LEDIA DUSHI
Ledia Dushi u lind më 1978 në Shkodër. Ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe. Ka punuar si gazetare. Shkruan kryesisht në dialektin e Shkodrës. Ka botuar vëllimet: Ave Maria bahet lot, Tiranë 1997 (çmimi kombëtar për poezinë, Pena e Argjendtë, 1998); Mbledhje dimnash, Shkodër 1999; Askush nuk vdes për mue, Tetovë 2003 dhe Me mujtë me fjetë me kthimin e shpendve, Ideart 2010. Një vëllim i saj është botuar në italisht, Tempo di pioggia, 2000.
SHTRATI I LULEVE
Asgja s`flen n`shtrat
përveç luleve...
Muzika e ujit
që derdhet
mbi gurët e rrethinës
shtrihet përshpirtshëm
ndër çarçafët e shtratit...
Pa e ditun
vizatoj jokuptueshëm
zhurmën e dhimbjes...
Shtrati i luleve
zgjohet tmerrshëm
kur kujton
se krejt afër tij
ndodh zhvendosja.
TALLJA E DITES
Stinët
m`shkojnë djersë n`trup,
pemët
kanë thithë
tamblin e borës,
kokrrave t`mollës
i plaset shpirti,
malli kthehet n`fjoka.
Pishat dremisin
me lodhjen e njomun
n`përrue.
N`nji re
prifti luen urtshëm
me kokrrat e diellit
kur njerëz me shkretina n`krye
vdesin etjet.
Nji lamsh lule mjalti
m`rrin n`ndijim
Përherë
pritueshëm
shkoj n`burg hujsh,
prej fytit
me rraj
lëshohen n`mue.
Nji frymë pllumba
ma marrin krejt Unin,
kur e pijn ujin,
ngërdheshen
me lirinë n`tru,
me mue qeshin.
BUTI I KINGJIT
Kur ndiej gjethet
që lëmohen,
turrem vrap malit
tue kërkue kingjin,
rrathët e lodhjes
rrëzohen përtokë
Prej gjoksit
m`zbërthehet nji dhelpën,
kthehet n`dashni;
un`, vijë uji n`bar,
bilbilat m`zgjaten shpinës...
Çka m`kjante n`krye
me dhelpnën m`iku...
Butin e kingjit
ndjeva n`qafë
tue lëshue
fytyra fmijësh,
jargë
prej blegërimash
që s`thuhen
gjumi
m`doli
prej goje
KUR KENDON FRESKU N`VERE
Kur këndon fresku n`verë,
mushti lëshon mangët
tue shembë
pulsat e dashunive;
dhelpnat
natën
hasen n`mue,
kjajnë për trupin,
se i dhemb...
Virgjënat
ngjiten malit,
vjeshta i frymon
n`pyllin e thamë t`kronit
tue i gdhendë nervin
shpirtnave n`tru,
der` kurmandrrat
t`shkojn me erën.
FEMNA S`ASHTE NJERI
Nata
del
prej avujsh t`përroit,
si lodhja e vajzës
t`derdhun andrrash...
Shiu frymon
ndër pemë,
engjëjt lëshohen
fruta
n`parrizat
e trupit tim...
Gurëzit
janë qetimet
që rrëshqasin me verën
prej bishtit t`trunit...
Se dielli
u zhbaka
n`tavane t`zambakët...
lulediella t`zij
dillojn
përmbas shiut.
T`KORRUNAT E NATES
Dhelpna n`andrrën time
vdekun shkund
qershitë e jehit t`zogut
përreth gjijve...
T`korrunat e natës,
lëkura e fundit e mbramjes,
kur pështjell me rrathë
hanën.
Terri ashtë n`lulëzim
N`krye m`kulmohet ikja
me nji shtazë n`bark.
TALLJE
Bishti në t`ikun të ditës
shkundi manin e natës.
Kokrrat u çmenden ambël
tue shkëndijue
n`stuhitë e borës t`zhveshuna
t`trupit tim.
Rreze luleshtrydhesh t`krisuna
m`i njomin djegshëm buzët...
Shija e manit
m`dridhet n`fyt
tue ma trembë
lumturimin pa fund
kur pulbardhë
si zhurmim i gishtave
derdhet ndër bretke...
Bretkat
flutrojn n`ajrin tim...
terri i langët i pellgut
m`fshan n`trup
kur guakjet
kruhen për yll
tue shtye me teh t`zanit
tingukkin e tyne.
PRANVERE
N`burim e mbyta dorën...
ndjeva ballin e borës
kur u rrëzue
malit.
I ftohti
u vjedh ndër rraj;
vjolat
m`u rritën para syve,
kur zogjtë
i shtrënguen prej belit.
Gishtat e mi: damarët e rrjedhës,
gjaku: gjethja-lundër e bletës;
guralecat me fytyrë t`lame:
firoma pranvere
n`mushkëni time.
Livadhet
me hijen e engjëjve
lëkunden çmendun,
si boçja e vajzës t`shtrime...
Fyelltari
ashtë tretë n`ujë
bashkë me frymën;
fyelli
ashtë fyti i dlirët
i laureshës.
Tingujt,
langshëm blirojn
prej hopave t`pranverës,
kur plas synin
nëpër fletë.
Tue çilë buzët
Trungu
qeshun lëshon flutra.
KOHE PER SHI
Nji re
mbyti kryet n`pyll
Orlat
fshinin lotin
me pupël t`gjaktë,
thershin me skjep
inatin
n`tamthat e natës
Kodrat e zverdhuna
kanë lind n`bel t`fushës
janë
gjijt e këputun
t`vjeshtës
Ashtë kohë për shi,
n`ylberin e t`ftohtit
ngjyrat
janë fmijët
që i ngërdheshen
plagëve t`rrejshme
t`qiellit
N`stinë
dielli
ka me e pa
n`bërthamë t`dashnisë
token.
N`fund
lule-zemra
ka me u grimcue
n`thepa t`ditës së pare
tue lëshue
borën ndër ne.
ISHTE DREQI
Mbi krye
m`shkundet natë.
Dimni flen n`mue
tue m`rrejt përherë
me rreze
pa të nxehtë.
Ndër vorre
jam tue këdue
me shishe që derdhin ranë
thithi lule-shpirtin
me buzë, me gjuhë, me dhambë
Flokëve e gjoksit
m`shkrihet rrjedhshëm
tmerri i shpërnguljes
së hanës;
trupi
m`u këput prej dheut
më ra në qiell.
Ia ndjeva
dorën e bukur
me gishta t`akreptë
Ishte Dreqi
Që m`puthi dhambshëm n`vesh
tue m`gërdhisht n`shpirt
emnin e vet
me pëlhurën e kuqe
t`dashnisë n`trup.
PA TITULL
Nën qiell
yjet shndrisin t`kafun
si nishanat e ndejun
n`shpinë t`natës
Pranvera
ashtë futë
n`kacadrenin e mbuluem
prej t`ardhmes t`ftohtit
Burri që erdhi mbramë
i vorrosi bilbilat;
korbat
u futën n`gjoks t`pemës,
t`frym
prej tamblit t`rrajve.
Lepuri I klithi zjarmit;
tash qetësia
ashtë ba gacë
n`gojë teme
Ti burrë
mos i the gjujt
para parzmit t`dhelpnes
Andrra shkundetsi duhan
i nisun
kaherë.
VORREZA IME
Vorreza ime
kurmohet
n`thembra t`ujit,
gërdhishtun prej vilesh
n`ballin e rrjepun
t`Tetorit
Dimnat
n`dashni drunit
ma gdhendin
gjarpnin e synit
Bora
ka mbushë tiparet;
zogu ulet çilabuzë
tue frymue
n`nji dammar
që i ikë
letargjisë së përrito.