Quantcast
Channel: Forumi Shqiptar
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24472

Regjistrimet e rralla në Arkivin e Berlinit

$
0
0
Me e vjeter se shteti

Publikut i vjen në dorë një koleksion i rrallë muzikor nga dy epoka të shek.20. “Discovering Albania” është albumi me incizimet më të hershme që janë bërë ndonjëherë ndër shqiptarë, në vitin 1903 dhe nga ekspedita e parë shqiptaro-gjermane e vitit 1957. Këto pasuri janë nxjerrë nga Fonogram Arkivi i Berlinit dhe Muzeu Etnologjik – Muzeu Shtetëror i Berlinit. CD-ja është hartuar dhe komentuar nga studiuesi shqiptar Ardian Ahmedaja, ndërsa restaurimi dhe përpunimi i zërit është realizuar nga Albrecht Wiedmann. Publikohet nga Fondacioni Ulysses në Tiranë, si pjesë e projektit DISMARC (Discovering Music Archives) mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Bëhet kjo premierë botërore në kuadër aktiviteteve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Por ky dokument muzikor më i vjetër se shteti shqiptar, hidhet në qarkullim me tirazh 1000 kopje, jo për shitje, më 23 prill, ora 15.00 në Rogner. Gjatë atyre ditëve, 22-29 prill, mbahet në Tiranë Konferenca e Dytë e ICTM Study Group for Multipart Music, që organizohet nga Fondacioni Ulysses që drejtohet nga artistja Emi Aliçka-Ebhardt. Emi ka ndjekur qysh prej fillimit ecurinë e publikimit të CD-së. “Dy arsye na shtynë të publikojmë këto regjistrime të rralla” thotë ajo. “Së pari që muzika lokale në Shqipëri është krejt e panjohur për publikun e huaj dhe së dyti ishte i nevojshëm një botim me cilësi të lartë teknike.”

Albumi përmban regjistrime nga koleksionet “Traeger Albanien 1903” dhe “Stockmann Albanien 1957”. Kanë një histori këto koleksione kur, ku dhe si janë krijuar, informacion të cilin publiku e merr bashkë me CD, nëpërmjet një trajtese nga etnomuzikologu Ardian Ahmedaja (Universiteti i Muzikës dhe Arteve të Performuara, Vjenë) i cili e ilustron përshkrimin e koleksioneve me foto, skica, tekste të këngëve, sipas gjithë dokumentimit që Paul Traeger dhe Erich Stockmann i kanë bërë muzikës tradicionale shqiptare dhe këngëve që vazhdojnë të kenë jetë edhe sot.

Incizimet e para nga Traeger janë realizuar më 1903 në Shqipërinë e Veriut. Këto u rizbuluan në mesin e viteve 1990 kur punohej për projektin “Ruajtja e koleksioneve të muzikës së hershme tradicionale – shpëtimi dhe transferimi nga koleksionet e famshme në cilindra dylli dhe disqe vinyli nga Fonogram-Arkivi i Berlinit 1893-1954”.

Etnografi gjerman Paul Traeger (1867-1933) udhëtoi disa herë në Shqipëri dhe shkroi disa artikuj për revistën shkencore të Shoqërisë Antropologjike të Berlinit, ku objekt ishin vendet funerare dhe tumat në Shqipëri e Maqedoni. Por në fokus të studimeve të tij ishte edhe tipi i njeriut shqiptar. Në udhëtimet e tij deri në vitin 1904 e pati njeriun shqiptar objekt të matjeve antropologjike.

Por se çfarë efekti dhe çfarë gëzimi i kish dhënë atij puna kërkimore në Shqipëri, duket nga përshkrimi që bën në një letër dërguar Shoqërisë së Berlinit, nga Tunizia pak pas kthimit prej Shqipërisë. Shkruan: “… I mblodha këngët kryesisht ndër fiset e pavarura të maleve. Këngë të këtij lloji, në formën e tyre të pastër, kanë qenë të panjohura përpara. Kam mbetur krejt i befasuar – po përtërihen studimet e mia filologjike mbi gjuhën gjermane të viteve të rinisë – sepse këtu, sikurse në zakonet e tyre, karakteri i tyre arkaik në formë dhe përmbajtje, është ruajtur qelibar.”

Regjistrimet e Traeger-it janë vokale dhe instrumentale kryesisht nga krahinat e Mirditës dhe Shkodrës. Nina-nana kënduar nga Ndre Marka Kola prej Nënshatit të Shkodrës; Kanga e Mamut Pashës interpretuar prej Maries nga Shkodra; Kangë majekrahi interpretuar nga Kolë Marashi prej Plantit; këngë shoqëruar me instrumente tradicionale tamërr, çifteli, lahutë; këngë qytetare prej Shkodrës kënduar nga gra, muzikë luajtur në fyell. Edhe këto instrumente janë studiuar dhe skicuar hollësisht nga Traeger-i.

Studiuesi Ahmedaja thotë që shumë pyetje mund ngrihen për këto regjistrime. Për shembull si i zgjidhte Traeger-i instrumentistët? “Emrat e tyre tregojnë se ata ishin të gjithë katolikë”, përgjigjet studiuesi shqiptar duke hamendësuar se antropologu gjerman mund t’i gjente interpretuesit e mirë përmes priftërinjve katolikë. Ndoshta ngaqë Traeger-i mendonte se në një vend ku popullata ishte konvertuar prej shekujsh në islam, të krishterët kishin arritur të ruanin “kulturën e vjetër”, ato këngë dhe atë muzikë që ishte “vendase”. Këtë thekson Ahmedaja e kësisoj evidenton dimensionin historik të këtij koleksioni, çka e bën me shumë vlerë si për publikun, edhe për studiuesit.

Gjysmë shekulli pas Paul Traeger-it vijnë regjistrimet e Erich Stockmann. Në maj-korrik të vitit 1957 ai ndërmori të parën ekspeditë të vërtetë gjermano-shqiptare në Shqipëri. Por edhe ky koleksion mbetet i panjohur për publikun ndërkombëtar.

Erich Stockmann (1926-2003) ishte i njohur në komunitetin shkencor ndërkombëtar si themelues më 1962 i Rrethit të Studimeve mbi Muzikën Folklorike dhe drejtues i ICTM-së në vitet 1982-1997.

Pala gjermane e ekspeditës përbëhej veç Stockmann-it, edhe nga Wilfried Fiedler (gjuhëtar) dhe Johannes Kyritz (teknik). Pala shqiptare nga Albert Paparisto muzikolog, pedagog në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe Ramadan Sokoli, pionier i studimeve etnomuzikologjike në Shqipëri. Kjo ekspeditë arriti të bëjë për herë të parë një pasqyrë të traditave vendase muzikore. Me gjithë kushtet e vështira ekipi regjistroi afro 30 orë. Regjistrime ndër çamët e Shqipërisë, ndër arumunë dhe minoritarët grekë janë një pasuri e paçmuar e këtij koleksioni. Mbi bazën e këtyre regjistrimeve janë botuar dy studime për muzikën tradicionale çame më 1963 dhe 1966, një libër i tretë më 1965 me autorë Erich Stockmann dhe Ëilfried Fiedler.

Por albumi “Discovering Albania” përmban edhe regjistrime në dialektin gegë prej koleksionit të vitit 1957. Megjithatë janë më të shumta regjistrimet nga jugu në thellësi. Këngë nga Toskëria dhe Myzeqeja, Labëria, muzikë instrumentale si për shembull “E qarë me gërnetë Kolonjarçe” interpretuar nga Janushët prej Leskoviku; E qarë me llautë po nga Janushët e Leskovikut, disa prej këtyre burrave të lindur në fund të shek.XIX; Vajtim për djalin interpretuar nga Shin Spiropani prej Borshit; nga Çamëria “Kënga e Çelo Mezanit” interpretuar nga grupi i burrave nga Vola pranë Igumenicës; “Ma ke belin shumë nazike” këngë e kërcyer e interpretuar nga grupi i burrave nga Podgori në Maliq etj..

Emi Aliçka-Ebhardt thotë se me këtë lloj prezantimi të trashëgimisë së kulturës shqiptare vlerat e të cilës i kalojnë kufijtë e Shqipërisë, por duke qenë i panjohur, ka rëndësi mënyra se si i jepet publikut, vendas apo të huaj. Prandaj po serviret si një model publikimi muzikor. Pavarësisht se botimi është në gjuhën angleze, për shkak të kostos financiare, e pavarësisht se për këtë nuk ka kontribuar ndonjë institucion shqiptar.

Konferenca

Konferenca e Dytë e ICTM-së, Study Group for Multipart Music mbahet në Tiranë më 22-29 prill. Është përgatitur nga Ardian Ahmedaja dhe Emi Aliçka-Ebhardt. Organizohet nga Ulysses Foundation (Tiranë) në bashkëpunim me Institutin e Kërkimeve për Muzikën Folklorike dhe Etnomuzikologjinë në Universitetin e Muzikës në Vjenë. Pjesëmarrësit, nga Ukraina dhe Spanja, nga Argjentina dhe Amerika e shumë vende të tjera, trajtojnë në temat e tyre aspekte të traditave muzikore vendase. Fenomenet nga Shqipëria i trajton Eno Koço dhe Ardian Ahmedaja.

Gjatë këtyre ditëve do të ketë disa performanca nga grupet e ftuara si për shembull, koncerti “Lucente Stella” nga Ensemble Ex-Silentio, më 23 prill në Universitetin e Arteve, apo koncerti me këngë sarde më 27 prill.

Elsa Demo - Shekulli

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24472

Latest Images



Latest Images

<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>