Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24455

Zenel Gjoleka

$
0
0
KUSH ISHTE ZENEL GJOLEKA

Zenel Hito Gjoleka (1805-1852) u lind në Kuç. U shkollua në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Shërbeu në ushtrinë osmane si komandant i shqiptarëve. Më 1830 mori hak për vrasjen e gjyshit të Ismail Qemalit i prerë në besë, duke vrarë gjeneralin Osman Rushit Pashën (Kaftanazin). Për këtë akt iu thurën këngë dhe hyri shpejt në kujtesën popullore të Jugut të vendit. Pas kësaj ngjarjeje, ai mori pjesë si i arratisur nga ushtria osmane, e u kthye në vendlindje në të gjitha kryengritjet antiosmane 1833-1837. Me prijës të Shqipërisë së Jugut, krahas Balil Nezhës, Çobo Golemit, Tafil Buzit etj., ai mori pjesë në Kuvendin Zakonor të Labërisë, më 1846 për reformat e quajtura “Shartet e Idriz Sulit”.
Kur filloi kryengritja e madhe fshatare e Shqipërisë së Jugut, kryengritje e njohur kundër Reformave të Tanzimatit, në qershor 1847 zgjidhet nga Kuvendi i Mesaplikut kryekomandant i forcave kryengritëse. Në krye të 300 kurveleshasve filloi kryengritjen duke sulmuar e çliruar Delvinën e Butrintin, duke bashkuar forcat me ato të krahinës së Çamërisë. Theu në Qafë të Muzinës përpjekjet e komandantit të Kalasë së Gjirokastrës, Ismail Pashës për rimarrjen e Delvinës, pastaj me forca të ndryshme mori me luftë fortesat osmane në rrethinat e Delvinës e Gjirokastrës, spastroi nga forcat pushtuese osmane Lunxhërinë e Pogonin me betejat e ashpra në Goranxi e në Kodrat e Terihatit në Dropull. Në korrik-gusht 1847, luftoi në Mallakastër së bashku me Rrapo Hekalin e Hodo Nivicën duke përballuar hordhitë osmane që mbërritën nga Rumelia me në krye Reshit Pashën, duke ua penguar marshimin drejt Delvinës e Gjirokastrës. Në gusht 1847 me forcat kryengritëse vuri nën kontroll hapësirën e gjerë nga Çamëria (Paramithia, Filati), Delvina, Dropulli, Përmeti, Kurveleshi dhe deri në Vlorë e Berat, duke nxjerrë edhe urdhëresa për ruajtjen e rendit e të qetësisë.
Më 27 gusht 1847 mblodhi prijësit kryengritës nga Delvina, Vlora dhe dy Mallakastrat, me cilësinë e kryetarit të “Lidhjes Kombëtare Shqiptare”, ku u miratua “Memorandumi” dërguar mbretit të Greqisë e konsujve të Rusisë, Francës e Austrisë, i firmosur nga 89 prijësit. Mbreti i Greqisë refuzoi të ndihmonte kryengritjen shqiptare, megjithëse ishin zhvilluar jo pak bisedime me krerë të Jugut, mes të cilëve edhe Zenel Gjoleka, si diplomat, pasi Greqia donte dhe e kushtëzoi ndihmesën me bashkimin e dy vendeve, nën tutelën e “Idesë së Madhe” helene.
Në vjeshtën e vitit 1847, kur forcat e Tafil Buzit e Rrapo Hekalit në Berat, nën presionin e forcave të mëdha osmane, ishin shpërndarë, Z. Gjoleka tërhoqi forcat kryengritëse kryesore, që synonin marrjen e Janinës dhe i vendosi në brendësi të krahinës së Labërisë për t’u mbyllur shtigjet hordhive osmane që synonin të futeshin në brendësi të Kurveleshit. Betejën e fundit kundër forcave armike të komandantit të Rumelisë, mareshalit Reshit Pasha, z. Gjoleka e zhvilloi në Kurveleshin e Poshtëm dhe në Grykën e Shurit të Kuçit, ku u bënë betejat e fundit sa të ashpra dhe heroike nga kryengritësit.
Pas shtypjes së kryengritjes në fillim të dimrit 1847-1848, z. Gjoleka, së bashku me Tafil Buzin e kaluan dimrin e ashpër në Shpellën e Gjolekës, në mal mbi Buronjat e Kuçit. Në pranverën e 1848-s ra në përpjekje në zonën e Trikallës, dhe i plagosur rëndë kapet nga forcat osmane, internohet në viset e thella të Anadollit. Më 1849 amnistohet, si edhe të tjerë, dhe kthehet në vendlindje.
Në vitin 1852, z. Gjoleka u vu në krye të forcave labe për mbrojtjen e viseve veriore shqiptare nga synimet shoviniste-malazeze, ku edhe vritet në kurthin e ngritur nga armiku e bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, në shkallën e Kerstiqit, afër Podgoricës, në Mal të Zi. Atje ra me lavdi së bashku me lebër të tjerë, ku kishte marrë edhe djalin 17-vjeçar të vetëm, Myslim Gjolekën, i cili ndoqi rrugën atdhetare të babait dhe u shqua në “Lidhjen e Prizrenit” në Gjirokastër, së bashku me Abdyl Frashërin etj., dhe në luftën e Lëkurësit në shkurt 1878.
Zenel Gjoleka luftoi 25 vjet kundër hordhive osmane dhe fitoi 22 beteja. Ai u shqua si atentator, prijës e strateg ushtarak, si diplomat, politikan e zakonlli, duke u bërë edhe një pararendës i Rilindjes tonë Kombëtare.
Zenel Gjoleka u kthye në legjendë. Bëmat e tij u përjetësuan në ndërgjegjen popullore dhe është një prej figurave më të njohura, jo vetëm në Labëri, por në gjithë vendin. Jehona e luftërave të tij gjendet më mirë në arkivat osmane dhe ato evropiane, në Perëndim e në Lindje, në enciklopeditë, fjalorët e librat, që ende nuk njihen të gjitha. Edhe populli grek e nderon kur thotë: “Të jesh trim si Gjoleka”.
Kanë mbetur lapidar për të vargjet e këngës popullore:

Pse lufton, a derëzi?
As për mua, as për ti,
po për gjithë Shqipëri...

Aferim të gjithë i thanë,
luftove me Padishanë,
i nderove këto anë!

FONDACIONI PER ZHVILLIMIN E KUÇIT

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24455


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>