nuk u zhdukën kurrë. Si jeta e mundimshme e një emigranti, papritur bota ime ndryshoi drejtim duke nxjerrë në pah anën reale të shpirtit tim, atë të të shkruarit. Aktualisht jetoj në qytetin e Pordenones me familjen time.

Në datën 8 ju ktheheni në Vlorë për të promovuar romanin e katërt. Lidhja juaj me të shkruarin fshihet pas historisë së një aksidenti. Çfarë ka ndodhur?

Punoja në një mobilieri si programues i një makinerie elektronike. Një mëngjes makineria bëri një lëvizje të gabuar duke më goditur në kokë, por jo vetëm kaq...Më pas më shtyu drejt bazamentit, duke më shtypur kokën deri në 12 cm. Menjëherë rashë në tokë pa ndjenja. Që nga ai çast jeta ime qëndroi pezull midis botës tonë dhe vdekjes!

Çfarë përjetuat gjatë kohës që gjendeshit në koma dhe sa zgjati kjo periudhë?

Në koma kam qëndruar plot 10 ditë. Ajo që përjetova ishte unike! Brenda atyre ditëve unë pashë një ëndërr, e cila i dha kuptim jetës sime. Aty nuk kishte diell, por vetëm lagështi dhe re të zymta. Gjithsesi, brenda kësaj ndodhej engjëlli im, një doktor rreth të 40-ave, i cili më transmetoi kurajën e tij, fjalët e tij duke më thënë: Simon, rri i qetë, sepse ti do të bëhesh shumë mirë, madje do të jesh edhe më mirë nga sa ke qenë! Dhe ja, rezultati i fjalëve që më tha janë këtu, në jetën time dhe në librat që shkruaj.

Kur e kuptuat se mund të shkruanit?

Kur dola nga spitali kuptova se kisha shumë probleme me kujtesën, përqendrimin dhe njëkohësisht vështirësi me fjalët dhe të folurit. Kështu fillova të lexoja, të shkruaja ditën time, por e gjitha kjo nuk më mjaftonte, derisa papritur një mëngjes u zgjova dhe fillova të shkruaja historinë e parë.

A kishit provuar më parë të hidhnit qoftë edhe mendime të thjeshta?

Jo, asnjëherë. Mbaj mend vetëm ndonjë poezi të shkruar në adoleshencë dhe asgjë tjetër.

A mund të përshkruhet me fjalë ajo që njeriu provon në mënyrë të pandërgjegjshme?

Është e pamundur! Unë u bëra pjesë e pandarë e asaj bote ku për pak çaste provova të dyja anët e shpirtit, të mirën dhe të keqen. Ishte një ndjesi e ftohtë, por edhe e ëmbël. Mund të them veçse një gjë: nga ajo botë unë tërhoqa vetëm anën pozitive.

Është një mënyrë çlirimi të shkruarit?


Jo, është më tepër se kaq! Të shkruash është të jesh vetvetja, por njëkohësisht të dish të hysh në botën e çdokujt pa prekur asgjë. Të ndjesh parfumin e asaj që shkruan dhe të shikosh me sy botën e tyre.

Si ka ndryshuar jeta juaj prej asaj ngjarjeje?

Jeta ime është katapultuar në një dimension vigan. Për të qenë më i qartë: nëse dje ngjyrat i shikoja të zeza, tani të zezën e shikoj me ngjyra. Nëse tani mendoj, them: aty ku duket fundi, nuk është veçse fillimi!

Do të jetë të shkruarit pjesë e jetës suaj në vazhdim?

Natyrisht që po. Dëshiroj ta ndaj me njerëzit atë çka unë ndiej dhe atë çka Zoti më fali, për një kohë të gjatë, shpresoj të pafundme!

Oliverta Lila - Shqip

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24447