Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370

Delli.. Vetoni dhe Batoni

$
0
0
Presidenti imagjinar i Kosovës

DEBAT nga Mapo Weekend/ Baton Haxhiu




Një varg i gjatë letrash të gjata që Veton Surroi i ka botuar në gazetën e tij ‘Koha Ditore’ drejtuar ambasadorit amerikan Christoper Dell, por jo vetëm atij, e ka trazuar skenën mediatiko-politike të Kosovës përgjatë dy javëve të fundit. Komentet kanë qenë përmbytëse dhe në shkulm të tyre është hedhur edhe diplomati amerikan që i ka kthyer përgjigje, po me një letër, publicistit dhe botuesit Surroi. Nuk ka munguar edhe Berat Buzhala, deputet i PDK-së së Thaçit i cili, plot ngjyra, ka shërbyer edhe ai filipikën e tij lidhur me debatin. Gazeta MAPO sjell, në dy numra, skanerin që i bën gjithë kësaj, por më shumë se kaq skenës politike kosovare gazetari i njohur, Baton Haxhiu.





Letërkëmbimi i shkruar këto ditë, ka një premtim dhe një histori. Kjo është një histori e përkushtimit me zarfe… Në këtë histori ka mbetur një deklarim hidhërimi i panevojshëm i një ambasadori dhe një rrëfim i shkruar nga margjina e një presidenti imagjinar, që udhëtimin nga Qerreti e kishte nisur seriozisht.



Një vit para se të ikte nga posti i presidentit të Kosovës, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dr. Enver Hasani, i kishte treguar në zyrën e tij, Fatmir Sejdiut, kolegut të tij nga Fakulteti Juridik, se po shkelte Kushtetutën. Fatmir Sejdiu e dinte se duhej ta linte njërin post. Dhe të zgjidhte – ose atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose presidentit të vendit.

Kishte përfunduar një takim, që doli të jetë i papërfillur nga ana e presidentit të Kosovës. Fatmir Sejdiu e ndjente fuqinë e tij dhe koalicionit të madh të pavarësisë, që i bashkonte dy fuqitë më të mëdha politike në Kosovë: PDK – LDK. Ai bëhej sikur nuk e kishte dëgjuar këshillën e kolegut të tij, duke e anashkaluar tërësisht idenë se po shkelte Kushtetutën.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, ndihej i sigurt se ky koalicion e kishte fuqinë maksimale në Kosovë dhe nuk dilte asnjë institucion që mund ta luhaste. Lëre më ta rrëzonte presidentin e vendit, Fatmir Sejdiu.

Edhe njëri edhe tjetri ishin nisur për nëNew York, në Asamblenë vjetore të Kombeve të Bashkuara për të qëndruar hiç më pak se një muaj në “gjuetinë” e njohjeve për Kosovën. Ndërkohë, për të justifikuar agjendën, nuk lanë pa marrë me vete edhe gjithë stafet e tyre.

Ishte muaji shtator që e bëri Fatmir Sejdiun të ndihet keq për heshtjen e gabuar dhe tashmë ishte e kotë të fantazohej për një fuqi të paprekur të dy partive që kishin elektoratin më të shumtë në Kosovë.

Ikjen nga posti i presidentit e mësoi nëNew York, dhe siç ndodh zakonisht në historitë politike, zvarritjet për të marrë një vendim janë vendimtare për të shuar një post të lartë politik.

Zvarritja ishte fatale. Sepse Gjykata Kushtetuese kishte dhënë mendimin e saj për presidentin Sejdiu. Ai ishte fatal edhe për gjysmën tjetër të koalicionit – LDK, që dukej se ishte e stepur nga ky vendim.

Këtu fillon konspiracioni.

E gjetur në befasi, Lidhja Demokratike e Kosovës akuzon Hashim Thaçin për ndërhyrje në vendim, edhe pse kryetari i PDK-së ndihej si kurrë më parë i sigurt në postin e tij duke e konsideruar Sejdiun si partner për një kohë të gjatë. Gjithçka pas kësaj dukej kohë e humbur dhe PDK u rikthye në armikun politik të partisë së Rugovës.

Fatmir Sejdiu pa qenë i dobët, fillon të japë përshtypje të tillë, duke qenë i vendosur dikur në fuqinë e tij, ai tash jepte përshtypjen e kundërt. Kishte diçka që nuk shkonte në këtë prapësi dëshpëruese.

Një këshilltar i tij e kishte bindur se duhet të jepte dorëheqje nga posti i presidentit dhe ta ruante të parin e partisë. I thanë që të dalë nga marrëveshja dhe ta çonte vendin në zgjedhje. Njolla ishte tepër e rëndë që njeriu më i fuqishëm i muajve të fundit po përdhunohej nga një pjesë e anëtarësisë së tij dhe po vendosej nën lupën e sulmeve. Viktima, në këtë rast Sejdiu, kishte nevojë për veprime urgjente, kurse të tjerët për zvarritje.

Në një kontekst më të gjerë, Sejdiu ishte pengesë serioze e LDK-së në pastrimin e ndërgjegjes për pandjeshmërinë e tij në ndërtimin e një miqësie me PDK-në. Sejdiu tregoi se sa i vogël mund të jetë njeriu në një betejë të tijën që e kishte menduar vetëm për veten, dhe e kishte sistemuar partinë në funksion të tij, duke e bërë armiqësinë me PDK-në në një miqësi politike që quhej koalicion joparimor.

Ishte një surprizë e keqe për Sejdiun e gjitha që ndodhi pastaj. Ai tregoi se sa e dëmshme ishte për të humbja e vigjilencës ndaj një procesi tjetër që ishte gatuar nga Ukë Rugova dhe Bujar Bukoshi në njërën anë dhe Isa Mustafa në anën tjetër. LDK-ja na bëri surprizën e radhës, ringjalljen e saj në betejë kundër Thaçit dhe fuqisë së tij. Dukej se LDK nuk do të ishte vetëm riciklim i një ndeshjeje të vjetër, me aktorë të vjetër, i betejës në mes të atyre që urrenin dhe atyre që donin të ndërtonin vizion.

Në Kuvendin e LDK-së, dorën në zemër, krejtësisht demokratik, dhe i pari i tillë në Kosovë, ndodhi përplasja e dy miqve: Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut. Aty ku Sejdiu ndihej i sigurt dhe pretendonte se kishte monopolin mbi figurën e Mustafës, ishte pika ku përfundoi gjithçka me jetën e tij prej presidenti dhe prej kryetari të partisë.

Kjo ndërhyrje e Isa Mustafës, vetëm një ditë para se të votohej në Kuvend, dhe shpallja e kandidaturës së tij për kryetar të LDK-së, e bëri Sejdiun përfundimisht të rrëzueshëm dhe me këtë edhe ra sovraniteti i tij fiktiv që ishte ngritur prej kohësh në kokën dhe në zyrën e tij.

Loja e zarfeve

Ndërkombëtarët e kishin të thjeshtë jetën politike në Kosovë. Ligjet që vlenin për ta ishin të qarta. Ligjet demokratike nuk kishin kurrfarë efekti qytetërues për politikanët, dhe diplomatët e dinin se “ligjet” e politikanëve dukej se ishin vdekjeprurës për Kosovën dhe shtetin e sapoformuar nga ndërkombëtarët.

Në këtë nyje fatale ku politika dhe demokracia nuk shkojnë bashkëdellogjika e zarfit (plikos), si dramë e politikës kosovare që vazhdueshëm ka qenë prezente që nga viti 1989. Kurse çdo përpjekje për të devijuar vëmendjen nga zarfi, shquhej si përkrahje e krimit, kaosit dhe jetës politike me hakmarrje.

Logjika e zarfit prej kohësh ka qenë politikë e State Departament-it për të shpëtuar Kosovën nga lufta civile, nga vëllavrasja dhe nga atentatet. Koha e zarfeve ka qenë e instaluar më 1992, kur është udhëtuar në Londër. Më 1998, në janar (Nicolas Hill), kur është caktuar grupi prej 15 personash për dialog me Serbinë. Zarfi është caktuar edhe për pesëshen që duhej të takohej me Millosheviqin (Chris Hill dhe Holbrooke).

Zarfi është përdorur për grupin që ka takuar presidentinClintonnë qershor të vitit 1998 (Holbrooke). Zarfi është përdorur për grupin që ka shkuar në Rambuje dhe Paris (Chris Hill, James Rubin dhe Holbrooke).

Zarfi është përdorur për zgjedhjen e Bajram Rexhepit për kryeministër më 2002 (Shtajner, Antony Loyd, Michael Schmunk, Menzis) edhe për Vjenë më vonë. Zarfi është përdorur kur është zgjedhur Agim Çeku për kryeminister (Goldberg). Zarfi është përdorur në vitin 2007 kur po bëhej pavarësia e Kosovës (Koalicioni i detyrueshëm PDK-LDK –Tina Kajdanova). Dhe, së fundi, zarfi u përdor edhe për Atifete Jahjagën (Christopher Dell).

Sipas këtij kriteri i bie që në vend të një sovraniteti abstrakt, politikanëve nuk u duhej lënë në dorë që të shkatërrojnë shtetin e formuar nga dora e ndërkombëtarëve. Sovranitarët e vërtetë dukeshin në skenë kur ligjin e kapnin në dore “barbarët” dhe mundoheshin ta bënin shtetin sipas skicave sovrane të marrëveshjeve, me zell ta përfundonin idenë politike.

Por na paraqitej edhe një grup njerëzish që shfaqeshin gjithmonë në kohë krizash. Njerëzit e plikove që aksidentalisht “kërkoheshin”, ose thënë më mirë ofroheshin si “shpëtimtarët” e Kosovës. Aty, si gjithmonë, kanë survejuar në pritje të njëjtit emra. Kjo histori dhe këso historish kanë brenda: rastësi, heroizëm, guxim, zvarritje, dhe rrëfime në detaje për njëri-tjetrin. Bashkë me të shkon edhe bindja për pafajësinë në proces që është tipike për njerëzit e tillë, por edhe bindjen se kanë qenë viktimë dhe jo viktimësjellës.

Ata, tipat, ndërtonin shkrime ku gjithçka dukej e mallkuar, pa rrugëdalje, një gjendje e pashpresë e jashtëzakonshme dhe fyese për popullin, duke aluduar që ishin ata, të vërtetit dhe të vetmit, që do ta kthenin gjendjen në Kosovë në përmasa reale.

Kurse ana tjetër, këta të politikës, dukeshin të rrezikshëm, sepse cenonin stabilitetin dhe ashpërsonin gjendjen e rëndë në Kosovë.

Pikërisht në momentin kur gjithçka po bëhej e pakuptimtë dhe e rrezikshme me ikjen e LDK-së dhe Sejdiut, na doli takimi në zyrën amerikane dhe më pastaj letra e famshme kurrë e pabotuar, e shkruar nga pretendenti permanent (stand by!) për postin e presidentit. Kjo dukej të ishte lufta higjenike e tij, së bashku me ndërkombëtarët – kundër të gjithëve.

Dorën në zemër, ishte dëshirë e Hashim Thaçit dhe Chris Dell-it që ai të bëhej president. Delli sepse e kishte mik dhe i kishte premtuar më herët, kurse Thaçi që e donte afër atë për shkak se i kishte premtuar Dellit dhe për një arsye tjetër, që, gjithashtu i kishte premtuar më 2007 se do ta ndihmonte që të hynte në Kuvend me kuotën e 5 %, dhe do ta bënte ministër të Jashtëm.

Por kishte qenë Tina Kajdanova, ambasadore e SHBA-ve në Kosovë që kishte ndaluar çfardo veprimi për rritjen e votave për partinë ORA. Kuotën prej 4,8 për qind nuk kishte guxuar ta lëvizë as premtimi i Kadri Veselit dhe as Hashim Thaçit.

Tashti pasi kishte dhënë dorëheqje Sejdiu, edhe Dell edhe Thaçi, ishin gati për ta zgjedhur në vend të tij, por ish-kryetari e bëri një gjë të paparashikueshme. Ai nuk dinte fare për marrëveshjen e Dragodanit, dhe papritmas prishi planin: e largoi LDK-në nga koalicioni dhe e çoi vendin në zgjedhje.

Tash fillonte plani B. Së pari zgjedhjet, e pastaj presidenti konsensual.

Presidenti i ardhshëm konsensual (ai ishte i bindur se kjo do të ndodhte) kishte shkruar edhe projektin e tij me disa pika, ku kishte zgjedhur veten për president, Thaçin për kryeministër, koalicionin e sigurt dhe të dëshirueshëm PDK-AAK dhe programin e lehtë për shitjen e Postës Telekomit dhe Kosovës së re. Kishte projektuar dialogun me Beogradin që do ta udhëhiqte ai dhe përmbante të gjitha argumentimet që tash ai publikisht i bën tokë duke i kritikuar.

Ishte organizuar edhe një debat televiziv në televizionin e tij, ku këtë herë nuk fliste vetëm me autorin e emisionit, por me gazetarë të të gjitha mediave. Dhe i ftuari fliste si presidenti i ardhshëm i Kosovës…

Letra e dërguar në adresë të ambasadorit kishte dy gjëra: anashkaloheshin të gjitha procedurat demokratike; dhe projekti duhej përfunduar me lobimin te secili deputet i Parlamentit të Kosovës.

Këtu përfundon dëshira e Hashim Thaçit dhe Christofer Dellit. Këtu përfundon edhe miqësia, edhe e kaluara, edhe e ardhmja e tre pjesëmarrësve të marrëveshjes.

E kishin harruar rrugës – presidentin

Pikërisht në fillim të vitit 2011, vetëm disa javë pas mbajtjes së zgjedhjeve, nuk e dinin se si do të votohej, por dihej se do të ketë një koalicion të sigurt. PDK-AAK. Sondazhet tregonin se kush mund të ishte fitues.

Ndërkohë, zyrat perëndimore të gjetura në befasi, përpiqen ta parandalojnë këtë situatë. Në të gjitha veprimet e tyre ka hutim, mungesë parashikimi dhe mëdyshje.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, edhe pse kishte rivotime në 5 komuna, krijojnë një tablo pak a shumë të fiksuar të ndarjes së votës. PDK-ja kishte 36 mandate në Kuvend, LDK-ja 28, “Vetëvendosja” 16, AAK-ja 12, AKR-ja 8 dhe partitë minoritare 23 mandate. Ky konfiguracion, edhe me ndonjë ndryshim tjetër të vogël, imponon që për formimin e qeverisë, mandatare e parë dhe më rezultuese të jetë PDK-ja.

Me mandatet e fituara dhe rrethanën e detyrueshme që në qeveri duhet të jenë edhe partitë minoritare, PDK-ja do të duhej të siguronte një koalicion bazë me një apo më shumë parti minoritare që me mandate do të mund të krijonte figurat prej 45 deri edhe 61 mandate (nëse PDK-ja do të sigurojë 38 mandate dhe të gjitha partitë minoritare, me 23 mandate, do të bëheshin pjesë e koalicionit).

Teorikisht, nëse koalicioni i PDK-së me partitë minoritare nuk do të mund të arrinte kuotën prej 61 mandatesh, dhe të gjitha partitë tjera do të refuzonin që të futen në koalicion qeveritar me PDK-në, shansin për të krijuar një koalicion qeverisës do ta kishte edhe LDK-ja, si parti e dytë për nga mandatet, por kjo do të ishte një ndërmarrje me vështirësi shumë më të mëdha seç i ka PDK-ja.

Askush s’e dinte se ishin krijuar parimet themelore për koalicionin e ardhshëm:

1. Qeveria pojektohet për 3 vjet. Arsyet: a. zgjedhjet lokale janë në vitin 2013; nuk do të duhej të përsëritej viti 2009; më e arsyeshme të mbahen dy zgjedhjet në të njëjtën kohë; b. deri atëherë do të duhej të kryhet dialogu me Serbinë dhe kjo qeveri e dialogut dhe politike do të duhej të rinovohej me një që do të fokusohej në ekonomi dhe zhvillim. Dhe duheshin me përpikëri të paguheshin këstet për autostradën, që natyra e kontratës thuhej që ishte shumë strikte.

2. Në Qeveri duhet të hynin vetëm politikanët me dosje të pastra dhe që nuk janë në hetime. – Si parim ishte absolutisht i nevojshëm dhe parakusht për angazhimin më të vendosur kundër korrupsionit.

3. Nuk diheshin (sic) të gjithë emrat që ishin nën hetime dhe për çfarë hetohen, si dhe a ishin ndoshta të pastër? Si do të procedohet me liderët e fuqishëm, si p.sh. Fatmir Limaj, i cili kishte fituar mbi 70 mijë vota? Ndoshta duhej t’i ofrohej ndonjë post kompensues derisa nuk sqarohet statusi i tyre (p.sh. ambasador ose Zv.kryeministër?)

Më dukej shumë i vonuar dhe i dëmshëm qëndrimi që kishte EULEX ndaj këtij rasti. Piter Feith kishte shkuar edhe më larg, i kishte kërkuar Thaçit në sy të Limajt largimin e tij. Disa muaj para se të ndodhte hyrja në polici, shefi i ICO-së Piter Feith, kishte paralajmëruar hyrjen e policisë dhe mundësisht edhe të burgosjes së Limajt.

Dhe ajo ndodhi! Fatmir Limajn e kishin dënuar moralisht në mars të vitit 2010, duke i hyrë në Ministrinë e tij për të kërkuar dosjen korruptive. Por kjo ndërhyrje spektakulare e policisë, asgjë s‘kishte të bënte me korrupsionin.

I liruar nga Haga si i pafajshëm Fatmir Limajt i rrinte mbi kokë një dëshmitar i mbrojtur. Prej kohësh ishte dorëzuar në KFOR-in gjerman një dëshmitar që pretendohej se mund të dëshmonte kundër Limajt. Por, të burgosësh Limajn për krime lufte, në atë kohë, ishte rrezik për stabilitetin e Kosovës. Hashim Thaçi, kryeministër dhe Hajredin Kuçi, në një takim me shefin e EULEX-it, nuk kishin garantuar qetësi të ish-ushtarëve nëse do të bëhej burgosje e tillë.

EULEX-i duke parë fuqinë e votës së Limajt, kishte vendosur që ta shkatërronte së pari moralisht para qytetarëve, për korrupsion, pastaj, për ta arrestuar lehtësisht më vonë për krime lufte. Mirëpo, askush s‘e dinte se ekzistonte në llagerin e prokurorisë së EULEX-it dëshmitari X. Ky qëndrim i padefinuar i EULEX-it ndaj Limajt, për fajësinë ose pafajësinë e tij (kur dihej se dy Ministri tjera kanë pasur probleme më serioze sesa Ministria e Limajt), e bënte situatën gati të acaruar në PDK, të ndarë në grupacione pro et contra, dhe të padefinuar qeverinë e ardhshme.

Misioni i EULEX-it duhej ta qartësonte pozicionin e saj dhe të ishte shumë i qartë ndaj këtij rasti. Doli që ra nga loja Ahmet Shala, dhe Sparks me qëndrimin e tij, shpëtoi një ministër tjetër duke anashkaluar dosjen e tij. Ishte një marrëdhënie e hershme e ndërtuar me kujdes me njërin nga Ministrat më të suksesshëm të ish-qeverisë Thaçi.

4. Qeveria duhej të përbëhej nga personalitete që kishin orientim të padyshimtë pro integrimeve euro-atlantike dhe të kenë përkrahjen e SHBA-ve dhe të BE-së. – Ky kriter ishte përjashtues për disa subjekte politike (p.sh. “Vetëvendosja”) si dhe individë që me dyshime shohin rolin e SHBA-ve dhe BE-së në Kosovë.

5. Qeveria e ardhshme dhe individët e saj duhet të ishin të pranuar nga SHBA dhe BE. Duhet të qartësohej deri në skajshmëri ky pozicion.

6. Qeveria duhej të kishte kapacitetet dhe autoritetin maksimal politik për zhvillimin e dialogut me Serbinë dhe peshën e vizioneve dhe ekspertizën për politikat zhvillimore. – Qeveria duhet të jetë kombinim i personaliteteve që gëzojnë përkrahje te qytetarët dhe njëherësh të kenë kredibilitetin dhe reputacionin e ekspertizës profesionale.

7. Në Qeveri duhet të gjejnë vend edhe liderët e shoqërisë civile dhe politikanët dhe ekspertët e rinj. Për këtë kriter është projektuar qasja inkluzive ndaj disa liderëve nga subjektet që nuk kanë arritur të hyjnë në parlament e kanë përvojë në bisedimet me Serbinë dhe ekspertizën që përkrahet nga SHBA dhe BE (mendohet në Veton Surroin, Shpend Ahmetin, Ilir Dedën dhe ndonjë tjetër).

MAPO

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24370


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>