Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372

Shqipëria merr statusin kandidat

$
0
0
TIRANE- Komisioni Europian rekomandoi dje që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, por me kushtin që të shënohet progres në fushën e drejtësisë, në atë të administratës publike si dhe në reformën parlamentare, duke kërkuar njëkohësisht edhe një angazhim më të fortë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Gazeta Shqiptare” boton sot gjetjet kryesore të Raportit të Progresit 2012 për Shqipërinë.

PROGRES-RAPORTI 2012
Raporti i Progres për Shqipërinë është pjesë e Paketës së Zgjerimit 2012 të miratuar nga Komisioni Evropian më 10 tetor. Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Shqipëria ka bërë progres drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim në BE duke kryer një numër reformash të rëndësishme kundrejt prioriteteve kyç të Opinionit të Komisionit të vitit 2010. Duke pasur parasysh këtë, Komisioni Evropian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat në BE, pasi të përmbushë masat kyçe në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike dhe rishikimin e rregullores së Kuvendit. Komisioni do të vlerësojë gjithashtu përpjekjet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me qëllim që të jetë në gjendje të kalojë në fazën tjetër dhe të hapë negociatat e asociimit, Shqipëria duhet të demonstrojë veçanërisht një implementim të qëndrueshëm të angazhimeve të ndërmarra dhe plotësimin e prioriteteve kyçe të mbetura që nuk janë përmbushur plotësisht. Fokusi duhet të jetë shteti ligjor dhe të drejtat themelore. Dialogu i qëndrueshëm politik do të mbetet esencial për një proces të suksesshëm të reformave. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test themelor në lidhje me këtë dhe një parakusht për çdo rekomandim për hapjen e negociatave.

KRITERI POLITIK
Shqipëria ka bërë përparime në përmbushjen e kriterit politik të Kopenhagës për anëtarësi në Bashkimin Evropian. Koordinimi i punës lidhur me integrimin në BE është përmirësuar më tej, duke çuar në rishikimin e Planit Kombëtar të Veprimit për trajtimin e prioriteteve kyçe të BE-së. Ky proces ka qenë transparent dhe pjesëmarrës, përfshirë diskutime me opozitën në Komisionin Parlamentar për Integrimin Evropian. Dialogu politik mes palëve është përmirësuar shumë duke i lejuar Shqipërisë të plotësojë katër nga përparësitë kyçe, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me funksionimin e duhur të kuvendit, miratimin e ligjeve në pritje që kërkojnë shumicë të përforcuar, emërimin e Avokatit të Popullit dhe proceset dëgjimore dhe votuese për institucionet kryesore dhe modifikimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet. Shqipëria është në udhën drejt përmbushjes së dy prioriteteve kyçe lidhur me reformën e administratës publike dhe përmirësimin e trajtimit të të dënuarve. Ka patur progres edhe për prioritetet e mbetura, përfshirë hapa me rëndësi si miratimi i ligjit mbi gjykatën administrative, rritja e sekuestrimit të pasurive kriminale, miratimi i një strategjie gjithëpërfshirëse mbi reformën e pronave dhe sanksioneve shtrënguese për dhunën në familje. Miratimi i amendimeve kushtetuese që kufizojnë imunitetin e zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve shënoi një hap me rëndësi në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria vazhdon të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Megjithatë, nevojiten përpjekje të tjera dhe të qëndrueshme për të përmbushur plotësisht kriterin politik të Kopenhagës. Për sa i takon demokracisë dhe shtetit ligjor, është thelbësore të mbështetemi në progresin e bërë dhe të sigurohet qëndrueshmëria e dialogut politik dhe përpjekjeve të përbashkëta për reforma. Janë të nevojshme masa konkrete për forcimin e përgjegjshmërisë, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor. Duhet forcuar precedenti i hetimeve, përndjekjes dhe dënimeve në rastet e korrupsionit në të gjitha nivelet. Lufta kundër krimit të organizuar duhet përmirësuar më tej. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar zbatimit të vazhdueshëm të strategjisë për të drejtat e pronësisë. Zbatimi i instrumentave legjislative dhe politike në fushën e të drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me romët, duhet përmirësuar më tej.

KRITERI EKONOMIK
Ekonomia shqiptare ka vazhduar të ketë stabilitet makroekonomik. Shqipëria ka bërë përparim drejt shndërrimit në një ekonomi tregu funksionale. Ajo duhet të jetë në gjendje të përballet me presione konkurruese dhe forcat e tregut brenda Bashkimit në periudha afatmesme, me kusht që reformat strukturore të përshpejtohen dhe thellohen, përfshirë përforcimin e sistemit ligjor dhe forcimin e kapitalit fizik dhe njerëzor. Kërkesa e brendshme ka kontribuar më së shumti në rritjen e GDP me 3,1% në vitin 2011, e megjithatë veprimtaria ekonomike ka ngecur në çerekun e parë të vitit 2012 nga përçarjet e pushtetit. Inflacioni ka mbetur i pandryshuar falë politikes së shëndoshë monetare të Shqipërisë. Megjithatë, ekonomia shqiptare ka mbetur e cënueshme për shkak të një defiçiti të lartë dhe defiçiti fiskal është rritur në vitin 2011. Të metat që prekin shtetin ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë pengojnë zbatueshmërinë e kontratave dhe kanë ndikime negative mbi investimet dhe klimën e biznesit. Mbetet shqetësimi mbi nivelin e lartë në rritje të huave jopërformuese në sistemin bankar. Sektori informal dhe mbledhja e dobët e taksave mbeten një sfidë.

LEGJISLACIONI I BE
Shqipëria ka bërë një progres të moderuar në përmirësimin e aftësive të saj për të ndërmarrë detyrimet e anëtarësisë përmes përafrimit të legjislacionit dhe standardeve të saj me ato të BE-së, veçanërisht në fushat e konkurrencës, taksave, statistikave, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, arsimit dhe kulturës dhe bashkimit doganor. Megjithatë, nevojiten përpjekje më të mëdha meqë progresi ka qenë i kufizuar në fusha si liria e lëvizjes së punëtorëve, prokurimi publik, ligji për pronësinë intelektuale, zhvillimi i bujqësisë dhe ai rural, siguria e ushqimit, energjia dhe mjedisi dhe ndryshimet klimaterike. Nevojiten përpjekje të qëndrueshme për forcimin e kapacitetit administrativ për implementimin dhe zbatimin e legjislacionit.

Balkanweb/

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24372


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>