Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370

Ja makinat ku udhëtonte Enveri

$
0
0
Ja makinat ku udhëtonte Enveri



Flet Hamdi Sina, ish-shoferi i Byrosë Politike: Në makinën time të gjithë udhëheqësit e lartë Mehmet Shehu më tërhoqi në Drejtorinë e Dytë.
Kadri Hazbiu më propozoi si shofer të Enver Hoxhës
I tregova komandantin se si e kishin kthyer në kulak familjen bazë ku ai strehohej gjatë luftës. Masat që i rekomandoi Nexhmijes

Publikuar më 04.11.2012 | 12:47



Leonard Veizi

- Nëse Komandanti ulej në sedijen e pasme të makinës, nuk kishte me trimëri me gjeste të kota, por as frikën s’mund ta njihje. Duart mbi timon dhe përqendrim maksimal në pasqyrat anësore. Pakujdesia më e vogël shënohej me “bojë të kuqe”. Drejtuesi i automjetit duhet të kryente detyrën me përpikëri, ndërsa oficeri shoqërues ndiqte të gjithë procesin me një vëmendje dyshuese deri në çastin e fundit. Në bulevardet e kryeqytetit, por dhe në rrugët inter-urbane, Benzi 300 SEL me benzinë, një prodhim super i perëndimorëve gjermanë, nuk duhet t’i kalonte 60 kilometrat në orë, veç në ishte bërë hataja. Vetëm kështu jeta e drejtuesit të shtetit ishte e siguruar në çdo rast. Gjithçka e përcaktuar nga ekspertët ishte firmosur nga vetë kryeministrit Mehmet Shehu, i cili, për të thënë të vërtetën, kur ia donte puna mund t’i thyente rregullat pa pyetur njeri...

...Hamdi Sina, do të merrte detyrën në rrugëtonte me Enver Hoxhën, si shofer i dytë i tij për të paktën 5-vjet me radhë. Thotë se asnjëherë nuk e kuptoi nëse Komandanti ia kishte mësuar emrin e vërtetë, pasi në të gjitha rastet ai është drejtuar thjesht me emrin “djalë”. Dhe padyshim kjo ishte mënyra më e mirë për të krijuar një “qark të shkurtër” mes drejtuesit të automjetit dhe drejtuesit hijerëndë të shtetit. Për me tej në një intervistë për “Shekullin” Hamdi Sina rrëfen:

Si do të bëhej emërimi juaj?

Kjo nisi nga një takim rastësor në rrugë, ku u përballa me makinën e kryeministrit, ministrit të Brendshëm etj. Unë në atë kohë transportoja trupa në rrugën e Bizës së Martaneshit. Kishte rënë dëborë e madhe. Ishte mëngjes dhe u ndesha ballë për ballë me makinat e Mehmet Shehut, Hysni Kapos e Kadri Hazbiut që kishin dalë për gjah. Kryeministri u habit kur më pa të ngarkuar me trupa në një dëborë që vinte deri në gju. “Nga je ti?” më pyeti. “Katundar tirone” iu përgjigja me dialekt. Ai qeshi e tha: “Qenke brisk nga goja”. Ndërkohë u afrua Kadri Hazbiu i cili gjithashtu më pyeti se nga isha. “Nga Kamza, andej nga Bathorja e poshtme”, - e sqarova. Atëherë ai u kujtua. “Po unë në shtëpinë tënde kam qëndruar, kam ngrënë bukë e babai yt më ka dhënë besën”, tha ai.

Kur kishte qëndruar Kadri Hazbiu në shtëpinë tuaj?

Në vitin 1944 gjatë luftës. Ai kalonte me Brigadën e 7-të për në Veri. Ne kishim një shtëpi të madhe me 16 dhoma. Ai ndaloi dhe i tha babait tim: “A ke besë o zoti i shtëpisë”. “Kam posi jo”, ia ktheu babai. “Po njeri tjetër a ke në shtëpi?” – e pyeti Kadriu. “Po kam, - i a ktheu babai, - kam Beqir Balluku në një anë e Abaz Kupin në anën tjetër”. Beqirin e kishim kushëri, ndërsa me Abaz Kupin na lidhte një krushqi. Kështu ishin këto punë në atë kohë. Dhe Kadri Hazbiu e mbante mend këtë fakt. Ai i tha Mehmetit: Më mirë të kem gjysmën e oficerëve në ministri, vetëm t’i kem nga katundet e Tiranës, se këta kanë besë. “Po Faja Dapin e njeh”, më pyeti Kadriu. “Një hulli na ndan”, i thashë unë. Faja Dapi ishte shumë i njohur në zonën tonë, i lidhur fort me Lëvizjen dhe bazë ku ishte strehuar Enver Hoxha. Atëherë Mehmet Shehu thirri një nga oficerët dhe i tha: “Regjistroje pak, se do na duhet”. Dhe kështu më morën gjeneralitetet.

Ku do të punonit pas këtij takimi?

Fillimisht unë u mora si shofer zëvendësues për gjithë udhëheqjen. Kam punuar me të gjithë nga pak. Por të gjithë kanë hipur në makinën time. Ndërsa në vitin 1960 me merr Haxhi Lleshi. Me Kryetarin e Presidiumit punova 4 vjet dhe ia kalova shumë mirë. Ishte burrë babaxhan. I priste të gjithë ata që i vinin për t’i qarë hallin dhe nuk linte njeri të ikte pa ngrënë drekë a darkë. Një herë gjatë një shiu të madh, kur ktheheshim nga Durrësi, makina më rrëshqiti e mbajta frena fort. Haxhiu ishte përpara në makinë, dhe e kishte zënë gjumi. Oficerët e shoqërimit prapa gjithashtu po flinin. Haxhiut iu përplas koka në kroskot dhe i doli pak gjak. “Shpëtuam mirë” më tha. Mirëpo morëm rrugën e gabuar nga Shijaku. Erzeni kishte dalë nga shtrati dhe kishte përmbysur dhe radiostacionin që ishte instaluan nga ato anë. Uji erdhi deri tek xhamat e makinës. Por dyert ishin puthitur mirë e nuk hyri në kabinë. Pasi dolëm nga uji, i kërkoj të falur Haxhiut. “Jo, - më thotë, - fajin e kam unë, se e dija që këtu do të na ndodhte e njëjta gjë. Këtu jemi futur në ujë një herë kur po udhëtoja me Myslim Pezën”

Pas Haxhi Lleshit do të transferoheshit tek Enver Hoxha?

Në fakt pas tij u emërova nëndrejtor i Parkut të Delegacioneve. Parku kishte shumë makina me të cilët priteshin delegacionet që vinin në Shqipëri. Kishte një ZIM që nuk e përdorte më Enver Hoxha, kishte Vollga, dhe 6-të Volvo. Ndërkohë ne porositëm dhe 4 Volvo të tjera jashtë serie. Fabrika, ato i solli bashkë me një inxhinier shoqërues. Për të treguar se ato ishin të një prodhimi të veçantë inxhinieri suedez bëri një provë, mori një nga Volvot brenda parkut, lëvizi me shpejtësi 50 km në orë dhe u përplas me një mur betoni që kishim aty. Makina u kthye prapa nga forca. E kontrolluam dhe nuk vumë re asnjë dëmtim. Tek parakolpi ishin vendosur susta që amortizonin goditjet.

Kur do ta linit postin në nëndrejtorit të Parkut?

Në vitin 1967. M’u propozua të kaloja si shofer i dytë tek Enver Hoxha. Vetë Kadri Hazbiu më thirri për një kafe e për të më thënë si me takt se ishte menduar që të më lëviznin. Ai më shpjegoi arsyen: Ato kohë shoferi i parë i Enver Hoxhës, Isufi ishte sëmurë dhe u zëvendësua nga Emin Bermema. Emini ishte shofer i mirë dhe dinte sa një inxhinier për problemet mekanikë. Ishte shumë i zoti. Ndaj e kërkuan me ngulm të kalonte si shofer i Enverit. Por ai kërkoi si zëvendësues emrin tim. Atëherë u fut në lojë Kadri Hazbiu. Dhe kështu kalova në familjen Hoxha ku punova rreth 5 vjet. Herë me Enverin, herë me Nexhmijen, e herë me fëmijët. Por unë isha ai që u mësova makinën edhe Ilirit edhe Sokolit.

Me çfarë makine udhëtonte Enver Hoxha?

Kush shkova unë ende ishte në qarkullim një ZIM. Kishte dhe një Gaz 69 për rrugë malore, 4x4 që ishte një makinë shumë e mirë. Në atë kohë u porositën dhe 8 Benza në Gjermani. 7 prej tyre ishin “280 SEL” që i morën anëtarët e Byrosë Politike dhe një tjetër ishte “Benz 600” tip limuzinë me 6 dyer për Enver Hoxhën. Benzi ishte elektronik, me sofieta që ngrihej kur kishte rrugë të këqija, me xham që pengonte komunikimin me shoferin e me sediljet e pasme që mblidheshin për të krijuar një hapësirë të madhe. Shpenzonte gjithsej 15-16 litra benzinë për 100 km. Shkuam në Durrës për të pritur makinat. Ato i shoqëronte dhe një inxhinier gjerman, biond, dy metra i gjatë. Makinat ishin të paketuara në ambalazhe dërrase. Tek fusha e kripores së Durrësit u hoqëm ambalazhet. I mbushëm me benzinë, pasi serbatorët ishin bosh. Këto Benza ishin ekonomikë nuk shpenzonin më shumë se 8-9 litra benzinë për 100 km. Inxhinieri gjerman i ndezi të gjitha dhe bëri dorëzimet.

Po Nexhmije Hoxha çfarë makine përdorte?

Me sa mbaj mend ajo në fillim kishte një BMV gjermane, por nga ato të luftës. Por më vonë mori nga Parku i Delegacioneve një “Fiat 1800” prodhim italian.

Enveri udhëtonte gjithmonë me një “Mercedez Benz 300 SEL”. Limuzinën e përdorte rrallë, kur priste delegacione. Për delegacione të nivelit të lartë, si në rastet kur në Shqipëri erdhi Hrushovi, Sianuku e Çu En Lai nxirrej ZIM-i i zbuluar. Enveri kishte pasur një ZIM që në vitin 1950 dhuratë nga Stalini madje kësaj makine i mbaj mend edhe targën 0331. Në 1954 e ndërroi po me një ZIM pasi rusët në atë kohë sollën 10 makina të këtij lloji për gjithë udhëheqjen. Erdhi dhe një makinë kineze “Flamuri i Kuq”. E morëm në Rinas, sa zbriti nga avioni, por sapo morëm kthesat e Prezës na dha defekt në timon. Enveri nuk e përdori asnjëherë atë makinë.

Incidenti me kryeministrin

Mehmet Shehun shkel rregulloren që kishte firmosur vetë

Një defekt teknik dhe çdo makinë mund të mbetet në rrugë. Kjo mund të ndodhte dhe me Benzin e Enver Hoxhës. Por nuk ka ndodhur. Hamdi Sina thotë: “Nëse do të ndodhte një gjë e tillë do më iknin 5 kile gjak menjëherë, por nuk ndodhi asnjëherë. Po tregoj një rast: Unë isha me Haxhi Lleshi në atë kohë. Ishte viti 1962. Po vinim nga Durrësi për në Tiranë. Përpara nesh ishte makina e Kryeministrit. Ne mbanin një distancë pre 50 metrash sipas rregullit. Sa kaluam Maminasin makinës së kryeministrit i plasi goma. Ndaloi Teki Qerimi që ishte shoferi i tij, ndalova dhe unë pas tij. Kryeministri ma bëri me dorë të afrohesha. Nga pas kisha Haxhi Lleshin e Myslim Pezën. Mehmeti nxori jashtë oficerët e shoqërimit, u tha të hipnin në GAZ-in shoqërues dhe vetë hipi para në makinën time. Më tha të ecja shpejt. Unë e ngrita kilometrazhin deri në 60 km në orë. “Ec më shpejt”, më tha Mehmeti. Unë vazhdova po me 60. Atëherë ai iu kthye Haxhiut: “Ore po ky shoferi yt nuk marrka vesh, ec ore më shpejt”. Unë i sikletosur hapa kroskotin, nxora rregulloren që mbaja aty dhe i tregova vendin ku ishte firma e tij. I thashë: “Kjo rregullore nuk më lejon të eci me shpejtësi mbi 60 km në orë”. Ai ma ktheu: “Unë nuk pyes për rregullore”, dhe kaloi këmbën e tij mbi këmbën time për t’i dhënë gaz makinës. Unë i dhashë këmbës në të kundërt dhe shpejtësia në vend të rritej u ul. Ai u nxeh shumë. Në Laprakë e pashë keq dhe ndala makinën: “Shoku kryeministër merre vet makinën po qe se do të thyesh rregullat” i thashë. Haxhiu ndërhyri. “Hamiti nuk i thyen kurrë rregullat”. Kur e çova në shtëpi Mehmeti hapi derën të zbriste nga makina pa ndaluar ajo dhe përplasi derën me shumë forcë sa thashë se u thyen xhamat”.

Informacioni që stepi Sekretarin e Parë

Cili ishte kontakti i parë me Enver Hoxhën si shofer i tij? Hamdi Sina tregon: “Sapo kisha filluar. Atë natë ishte sëmurë Myslim Peza dhe Enveri kërkoi të shkonte ta vizitonte tek klinika e udhëheqjes ku ishte shtruar. Ishte ora dy pasmesnate. Unë nxora makinën. Enveri hipi dhe më tha: “Në klinikë Isuf”. “Si urdhëron”, i thashë. Enveri e kuptoi që më kishte ngatërruar. Atëherë ndërhyri Axhem Abazi që ishte shef i grupit të shoqërimit: “Kemi marrë këtë djalin e ri se Isufi kishte fejesën e djalit”, i tha. Enveri më pyeti nga isha dhe unë i tregova. Atëherë ai më pyeti për familjen e Faja Dapit. Vetë Faja kishte vdekur dhe Enveri në pamundësi të shkonte vetë dërgoi Nexhmijen. Pra ia bëri nderin. Unë i thashë; “Familja e tij e kanë shpallur kulak tani”. Enveri u step: “Nesër në mëngjes eja në zyrën time” - më tha. Të nesërmen, sapo lash turnin erdhi Sulo Gradeci dhe më shoqëroi për tek zyra e Enver Hoxhës. Atje gjej dhe Nexhmije Hoxhën me bllok e laps në dorë. Kur hyra unë Enveri iu drejtua Nexhmijes: Tani unë do pyes, ky do përgjigjet dhe t’i do mbash shënim. I shpjegova se pas ca ngatërresash familja e Faja Dapit ishte shpallur kulakë dhe tre djemtë e tij, dy inxhinierë e një tjetër shef pavijoni në spital i kishin hequr nga puna, plus masave të tjera që ishin marrë. Atëherë Enveri urdhëroi Nexhmijen: Deri nesër ora 12.00 fëmijët e Faja Dapit të jenë pajisur me triskat e frontit, përndryshe ti e Ramizi kot drejtoni Frontin Demokratik. Dhe kështu u bë. Fëmijët e Fajës u kthyen menjëherë atje ku ishin”.

Në parkun e mauneve “Albania”

“Në vitin 1969 gruaja ime lindi vajzën e 6-të. Familja u zmadhua. Në fillim merrja një rrogë shumë të mirë që më shkonte 10.800 lekë të vjetra, por më pas na u hoqën ca privilegje që kishim, e rroga mbeti 7500 lekë. Jo vetëm për këtë arsye, bëra disa kërkesa për largim nga puna. Por nuk më kishin kthyer përgjigje. Atëherë gjatë një udhëtimi që bëra me Nexhmije Hoxhën i thashë si e kisha hallin. Ajo bisedoi me Kadri Hazbiun dhe ai pas disa hezitimesh pranoi të largohesha. Mirëpo më thërret Enver Hoxha në zyrë e më pyet përse doja të largohesha. I them: “Po ja unë jam familje e madhe, kam dhe nënën në shtëpi, dua të punoj në një front ku të kem një rrogë më të madhe se nuk ia dal dot”. Atëherë Enver Hoxha më tha: “E drejtë, t’i do shkosh në TIR”. Dhe kështu u bë. Ishte vetë Enver Hoxha që më çoi në ndërmarrjen ku maunet tona çonin mallra jashtë shtetit. Prej vitit 1972 unë i rashë Evropës në çdo cep, në Lindje e Perëndim, me kontratat e Alb-Shipit”.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>