Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24415

16 gusht - Peshqiri i Zotit Krisht

$
0
0
Kur kryetari i Edesës, i quajtur Avgar, dëgjoi për famën e Isuit dhe mrekullitë e bëra prej tij, dëshiroi që të shkonte në Jerusalem për të parë Zotin me sytë e tij. Por kjo ishte e pamundur për shkak të sëmundjes së rëndë që e mundonte. Atëherë Avgari, nëpërmjet një burri të quajtur Anania, i dërgoi një letër Krishtit në të cilën i lutej të shkonte e ta shëronte, pasi kishte dëgjuar për mrekullitë e tij. Gjithashtu ai e porositi Ananinë që t`i përshkruante lartësinë e trupit, ngjyrën e flokëve dhe fytyrën e Tij të shenjtë, sepse si piktor që ishte donte të bënte me përpikmërinë më të madhe një ikonë të Tij. Anania, pasi arriti në Jerusalem, i dha Zotit letrën e dërguar nga Avgari dhe vështroi me kujdes fytyrën e Tij, por më pas hipi mbi një gur të lartë, sepse ishte e pamundur ta dallonte qartë për shkak të turmës që e rrethonte. Megjithatë ishte e pamundur të pikturonte fytyrën e Tij, pasi ajo ndryshonte pamje. Atëherë Krishti, i cili njeh të fshehtat e secilit, duke parë qëllimin e përzemërt të Ananisë, kërkoi ujë për të larë fytyrën dhe një peshqir për t`u fshirë. Dhe për çudi mbi peshqir mbeti ikona e fytyrës së tij të shenjtë. Duke ia dhënë Ananisë i tha: “Jepja këtë atij që të dërgoi”. Gjithashtu i shkruajti një letër Avgarit në të cilën thuhej: “ I lumtur je ti Avgar, sepse pa më parë besove tek unë. Përsa i përket asaj që më kërkove, që të vij tek ti, duhet të dish se më parë duhet të mbaroj veprat për të cilat më dërgoi në botë Ati im dhe më pas do të ngjitem në qiell tek Ai që më dërgoi. Do të dërgoj tek ti një nxënësin tim, Thadheun, i cili do të shërojë sëmundjen tënde dhe do të të dhurojë paqen.” Pasi Anania i dërgoi ikonën e shenjtë Avgarit, ky i fundit ra në gjunjë dhe u lut para saj me lot të nxehtë. Mrekullia nuk vonoi të bëhej. Avgari u shërua nga sëmundja e tij e keqe e lebrozës, veçse në ballë i mbeti një shenjë e vogël nga kjo sëmundje, por edhe kjo iu zhduk pas pagëzimit të tij nga Thadheu, i cili shkoi në Edesë sipas premtimit të Zotit. Avgari e vendosi ikonën e shenjtë të Zotit mbi portën e qytetit dhe urdhëroi që kushdo që hynte në Edesë të nderonte së pari ikonën e shenjtë.
Ky urdhër mbeti në fuqi deri në fund të jetës së Avgarit dhe djalit të tij. Por fatkeqësisht nipi i tij u kthye në fenë pagane dhe deshi që në vend të ikonës të vendosej një statujë. Duke mësuar këtë nëpërmjet zbulimit të perëndishëm, episkopi i Edesës, tregoi kujdesin e duhur. Duke qenë se pjesa e sipërme e portës ishte në formë kubeje, episkopi ndezi një kandil përpara ikonës dhe vendosi përpara saj një tjegull. Më pas lartësoi murin në mënyrë kaq uniforme saqë asgjë nuk kuptohej. Kështu nuk mundi të realizohej qëllimi i keq i nipit të Avgarit. Që atëherë kaloi aq shumë kohë sa askush nuk e mbante mend se ku ishte fshehur ikona. Rreth vitit 615, mbreti i persëve sulmoi qytetet e Azisë dhe arriti deri në Edesë, duke shkaktuar tmerr dhe panik tek banorët. Pas një zbulimi të perëndishëm, episkpo Evlavi gjeti ikonën e cila ishte e paprishur, dhe kandilin që ishte akoma i ndezur, por edhe mbi copën e tjegullës, që ishte vënë përpara peshqirit të shenjtë, ishte stampuar ikona e Krishtit, e njëjtë me atë të peshqirit. Pasi mori ikonën e shenjtë të Zotit, episkopi shkoi në atë pjesë të qytetit ku ndodheshin persët. Në zjarrin e përgatitur nga luftëtarët e Edesës, episkopi hodhi vaj nga kandili. U bë një flakë kaq e madhe, saqë i zhduku të gjithë persët. Ishte dëshirë e Perëndisë që peshqiri i Zotit Krisht të vendosej në Konstandinopojë. Mbreti i atëhershëm, Romanoi, bëri ç`ishte e mundur për ta realizuar këtë. Vlen të përmendet se shumë mrekulli u bënë nëpërmjet ikonës gjatë udhëtimit për në Konstandinopojë.

KOASH

Fotografitë e Bashkëngjitura
Lloji i Skedarit: jpg 16%20Gusht.jpg (69.0 KB)

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24415

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>