Quantcast
Viewing all articles
Browse latest Browse all 24430

Kryeministri Berisha, bashkbisedim me gazetaret...

Image may be NSFW.
Clik here to view.
TIRANE- Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, qe zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të tyre për çështje të ndryshme të aktualitetit. Shefi i qeverisë komentoi akuzat e fundit të gazetës kosovare per bllokimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, marrëdhëniet e KLD-së me Kuvendin, zhvillimet e pritshme në politikë dhe situatën aktuale në rajon.

INTERKONJEKSIONI, BERISHA: PËRPJEKJE E DËSHPËRUAR E MAFIES
Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me shkrimin e publikuar një ditë më parë nga gazeta kosovare “Zëri”, sipas së cilës, shefi i qeverisë shqiptare ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë.
Sipas kryeministrit, ky shkrim ishte një krizë e radhës e mafies së dëshpëruar. “Për Sali Berishën, mafia nuk ka atdhe, atdheu i saj është shpella ku ndan paratë e krimit. Mafia nuk ka sy, vetëm fytyrën e krimit, nuk ka moral.”- u shpreh kryeministri Berisha, duke theksuar se linja e interkonjeksionit me Kosovën do të bëhet, por në përputhje të plotë me ligjin, rregullat dhe interesin e qytetarëve shqiptarë.
Shefi i qeverisë theksoi se ministrat dhe kabineti qeveritar janë gardianët e interesit publik, por pavarësisht dëshirave, ligjet mbeten ligje dhe nuk mund të preken.
Sipas kryeministrit, “oferta që përmend Edi Rama është 30% më e kushtueshme se oferta tjetër për të cilën drejtuesi i OST, mendon se duhet të fitojë. Ministria e Financave nuk pranon një borxh prej 10 milionë dollarë më shumë për shkak të preferencave që tregojnë për një kompani apo për një tjetër”.

NDRYSHIME NË QEVERI? BERISHA: MINISTRAT NUK JANË KUAJ
I pyetur për ndryshime të mundshme në qeveri, kryeministri i ka mohuar ato duke theksuar se “qeveria nuk është stallë hipodromi, si ajo e paraardhësve”.
“Qeveria ime nuk është stallë hipodromi dhe kabinetet nuk janë kuaj. Qeveria kaloi testin më të shkëlqyer më 8 maj 2011. Paraardhësit e mi e shndërruan qeverinë në një hipodrom për të mos thënë ndryshe, në një stallë hipodromi që i shilonin kuajt me radhë dhe i dhanë vendit 74 ministra, kryeministra, zv.kryeministra”- u shpreh Berisha.

BERISHA: PROCESI I ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT DO JETE PLOTESISHT KUSHTETUES
I pyetur në lidhje me mundësinë e zgjedhjes së një presidenti konsensual me opozitën, kryeministri Berisha nuk përjashtoi konsultimet me PS-në, por u shpreh skeptik për arritjen e rezultateve konkrete, duke u bazuar në votimin e fundit për anëtarin e ri të KLD-së në Kuvend.
“Opozita ka një problem të lindur me votën, ka frikë me shumë se asgjë nga vota.”- u shpreh Berisha.
Sipas tij, procesi i zgjedhjes së presidentit të ri do të jetë plotësisht kushtetues dhe do të pranohen të gjitha modalitetet që përmban rregullorja e Parlamentit Europian.
“Çfarëdo që të ketë rregullorja e Parlamentit Europian do ta pranojmë, për zgjedhjen e presidentit të ri. Opozita do të sjellë nesër modalitetet e këtij votimit, u thashë vetëm maska po kërkuan mos pranojmë, të tjerat çfarë të duan.”- deklaroi kryeministri.
Kreu i qeverisë komentoi se për zgjedhjen e Presidentit të ri do të angazhohen “forumet dhe kryetarët e partisë që do përcaktojnë zëvendësuesin e Topit, do ketë konsultime edhe me opozitën nuk i përjashtoj. Nuk mund të them që s’do jetë Kushtetues, por do ketë konsultime. Presidenti Personalitet i shquar nga radhët e PD, jo pa parti, s’mund të jetë as i majtë as i djathtë. Ai duhet të jetë njeri me integritet të lartë, patriot dhe atdhetar”, shtoi më tej kreu i ekzekutivit.

BERISHA: TOPI REKORD SHKELJESH KUSHTETUESE
Kryeministri Berisha akuzoi Presidentin Topi se ka shkelur Kushtetutën me propozimin e bërë për postin e nënkryetarit të KLD-së, duke shënuar kështu rekordin e shkeljeve të Kushtetutës. Berisha ka mohuar të ketë një konflikt mes KLD e Parlamentit për zgjedhjen e nënkryetarit të KLD-së, ndërsa ka nënvizuar se presidenti Topi është ai që po dhunon Kushtetutën.

“Nuk ekziston asnjë ngërç midis parlamentit dhe KLD-së. Ekziston një përpjekje e re për të dhunuar Kushtetutën e vendit nga Presidenti, i cili e mbyll mandatin, duke regjistruar akte rekord në historinë e demokracisë të dhunimit të Kushtetutës. Në konceptin më primitiv konsideron karrigen e Presidentit mbi ligjin themelor të shtetit. Pikërisht për këto arsye Gjykata e Lartë mbeti muaj të tërë pa kryetarin e saj, për këto arsye, të njëjtin fat pati edhe Gjykata Kushtetuese”, komentoi Berisha.

Për kryeministrin Berisha, Kushtetuta nuk lë asnjë hapësirë për zgjedhjen e nënkryetarit të KLD-së. Ai shtoi se në Kushtetutë përcaktohet qartë se nënkryetari zgjidhet nga parlamenti.

“Gjykata Kushtetuese i kërkon atij të kooperojë me parlamentin, por ai është i vendosur për interesa që ai i di vetë, të shfrytëzojë të vetmin moment që i ka mbetur të shkelë mbi Kushtetutën. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 176 thotë se KLD përbëhet nga 15 vetë, nga të cilët 9 janë detyrimisht gjykatës të zgjedhur nga trupa gjykuese e vendit, pjesa tjetër nga parlamenti. Kushtetuta nuk ka lënë hapësirë. Në frymën e saj thotë se nga këta 9 gjykatës nuk mund të zgjedhë nënkryetari. Kushtetuta nënkryetarin e ka përcaktuar të zgjidhet nga parlamenti. Nënkryetari nuk mund të jetë ministër, se Kushtetua se lejon, as kryetari i Gjykatës së Lartë. Pra për të gjithë ata që nuk janë analfabetë të Kushtetutës, nuk mund të përmbyset përcaktimi i Kushtetutës”, komentoi ai më tej.

Berisha u tha gazetarëve se mazhoranca nuk do të marrë asnjë nismë ndaj Presidentit Topi edhe nëse ai nuk tërhiqet nga propozimi i tij për postin në KLD. Ai u shpreh se Topi duhet t’i kalojë i qetë ditët që i kanë mbetur në Presidencë, ndërsa nuk nguroi ta akuzojë se e ka kthyer këtë institucion në vendin ku organizohen mbledhjet e partisë së tij.

“Ne nuk ndërmarrim ndonjë nismë ndaj Topit, për arsye sepse janë muajt e fundit të tij. Ekzistojnë standardet më të papranueshme, në atë institucion, bëjnë mbledhje patickash, Institucioni i parë i vendit Presidenca i shndërruar në një patickë. Presidenca seli e një partie të vogël. Ne vendosëm që do ta tolerojmë, E garantoj që do jetë i qetë deri në ditën që të bëhet dorëzimi i postit të tij”, komentoi Berisha.

“Propozimi i nënkryetarit të KLD-së është kompetencë e Presidentit, këtu s’jemi kundër, s’ka asgjë kundër, por se si po e përdor këtë kompetencë s’ka asgjë për tu habitur, po e përdor për të thyer Kushtetutën, ne qartësojmë qytetarët. Nuk kemi asnjë nismë, vecse deklarojmë se gjithcka është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës”, komentoi ai më tej.

NUK KA KRISJE ME LSI, FITORJA JONË DIAMANT
Kreu i qeverisë foli me siguri edhe për koalicionin me LSI, i cili sipas tij nuk ka krisje. Ky koalicion, sic u shpreh Berisha është një diamant.
“Fitorja e ngushtë apo e gjerë, e madhe apo e vogël është diamant. Fitorja vetëm përmirëson marrëdhëniet. Koalicioni s’ka asnjë problem”, shtoi ai.

PËRBALLË KAM RAMËN, TOPI S’MË TREMB
Berisha komentoi në fund se ai respekton pluralizmin, ndërsa nuk trembet nga partia e re e Topit. Kreu u ekzekutivit deklaroi se kundërshtari i tij mbetet Edi Rama.
“Unë përballë kam Edi Ramën, satelitët e tij nuk më lëndojnë. Në këtë sistem elektoral del qartë se ku rrëmojnë ata”, shtoi ai.

VIZITA NE AFGANISTAN, BERISHA: IMPRESIONUESE
Shefi i qeverisë foli edhe për vizitën e tij në Afganistan, të cilën e cilësoi si impresionuese. Ai sqaroi se do të kishte qëndruar edhe ditën e dielë në Kabul, por u kthye për të festuar Pashkët në Shqipëri.
"Po të mos ishte festa e Pashkës do kisha qëndruar edhe të dielën në Afganistan, pavarësisht trazirave në Kabul. Jam kthyer vetëm për festën",- u shpreh Berisha.

PROJEKTI TAP, VENDIMMARRJA MË E RËNDËSISHME NË FUSHËN E ENERGJISË
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se, projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (Tap), është projekti më i rëndësishëm në fushën e energjisë. Sipas Kryeministrit, projekti ka fizibilitetin e shkallës më të lartë. “Disa zemërthyerje të krijuara nga vendimi i parë duket se do jenë kalimtare, pasi TAP i intereson të njëjtave vende, që i interesonte projekti i përjashtuar”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, “gjithnjë e më shumë po ngrohet klima për TAP-in. Natyrisht është një poces jo i përfunduar, kompleks, por është vendimmarrja më e rëndësishme në fushën e energjisë, pasi sjellë drejt Europës një burim të madh gazi që nuk ka ekzistuar”.
“Do të bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga kalimi i këtij projekti në Shqipëri”, theksoi Kryeministri Berisha.

INCIDENTET NË MAQEDONI, NË DËM TË VENDIT
Kryeministri Berisha u ndal të komentojë edhe ngjarjet më të fundit në Maqedoni, ku pas vrasjes së 5 të rinjve është shtuar edhe fryma e incidenteve etnike. Për Berishën këto zhvillime janë në dëm të vendit.
“Ndjek me vëmendje zhvillimet në Maqedoni. Janë zhvillime të dënueshme, në dëm të madh të përpjekjeve të këtij vendi dhe të reformave që bën ai, por nga ana tjetër dua të theksoj se autoritetet maqedonase në të gjitha rastet bëjnë përpjekje për të kontrolluar situatën dhe për të zbatuar ligjin.
Ai shtoi se akuzat kolektive në këtë rast nuk janë të pranueshme deri në kohën që ende nuk është gjetur autori i vrasjeve.
“Autorët të vihen para përgjegjësive. Këto incidente pa u sqaruar nuk mund të bëhen shkas për të nxitur konfliktulitet të madh etnik. Paqja dhe stabiliteti i Maqedonisë interes jetik kombëtar i shqiptarëve. Kufijtë aktualë janë interesi më i mirë i shqiptarëve”, tha Berisha.

NË VERI TË KOSOVËS PO KTHEHEN PRAKTIKAT E MILLOSHEVICIT
Berisha foli edhe për situatën më të fundit në veri të Kosovës, e cila sic tha ai, i ngjan rivendosjes së disa praktikave të kohës së Milloshevicit.
“Në veri të Kosovës ka rikthim të praktikave tipike të kohës së Milloshevicit. Dy policë të shtrirë dhe të lidhur si armiq, një akt terrorist ndaj një qytetari dhe familjes së tij. Uroj që marrëveshja e arritur në Bruksel të zbatohet, në interesin më të mirë të Prishtinës dhe Beogradit. Vlerësoj faktin që Serbia hoqi dorë nga zgjedhjet në veri”, tha Berisha.
Ai u shpreh më tej se qeveria e tiju do i japë një mbështetje më të madhe luginës së Preshevës. “Meritojnë dhe do kenë mbështetje më të madhe në interes të zhvillimit të tyre, jemi për respektimin e plotë të kufijve”, shtoi ai.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Viewing all articles
Browse latest Browse all 24430