Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372

Vetëvrasja apo jeta?!

$
0
0

Vendi ynë kohët e fundit po ballafaqohet me një dukuri shumë shqetësuese dhe të ndjeshme, e cila thuajse ka qenë e panjohur për ne. Disa dekada më herët vendi ynë kishte përqindjen më të ulët në Ballkan, por kjo dukuri sa vjen e po rritet që pas përfundimit të luftës. Kjo dukuri e shëmtuar me fund fatkeq quhet vetëvrasje.

Vetëvrasja është një dukuri e jo sëmundje,[1] është e paparashikueshme, është një vendim personal në të cilin ndikojnë faktorë të ndryshëm. Të dhënat shkencore tregojnë se në rreth 90% të rasteve vetëvrasja ndodh nga faktorët biologjikë e jo nga sëmundjet psikiatrike; faktorë janë edhe keqtrajtimet në fëmijërinë e hershme, qofshin ato keqtrajtime fizike apo abuzime seksuale. Shpeshherë trauma të tilla të përjetuara në këtë periudhë e depresionojnë personalitetin për jetë dhe e nxitin atë në reagime të mundshme vetëvrasjeje më vonë. Nëse këtyre faktorëve që stimulojnë vetëvrasjen u shtojmë edhe ngjarjet aktuale jetësore, si sëmundjet e rënda trupore, varfërinë, papunësinë, mungesën e perspektivës, përdorimin e alkoolit dhe drogës, por mbi të gjitha edhe mungesën e edukates fetare, atëherë individi e percepton realitetin në mënyrë tjetër derisa arrin te realizimi i këtij akti.


Çdo vit në botë vetëvriten rreth një milion njerëz.[2] Jeta është shumë e bukur për ta shuar me duart tona. Vetëvrasja nuk është alternative për të dalë nga kaosi i problemeve dhe i barrierave jetësore. Vetëvrasja nga këndi fetar është një mëkat prej mëkateve të mëdha. Një numër i kufizuar ajeteve e prezantojnë vetëvrasjen si një vepër të ndaluar dhe shumë të shëmtuar. Zoti i Madhëruar thotë në Kuran: "Dhe kurrsesi mos e mbytni veten tuaj, Allahu mbi ju është I mëshirshëm."[3] Pejgamberi paqja qofte mbi të, ka thënë: "... e kush e vret vetveten me diçka, do të ndëshkohet me të Ditën e Gjykimit..."[4] Në një hadith tjetër ka thënë: "Kush e vret vetën me hekur, do të ringjallet duke e munduar veten me hekur në zjarrin e xhehennemit. Kush e vret veten duke pirë helm, do të ndëshkohet në zjarrin e xhehennemit duke munduar veten dhe helmi do të jetë në dorën e tij. Kush e vret veten me litar, do të ndëshkohet në zjarrin e xhehennemit duke u keqtrajtuar në të ".[5]


Këto ajete janë masa parandaluese për njeriun, që nëse i shkon mendja për një gjë të tillë, ky do të jetë ndëshkimi i tij dhe se vuajtja e tij do të jetë më e gjatë në amshueshmëri sesa çasti i vetëvrasjes. Siç u përmend më lart, vetëvrasja është dukuri e paparashikueshme, prandaj Islami e ka trajtuar si të tillë duke parandaluar faktorët apo shkaqet që çojnë deri tek ajo. Secili prej nesh duhet të ndiejë përgjegjësi dhe nëse kemi ndonjë paralajmërim për personat që i njohim se kanë pësuar ndryshime në ndjenja, kanë sjellje jo të zakonshme, janë të heshtur, janë pesimistë për jetë, të stresuar, kanë vështirësi në kërkimin e ndihmës, kanë ulje të vetëbesimit në zgjidhjen e problemeve, atëherë kjo situatë te këta persona është një sinjalizim për ne që t’i ndihmojmë sepse ata nuk shohin perspektivë për jetë dhe t’ua largojmë rrezikun ashtu siç ndihmojmë një të verbër që i është afruar një humnere.


Mund të thuhet se Islami me udhëzimet e tij u ngjall njerëzve shpresat për jetë edhe në rastet e vështira e kritike, si në kohë skamjeje, luftërash, frike etj., sepse nëse njeriu i humb shpresat për jetë, edhe nëse nuk vetëvritet fizikisht, ai është i vetëvrarë psikikisht. Islami parandalon të këqijat dhe mëkatet në përgjithësi, por vetëvrasjen në veçanti.

Lusim Zotin e Madhëruar të na ruajë nga të ligat, qofshin ato të shfaqura apo të fshehta, ta kthejë vendin tonë tek ajo me të cilën Zoti është i kënaqur dhe kanë dobi muslimanët e këtij vendi. S’ka dyshim se Zoti është Ai që meriton të lutet dhe vetëm Ai u përgjigjet lutjeve!

Revista Dëlirje&Edukim


[1] Sipas përkufizimit të disa psikologëve dhe sociologëve në klasifikimet ndërkombëtare të sëmundjeve.
[2] Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo 40 sekonda në botë ndodh një vetëvrasje.
[3] En-Nisa: 29.
[4] Transmeton Imam Ebu Davudi në “Sunenin” e tij me nr. hadithi 3257 dhe Imam Tirmidhiu në “Sunenin” e tij me nr. hadithi 2636. Shejh Albani
e ka cilësuar sahih (të saktë), shih “Sahihul-Xham'i” me nr. hadithi 5404.
[5] Transmeton Imam Nesaiu në “Sunenin” e tij me nr. hadithi 1965, gjithshtu Imam Tirmidhiu në “Sunenin” e tij me nr. hadithi 2044 dhe ka
shtuar: "... kush e vret veten duke u hedhur nga kodra, do të ndëshkohet në zjarrin e xhehennemit...", kurse shejh Albani e ka cilësuar sahih (të saktë)
shih “Sahihul-Xham'i” me nr. hadithi 6459

Fotografitë e Bashkëngjitura
Lloji i Skedarit: jpg jeta.JPG (29.7 KB)

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372