Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370

Konflikti Sirian, dhe kryqëzatat e xhihadet shiito-vehabite.

$
0
0
Konflikti sirian, dhe kryqëzatat e xhihadet shiito-vehabite


Përpara disa ditësh, në një video të youtube-it që pashë në internet, disa fanatikë arabo-shiitë që jetonin në Londër, festonin vdekjen e gruas së profetit Muhamed a.s., hazreti Aishes r.a. Ata brohorisnin “Aisha është në zjarr, Aisha është në zjarr”. Videoja në fjalë ndiqej nga një fjalim i një mullahi fanatik, i cili, gruan e profetit Muhamed a.s. e akuzonte për vrasëse të profetit, e thoshte se me rastin e vdekjes së saj ishin gëzuar imamët. Mallkimet e shiitëve fanatikë kundër disa prej shokëve të profetit Muhamed a.s., duke përfshirë këtu edhe gruan e tij, Aishën r.a. dhe babain e saj, kalifin e parë të Islamit, hazreti Ebu Bekrin r.a., apo në anën tjetër, mallkimi që sunitët i bëjnë shiitëve si armiqtë më të mëdhenjë të Islamit, dhe siç ne shohim shpesh në media, vrasjet, bombardimet e xhamive shiite që nga Pakistani e deri në Irak, tregojnë se në çfarë krize të thellë ka përfunduar teologjia e Islamit sot.

Përpara disa muajsh, kur pashë në youtube videon e intelektualit të madh iranian, Abdolkarim Soroush, me titull “Shi'ism in need of Reform” [media]http://www.youtube.com/watch?v=VI4rWyeTtmc[/media] , edhe pse nuk isha dakort me shumë nga idetë politike të Soroushit, një gjë më la mbresë. Soroushi thoshte që Islami që ne besojmë e ndjekim sot, nuk është Islami i kohës së profetit Muhamed. Sipas tij, si pasojë e ndërhyrjes së politikës në fe, pushtetarët që kanë sunduar botën Islame në këto 14 shekujt e fundit, e kanë deformuar mesazhin e Zotit për qëllimet e tyre.

Deklarata e Soroushit ishte tronditëse për mua. Kur pashë mallkimet e shiitëve të Londrës kundër hazreti Aishes r.a. e kur kam parë në ditët e fundit krime që bëhen në Siri nga disa sunitë në emër të Islamit, jam detyruar që të pranojë, që feja Islame sot, është e mbushur me shumë idiotësira, të cilat nuk asnjë lidhje me besimin që njeriu duhet të ketë ndaj të madhit, Zot. Vite më parë, konkluzione si këto të Soroushit unë i kam hasur edhe kur lexoja orientalistin Bernard Levis, i cili tregonte me gjakftohtësi, që si shiizmi, ashtu edhe sunizmi, janë bidate, apo rryma të reja brenda fesë Islame, të cilat u shpikën pas vdekjes së Profetit Muhamed nga politikanët arabë dhe persianë. Lindja e sunizmit dhe shiizmit erdhi si pasojë e lufës së madhe që ndodhi me pasardhësit e profetit Muhamed në ndodhitë që në Islam njihen si koha e fitnes. Koha e fitnes apo e trazirave nisi gjatë sundimit të kalif Osmanit r.a. e kulminoi pas vdekjes së tij gjatë Luftës së Devesë, kur kalifi i katërt i Islamit, hazreti Aliu luftoi kundër shokëve të profetit Muhamed, Talhës, Zuberjit dhe Aishes. Lufta e Devesë e cila u pasua me Betejën e Siffinit, kësaj here mes Aliut dhe guvernatorit të Sirisë, Muavijes, e më pas me Betejën e Qerbelasë, ku djali i Muavijes, Jeziti, martirizoi nipin e profetit Muhamed, imam Hyseinin, janë disa nga betejat që dishepujt e profetit Muhamed bën kundër njeri tjetrit, pas vdekjes së profetit. Këto beteja i kishin rrënjët që në kohën e xhahilijes para-islamike. Kushëriri i kalif Osmanit, Muavija, babai dhe nëna e tij, Ebu Sufiani dhe Hindi, e fiset e tyre kishin qënë hasmit kryesor të profetit Muhamed kur ai përhapi mesazhin e Islamit në Mekë. Ebu Sufjani dhe gruaja e tij, profetit Muhamed i vranë xhaxhain, Hamzanë. Megjithatë, pas çlirimit të Mekës, profeti Muhamed i fali kundërshtarët e tij, e ndër të tjerë edhe familjen e Ebu Sufianit.

Pas vdekjes së profetit, beteja ndërmjet familjes së Muhamedit a.s. apo ehlil bejt në një anë dhe familjes së Ebu Sufianit vazhdoi. Në një seri luftimesh, fisi i Ebu Sufianit arriti të mposhtë pasardhësit e profetit e të monopolizojë pushtetin e Islamit duke themeluar dinastinë e umajadëve, e cila qëndroi në pushtet për pothuajse njëqind vjetë, deri sa u rrëzua nga abasaditët, të cilët rridhnin nga familja e xhaxhait të profetit Muhamed, Abaz ibn Abdul Mutalibit. Edhe pse profeti Muhamed, sipas haditheve të sunitëve, e pati paralajmëruar gruan e tij, Aishën për fitnen apo sherrin e madh që do të vinte pas tij, ai nuk e preku familjen e Ebu Sufjanit sa ishte gjallë. Profeti e bëri një gjë të këtillë, ndoshta i nxitur nga urtësia hyjnore e cila mund ta ketë urdhëruar që të mos e zhdukë familjen e Ebu Sufianit, pasi pas vdekjes së tij, kjo familje me njerëzit e zotë dhe dinak që kishte, arriti të krijojë perandorinë e fuqishme umajade e cila e çoi fenë e profetit Muhamed nga Spanja e deri në kufijtë e Pakistanit.

Por, ardhja e umajadëve në pushtet, Islamit i krijoi edhe një plagë të madhe nga e cila ai vuan ende sot: krijimin e tre grupimeve të mëdha teologjike / politike brenda Islamit: havarixhëve, të cilët ishin si kundër Aliut e Muavijes dhe kërkonin kthim të Kurani; shiitëve, të cilët ishin mbështetësit e Aliut dhe pasardhësve të tij; dhe sunitëve, të cilët ishin politikisht mbështetësit e pushtetit umajad dhe trashëguan institucionet zyrtare të Islamit.


2.

Arsyeja pse e bëra këtë hyrje historike këtu, është se prej disa muajsh disa hoxhallarë shqiptarë të edukuar në Arabinë Saudite, dhe ndjekësit e tyre në Ballkan, kanë marrë zjarr nëpër forumet e internetit e nëpër xhamira. Ata apelojnë me pasion për të mbështetur luftën që po bëhet sot në Siri, kundër qeverisë siriane, pasi sipas tyre Siria është një shtet që udhëhiqet nga një alevit, Bashar al-Asadi dhe shiitët e Iranit. Alevitët, që janë një derivat i shiizmit, janë besimtarë muslimanë të cilët kanë besime heterodokse dhe ngjasojnë shumë me bektashijtë e Shqipërisë. Pasi nuk e ndjekin doktrinën e Islamit si sunitët, e kalifin Ali e shohin si njeri të shenjtë, nga ndjekësit e shkollës selefiste të islamit që praktikohet në Arabinë Saudite, ata cilësohen si qafirë, apo idhujtarë e si pasojë teologët sauditë legjitimojnë vrasjen e tyre. Edhe pse në Siri, përveç presidentit, shumica e ministrave dhe pushtetarëve janë me origjinë muslimane sunite apo të krishterë ortodoksë, e ushtria arabe siriane 70% të efektivave të saj i ka sunitë arabë e për më tepër ideologjia shtetërore e Sirisë është arabiste dhe jo islamiste, propaganda që armiqtë politikë të Sirisë, Arabia Saudite dhe Katari bëjnë sot kundër regjimit sirian, është se lufta që bëhet sot në Siri është një “Bellum iustum”, apo një “luftë e drejtë”, e sunizmit i cili tregohet si selefizëm e për pasojë si feja e vërtetë Islame, kundër shiizmit dhe alevizmit, të cilët tregohen si fe të rreme të cilat duhet të ç’rrënjosen me shpatë. Teologjia e selefizmit saudit, ndërsa i njeh të krishterët dhe çifutët si njerëz të mbrojtur me ligj, grupet e “devijuara” brenda Islamit, i bën tekfir, apo qafirë, dhe kërkon që të vriten. Pra për sektet e tjera Islame nuk ka mbrojtje, por vetëm luftë.

Kjo propagandë e cila ka marrë përmasa globale dhe dëgjohet që nga xhamitë e Torontos ku unë jetoj, e deri në Tiranë - luftën për “demokraci dhe nacionalizëm” që bëhet nga Këshilli Nacionalist Sirian – drejtuesit e të cilit nuk kanë aspak lidhje me teologjinë e Islamit, përkthehet si një luftë e shenjtë. Hoxhallarë të influencuar nga ideologjia saudite e vehabizmit, besimtarët e palexuar mirë, i cyt që të besojnë se në Siri po bëhet beteja vendimtare për të shpëtuar Islamin nga bidati – apo shpikjet në fe – që kanë bërë shiitët “e mallkuar” – të cilët, legjenda sunite tregon - u shpikën nga çifutët për të shkatërruar Islamin.


3.

Lufta që po bëhet sot në Siri është një “proxy war” apo “luftë me bedel” të cilën e bën Amerika kundër Rusisë. Presidenti Bashar al-Asad dhe regjimi sirian janë një regjim filo-rus. Siria është vendi më strategjik i Rusisë në Mesdhe, pasi porti i Tartusit ku rusët kanë anijet e tyre, është baza e vetme strategjike që Rusia ka në detërat e ngrohtë të Evropës. Nëse Rusia do të humbasë Sirinë, ajo humbet rëndësinë strategjike në Evropë dhe kthehet 200 vite pas në histori, kur rusët ishin të mbyllur në kontinentin e Euroazisë. Flota e tyre nuk do të ketë më akses në ujërat e ngrohta të Evropës dhe përveç porteve të Krimesë në Detin e Zi, të cilat mund të bllokohen nga Turqia në rast lufte, dhe portin e Vladivostokut në oqeanin Paqësor, rusët do të mbyllen në malet e Euroazisë dhe nuk do të jenë më një fuqi evropjane.

Lufta që po bëhet sot në Siri, ka edhe një dimension tjetër. Ajo është një luftë edhe kundër regjimit teokratik të Iranit. Që prej fitores së revolucionit islamik në vitin 1979, shteti iranian i themeluar nga Imam Khomeini i ka vënë detyrë vetes që të marri në dorë udhëheqjen e botës së Islamit, të çlirojë xhaminë e shenjtë Aksa në Jeruzalem, e cila mbahet e pushtuar nga cionistët izraelitë dhe t’i çlirojë muslimanët nga dominimi i imperializmit të krishterë.

Pushtimi amerikan i Irakut e rrëzimi i Sadam Huseinit, ndërsa i ka ndryshuar thellësisht balancat mes shiitëve dhe sunitëve në botën arabe, ka rritur në mënyrë indirekte edhe influencën e Iranit. Sjellja e demokracisë në Irak, i mundësoi shiitët irakenë që përbëjnë shumicën e popullsisë që të vinë në pushtet. Në anën tjetër aleanca që regjimi teokratik i Iranit ka bërë me regjimin arabist të Sirisë – pasi ky është shteti i vetëm arab që nuk ka nënshkruar paqe me Izraelin – i ka trembur amerikanët, izraelitët dhe monarkitë feudaliste të Gjirit Persik. Kur amerikanët e pushtuan Irakun dhe vendosën t’a bombardojnë për në demokraci, mbreti Abdullah i Jordanisë, i cili trembet për vete nga demokracia, i paralajmëroi amerikanët duke u thënë se me sjelljen e demokracisë ata po sillnin në pushtet shiitët, të cilët po themelonin një gjysëmhënë shiite e cila shtrihej nga Teherani, në Bagdad, Damask (meqë Bashar al-Asadi është alevit) e përfundonte në Liban ku ishte hizbullahi. Monarkitë feudale të Gjirit, duke përfshirë këtu edhe Jordaninë, nuk i tremben Iranit pse ata janë shiitë dhe shajnë hazreti Aishen dhe kalifin Ebu Bekër. Arsyeja pse ata i tremben Iranit, është ideologjia revolucionare iraniane, e cila, pas rrëzimit të Shahut në vitin 1979 i ka apeluar muslimanëve të Lindjes së Mesme që të rrëzojnë monarkitë feudaliste, themelojnë republika me pjesëmarrje qytetare e mbi të gjitha, nëse monarkitë pushtetin e tyre jolegjitim e mbajnë me dhunë dhe ndihmën e Perëndimit, ideologjia revolucionare iraniane u kërkon që të themelojnë shtete demokratike, ku Islami të jetë kriteri i qeverisjes dhe jo lidhjet fisnore apo idetë ateiste të Perëndimit.

Perëndimi, i cili ka interesa vitalë që të kontrollojë burimet e naftës në Lindjen e Mesme dhe sigurojë ekzistencën e shtetit të Izraelit, i trembet shumë lidhjes së Sirisë me Iranin. Ndërsa diktaturat arabe të Gjirit Persik – të cilat mbahen në pushtet nga amerikanët - me Iniciativën Arabe për Paqe të vitit 2007 i ofruan Izraelit paqe pa kushte dhe e njohën pushtimin e Palestinës si fakt të kryer dhe kanë legjitumuar maskrat izraelite në luftën e Gazës – lidhja e Sirisë me Iranin e refuzimi i saj për t’i dhënë fund rezistencës përbën kërcënimin e fundit që Izraeli ka në Lindjen e Mesme. Lufta Izrael-Hizbullah e qershorit të vitit 2006, kur milicia shiite e Hizbullahit, me mbështetjen e Sirisë dhe Iranit, detyroi për herë të parë në historinë moderne të Lindjes së Mesme, tërheqjen e Izraelit nga lufta, dhe mbështetja që Irani dhe Siria i dhanë Hamasit në një kohë kur regjimet arabe deshën shkatërrimin e tij, i ka bindur amerikanët që gjysëmhëna shiite përbën një kërcënim serioz për hegjemoninë e tyre në Lindjen e Mesme. Për këtë arsye, lufta që bëhet sot në Siri, është një aleancë e ç’shenjtë ndërmjet monarkive sunite të Gjirit Persik, Amerikës dhe Izraelit. Të gjitha kanë një projekt të përbashkët: shkatërrimin njëherë e mirë të Iranit, Sirisë, Hizbullahit dhe Hamasit.


4.

Konflikti i sotëm në Siri, i ka shtuar tablosë së luftës në Lindjen e Mesme edhe Turqinë e Erdoganit. Ndërsa Turqia e kohës së presidentit Bush u pa si kampione e muslimanëve në arenën ndërkombëtare, kur refuzoi të marrë pjesë në luftën imperialiste të Bushit në Irak, përzjerja e saj sot në luftën e Sirisë, siç Kemal Kılıçdaroğlu, lideri i partisë republikane turke thoshte në një letër që i çoi kryeministrit Erdogan disa javë më parë, e ka kthyer Turqinë në një “fanti spathi” në lojën me letra të Lindjes së Mesme. Arsyeja pse Turqia po merr pjesë sot në luftën kundër regjimit sirian nuk ka të bëj me sunizmin e luftën kundër shiizmit, siç propagandojnë hoxhallarët selefistë në xhamitë e Tiranës e duan të besojnë shumë muslimanë. Turqia ka qenë vazhdimisht kundër ndërhyrjeve të Perëndimit në botën muslimane, dhe shteti turk është ideologjikisht shumë më i afërt me regjimin shekullar sirian sesa me diktaturat vehabiste të Gjirit Persik. Arsyeja pse Turqia sot gjendet e zhytur në konfliktin sirian lidhet me ambicjet e ministrit të jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, i cili, në librin “Thellësitë Strategjike” thotë që Turqia duhet të jetë në pararojë të aksioneve globale për të siguruar vendin e saj si fuqi botërore. Politika e Davutoglusë për vëllazëri dhe probleme zero me vendet arabe – e cila ishte pjesë e politikës së prof. Nexhmedin Erbakanit dhe lëvizjes politike që ai themeloi – dështoi që në konfliktin libian, kur, edhe pse Turqia kundërshtoi ndërhyrjen ushtarake franceze në Libi, Nikola Sarkozi, jo vetëm që nuk i përfilli turqit, por, francezët dhe britanikët tërhoqën nga pas NATO-n, rrëzuan Gadafin dhe pas lufte arritën që të rrëmbejnë thelën më të madhe të tortës së investimeve në Libi, duke i lënë turqit me gisht në gojë e detyruar Davutoglunë dhe Erdoganin që të lëpinin ato që kishin thënë më parë e të puthen me rebelët në Tripoli.

Diplomacia turke e cila pas rrëzimit të shpejtë të regjimit libian, besoi se edhe Siria do të binte po aq shpejtë, duke dashur që në Siri të ishte Turqia ajo që do të merrte thelën më të madhe të influencës pas Asadit, nxitoi si budallaqe që të prishë marrdhëniet me sirianët me të cilët Davutogluja pinte çaj pak muaj më parë, dhe t’a fusë vendin në një konflikt pa fund, duke mbështetur opozitën siriane. Por konflikti sirian, i cili nuk po zgjidhet dot si libiani, me bombardime nga NATO – pasi Perëndimi i druhet një lufte botërore me Rusinë e cila po e mbron me të gjitha mënyrat regjimin – e ka lënë Turqinë sërisht me gisht në gojë. Ndërsa Perëndimi, kërkesat e Turqisë për ndërhyrje në Siri po i injoron, në anën tjetër Turqisë po i duhet të mbajë me bukë 100,000 refugjatë sirianë dhe përballet me problemet e luftës matanë kufirit. Në anën tjetër, si pasojë e prishjes së shtetit sirian, Turqisë po i duhet të përballet me terrorizmin kurd, i cili, tashmë i armatosur nga spiunazhi sirian si kundërpërgjigje, po e kthen jugun e Turqisë në një zonë lufte. E në anën tjetër, Turqia, jo vetëm që nuk po e rrëzon dot regjimin e Bashar al-Asadit, por imazhi i saj si një vend progresiv, demokratik dhe paqësor musliman, i cili propagandonte demokraci dhe zhvillim e mbronte të drejtat e muslimanëve, dashur e pa dashur e ka rreshtuar Turqinë dhe e ka bërë aleate me diktaturat mesjetare të Lindjes së Mesme, Arabinë Saudite dhe Katarin, dhe imperializmin amerikan.


5.

Konflikti i sotëm në Siri, përveç problemeve globale e rajonale që ka krijuar, po sjell nxitjen e një sektarianizmi të frikshëm në mesin e muslimanëve. Regjimet feudaliste të Gjirit Persik, të cilat, luftën e tyre kundër Sirisë po e justifikojnë si luftë të sunizmit kundër shiizmit (pasi për demokraci e republikanizëm ato nuk flasin dot), po merr në qafë shumë muslimanë të paditur, të cilët mendojnë se duke shkuar në Siri e luftuar Bashar al-Asadin, do të korrigjojnë sherret teologjike që në Islam nisën 14 shekuj më parë. Edhe pse drejtuesit e Këshillit Kombëtar Sirian, nuk e kanë fare hallin e Islamit, por shumë janë disa rrufjanë baathistë që duan që t’i zënë vendin e punës Basharit, shumë arabë të paditur që sot luftojnë në rrugët e Halepit dhe Damaskut, dhe vrasin e therrin ushtarë sirianë, besojnë se janë duke luftuar një luftë të shenjtë për mbrojtjen e sunetit. Grupe ihvanësh, selefistësh, muxhahidinësh arabë, turq e çeçenë, anëtarë të al-Kaedës dhe të çmendur të tjerë, sot armatosën nga Saudija dhe Katari e çohen si mish për top, që të vdesin për luftën që bëhet në Siri.

Situata e muslimanëve sot në Lindjen e Mesme i ngjan asaj të të krishterëve në Evropën e errët të mesjetës, kur katolikët vrisnin ortodoksët e më pas edhe protestantët, pse këta kishin koncepte të ndryshme mbi fenë. Katolikët i bënin ortodoksët qafirë, e këta po ashtu të parët. E protestantët Papën e quanin shejtan. Skizma e Madhe që i nisi Krishtërimit që në vitin 1054, kur Papë Leo IX dhe Patriarku i Kostandinopojës Mihal Cerulariusi e bën njëri tjetrin dhe besimtarët e tyre, qafirë, apo të pafe, sot i ka zënë edhe muslimanët. Por nëse në atë kohë katolikët ziheshin me ortodoksët për çështje si psh. nëse duhet të përdoret bukë me maja apo pa maja për festën e Eukaristit, apo nëse Papa i Romës ishte i pari fesë apo Patriarku i Kostandinopojës, apo nëse priftërijtë duhet të martohen apo rrinë myxhered, apo nëse duhet që kishat të mbajnë brenda tyre ikona apo statuja, etj, edhe muslimanët sot, si të krishterët 1000 vite më parë i janë vërsulur njëri tjetrit për çështje doktrinore, shpesh jo me shumë rëndësi. Tamam si në kohën e kryqëzatave kur nga katër kryqëzata të medha, tre prej tyre, katolikët i lëshuan kundër të krishterëve ortodoksë, edhe muslimanët sot, janë duke luftuar e vrarë njëri tjetrin. Tamam si në kohën e kryqëzatave, kur katolikët shkonin në Bizant dhe vidhnin kockat e dishepujve të vdekur të Krishtit dhe i çonin në Venedik, edhe sot, muslimanët bombardojnë tyrbet e varret e dishepujve të profetit Muhamed me bomba dhe dinamit. Por nëse në kohët e mesjetës, venedikasit i vidhnin varret, shiitët i adhurojnë ato, ndërsa vehabitët i hedhin në erë. Megjithatë, si vehabitët po ashtu edhe shiitët, janë zhytur aq shumë në xhehël saqë zihen për kocka të vdekurish.

Konflikti i sotëm në Siri, dhe mallkimet që hoxhallarët selefistë bëjnë kundër shiitëve, apo mallkimet që shiitët e Londrës bëjnë kundër hazreti Aishes r.a. dhe sahabëve të profetit Muhamed, tregojnë që për fat të keq, sot Islami është në një krizë aq të madhe sa ishte edhe Krishtërimi në kohën e kryqëzatave. Lufta politike që bëhet sot në Siri, për interesa të Rusisë dhe Perëndimit, për fat të keq po nxit një luftë brenda Islame e cila i ngjan kryqëzatës së katërt katolike e cila përfundoi me djegjen e Kostandinopojës. Muslimanvrasja që po bëhet sot në Siri, i ngjan masakrimeve katolike – ortodokse të 1000 viteve më parë. Dhe tamam si në vitin 1453, kur ortodoksët preferonin të jetonin më mirë nën sheriatin e turbanit turk sesa nën tiarën e Papës katolik, edhe sot muslimanët selefistë po tregojnë që preferojnë të jetojnë më mirë nën fajden e banksterizmit të FMN-së sesa nën baathizmin sirian.


6.
Për mendimin tim, muslimanët sot jetojnë në një kohë xhehli të madh. Ata janë të ndarë e e urrejnë njëri tjetrin si çifutët dhe të krishterët, të cilët qortohen për këto ndasi në Kuran. Fati i mirë që muslimanët kanë – në ndryshim me fetë para nesh – është se Zoti u ka dhënë një libër leximesh, Kuranin, të cilin Ai garanton Vetë se do ta ruaj deri në Ditën e Kijametit të pandryshuar. E Kurani, me lejen e Allahut nuk ka ndryshuar asnjë gërmë në këto 1400 vitet e fundit. Në Kuran, Zoti nuk përmend as Aliun e as Muavijen, as Aishen e as Hyseinin, as shiitët e as sunitët, as demokraci e as nacionalizem, por që të gjithë muslimanët i bën vëllezër, i quan muslimanë, e fenë e tyre nuk ua quan sunite, apo shiite, apo bektashiane apo aleviane, por Islam. Ndasitë dhe urrejtjet në shiitë e sunitë që janë përhapur sot mes muslimanësh, janë ndasi politike të një kohë të kaluar e të disa njerëzish që nuk kanë lidhje me muslimanët e sotëm. Allahu thotë në Kuran në Suren Bekare:

134. Ai ishte një popull që kaloi, atij i takoi ajo që fitoi, e juve u takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që vepruan ata.

A nuk do të ishte më mirë për muslimanët që sot të mos ishin as shiitë e as sunitë, por të jenë vetëm muslimanë? Të kthehen te Kurani e ta duan çdo njeri që thotë që është musliman, pa parë se çfarë ka prapa tij, e në vend të luftës ti dhurojnë dashuri? A nuk vjen emri Islam nga fjala paqe? Nëse është vertëtë kështu, atëherë pse muslimanët sot e duan kaq shumë luftën? Zoti ynë i madhëruar i porosit muslimanët në Kuran në suren Ali Imran e thotë:

102. O ju që besuat, kijeni frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, por vetëm duke qenë muslimanë!
103. Dhe kapuni që të gjithë për litarin e Allahut, e mos u përçani! Përkujtoni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntitë e Tij aguat vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së Xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu Allahu ua shqaron ju argumentat e veta që të gjeni të vërtetën e lumtur.
104. Le të jetë nga ju një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë të shpëtuarit.
105. E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të pësojnë një dënim të madh.

Ndërsa në suren Ali Imran, Allahu i apelon të krishterëvë me këtë mesazh:

64. Thuaju: “‘O ithtarë të librit, ejani te një fjalë që është e njejtë mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë tjetër përveç Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri - tjetrin zotër përveç Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë!”

A mos duhet që këtë mesazh, sot, t’a lexojnë edhe muslimanët që urrejnë e luftojnë njëri tjetrin ? Shiitët dhe sunitët, ateistët e besimtarët, baathistët e demokratët, t’a lexojnë e të bashkohen të gjithë përreth fjalës së Allahut dhe t’i harrojnë të gjithë konfliktet e shkuara por edhe të sotme politike, e të mos e etiketojnë më njëri tjetrin me terma sektarë, por të quhen të gjithë e thjeshtë muslimanë, e në vend të luftës të dhurojnë paqe dhe dashuri?

Paqja e Allahut qoftë mbi ju.
Olsi Jazexhi

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>